Shtetasit turq dënohen me 56 vjet burgim, Kosova ‘hesht’ për rastin
Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi shtetasit turq.
Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Ankaraja dyshon se ata janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.
Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016, kurse institucioni “Gulistan” konsiderohet i tij.
Pesë prej shtetasve turq të dëbuar ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif”, që operon në kuadër të “Gulistanit” në Kosovë, ndërsa personi i gjashtë ishte një mjek turk.
Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës në shkurt të vitit 2019 pati identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018.
Njëri nga të dënuarit në këtë rast është Hasan Husein Gunakan, i cili u arrestua gabimisht në vend të Hasan Demir, por pavarësisht kësaj, ai u akuzua dhe dënua më 28 janar të këtij viti.
Djali i Gunakanit, Mustafa, i cili ende jeton me familjen e tij në Kosovë, i tha “Radios Evropa e Lirë” se babai i tij u akuzua se ishte “anëtar i një organizate terroriste të armatosur rëndë, e njohur si lëvizja ‘FETO’ si dhe se ishte spiun”.
Sido që të jetë, Gunakan u dënua vetëm mbi pretendimet se ai ishte pjesëtar i kësaj organizate.
“Gjykata vendosi për dënim me 8 vjet dhe 6 gjashtë muaj, pa asnjë provë. Dënimi u bazua në akuza të rreme”, tha Mustafa Gunakan.
“Pastaj, ne e apeluam vendimin dhe ndërsa prisnim që rasti të zgjidhej, u shfaq koronavirusi dhe vendimi për ankesën u shty”, shtoi ai.
Babai i Mustafës u përball me një proces të stërzgjatur gjyqësor, ndërkohë që tani së bashku me të dënuarit e tjerë, po qëndron i izoluar në qelitë e burgut Silivri në Turqi.
Mohimi i kontaktit me familjarë
Familja e Hasan Gunakanit nuk ishte në gjendje të kontaktonte me të për 50 ditë, pasi ai u arrestua dhe u dëbua për në Turqi.
“Atëherë patëm një shans të bisedonim 10 minuta në javë, deri në muajin mars të vitit 2020. Në atë kohë (për shkak të pandemisë së koronavirusit) ata anuluan të gjitha vizitat në person, përfshirë avokatët, duke e zgjatur kohën e bisedës telefonike në 20 minuta”, thotë djali i Hasanit, Mustafa.
Ai megjithatë frikësohet se bisedat incizohen dhe përpos gjërave të zakonshme mbi shëndetin, thotë se nuk bisedon gjë tjetër me babanë.
Sa janë të besueshme akuzat?
Hafza Girdap, zëdhënëse dhe drejtoreshë për çështje të grave në organizatën Përkrahësit e Turqisë së Heshtur (Advocates of Silenced Turkey-AST) që katër vjet jeton në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara.
Edhe ajo akuzohet se ishte pjesë e tentim gusht-shtetit që ndodhi në muajin korrik të vitit 2016 në Turqi.
Girdap thotë se proceset gjyqësore ndaj turqve të dëbuar nga Kosova janë zhvilluar me akuza të fabrikuara.
“Institucionet në Turqi i morën këta njerëz dhe pastaj shpikën prova kundër tyre sepse nëse institucionet atje vërtetë kanë pasur prova, atëherë do të duhej që t’i kishin ato para proceseve gjyqësore. Ata i burgosën këta njerëz dhe pastaj thanë: ‘në rregull, ne gjetëm disa prova’. Kjo nuk është logjike”, deklaron Girdap.
Girdap thotë se arsyeja e vetme pse ata mbahen në burg është fakti që akuzohen se janë pjesë e një organizate, që do të duhej të ishte normale në një vend demokratik.
Por, i dënuari në këtë rast, Hasan Gunkan, në mbrojtjen e tij, ka mohuar se është pjesë e organizatës FETO – akronimi që përdor Turqia për Lëvizjen “Hizmet” të Gulenit, që Ankaraja zyrtare e ka shpallur terroriste.
Djali i tij, Mustafa thotë se babai i tij ka qenë duke punuar si mësues në shkollën ‘Mehmet Akif’ në Kosovë, e cila operon sipas ligjeve të Kosovës dhe se babi i tij kishte 26 vjet që punonte jashtë Turqisë.
“E gjithë kjo e bëri jetën shumë të vështirë për ne. Për të qenë të saktë, ata shkatërruan një pjesë të jetës sonë”, shton Mustafa.
Mustafa thotë se disa anëtarë të familjes së tij u detyruan që të kërkojnë azil në Kosovë, për shkak se autoritetet turke nuk i dhanë pasaporta atyre.
Edhe organizata ndërkombëtare, “Nordic Monitor”, në një publikim të datës 23 korrik të këtij viti, pretendon se në rastin e gjashtë shtetasve turq që i dëboi Kosova, kishte akuza të fabrikuara.
“Nordic Monitor” është një faqe lajmesh në internet dhe faqe përcjellëse që drejtohet nga Rrjeti Nordik i Kërkimeve dhe Monitorimit me qendër në Stokholm. Ai mbulon lëvizjet ekstremiste fetare, ideologjike e etnike dhe grupet radikale, me një fokus të veçantë në Turqi.
“Dokumentet e reja të datës 21 dhjetor, 2018 konfirmojnë edhe një herë se raportet e inteligjencës të krijuara nga misionet diplomatike turke si pjesë e një fushate spiunazhi në shkallë të gjerë, kanë targetuar kritikët dhe kundërshtarët e Qeverisë turke që jetojnë jashtë Turqisë dhe janë përdorur në çështjet penale në vend”, thuhet raportin e Nordic Monitor.
Kush janë gylenistët?
Sipas kësaj organizate edhe në rastin dëbimit të shtetaseve turq nga Kosova, rol të rëndësishëm ka luajtur Ambasada e Turqisë në Prishtinë.
Duke u thirrur në burime lokale në Kosovë, “Nordic Monitor”, thotë se ambasada turke ka pasur rol kyç në planifikim dhe logjistikë duke shërbyer edhe si “qendër ndalimi”.
Këtë të gjetur të këtij raporti, “Radio Evropa e Lirë” ia ka dërguar për koment ambasadës së Turqisë në Prishtinë. Por, zyrtarët e këtij misioni diplomatik nuk kanë kthyer përgjigje deri më tani.
Hetimi pa rezultat
Operacioni sekret për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nxiti reagime të shumta në Kosovë.
Askush nuk e mori përgjegjësinë për operacionin në Prishtinë.
Kuvendi i Kosovës formoi Komision hetimor parlamentar për operacionin e dëbimit. Në fund u konstatuan 31 shkelje ligjore që kanë ndodhur gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit.
Për shkeljet më të mëdha akuzohej Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.
Ish-anëtari i Komisionit parlamentar që hetoi këtë proces, Sami Kurteshi, shprehet i dëshpëruar që asnjë person nuk mori përgjegjësi penale për këtë rast.
“Prokurorët e Prokurorisë Speciale apo çdo prokuror tjetër që do të duhej të merreshin më këtë çështje, nuk e kanë guximin që të merren me personat kryesorë dhe personat kryesorë, në të vërtetë janë shefat e policisë ( ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni) dhe drejtori i atëhershëm AKI-së (Driton Gashi) që nuk kanë lejuar hetimin e personave kyçë”, thotë Kurteshi.
Bashkë më Kurteshin dhe të tjerët kishte punuar në komision, asokohe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, aktualisht zëvendëskryeministër.
I kontaktuar nga “REL”, Selmanaj nuk është përgjigjur në thirrje e as në mesazhin e dërguar me pyetjen nëse ekzekutivi do të ndërmarrë ndonjë iniciativë për këtë rast.
Me herët, Selmanaj pati deklaruar se kjo ngjarje “është rasti më eklatant i shkeljes së çdo norme dhe dispozite ligjore e kushtetuese nga autoritetet shtetërore”.
“REL” ka kontaktuar edhe drejtorinë e shkollës “Mehmet Akif” ku kanë punuar pesë nga gjashtë personat e deportuar, mirëpo udhëheqësit e këtij institucioni arsimor nuk kanë qenë të gatshëm të flasin për situatën aktuale.
Heshtja e institucioneve të drejtësisë
Më 4 korrik të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi për “Radion Evropa e Lirë” se “janë marrë në pyetje dëshmitarë, si dhe një numër mjaft i madh i të dyshuarve”. Hetimet për këtë rast nisën më 2018.
Por, të kontaktuar sërish dhe të pyetur nëse kanë përfunduar hetimet dhe se në çfarë faze është rasti, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.
Vitin e kaluar, ky institucion kishte bërë të ditur se Inspektorati Policor i Kosovës kishte ngritur kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve policorë në lidhje me këtë rast.
Shkelje të të drejtave të njeriut dhe konventave ndërkombëtare në rastin e dëbimit të shtetaseve turq, kishte gjetur edhe institucioni i Avokatit të Popullit.
Në një raport për rastin, ky institucion kishte konstatuar se veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës ishin në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Por, pavarësisht krejt rezultateve dhe nisjes së hetimeve për këtë rast, të vetmet veprime që u ndërmorën, ishte shkarkimi i asokohe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi dhe ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj.
Shkarkimi i tyre ndodhi vetëm pak kohë pas operacionit të dëbimit dhe vendimin e mori, atëbotë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në vitin 2018, familjet e gjashtë shtetasve turq, ngritën padi ndaj Qeverisë së Kosovës për dëbimin e familjarëve të tyre.