Shtetasja kroate gjendet e vdekur në majën e Jezercës
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar për një operacion mbi 10 orësh, ku është gjetur e vdekur një shtetase kroate pasi ka rrëshqitur nga faqja malore në majën e Jezercës.
Sipas njoftimit janë shpëtuar edhe 7 bjeshkatarë , 4 shtetas të Kroacisë dhe 3 të Serbisë.
Viktima L.Z, e lindur më 1981, kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse dhe ishte gjetur pa shenja jete.
“Ekipi ynë së bashku me policinë e shtetit Shqiptar dhe me anëtar të shërbimit të kërkim shpëtimit malor kanë filluar një operacion të shpëtimit nga lugina e Valbonës duke u transportuar me helikopter deri në një pikë të afërt ku ka pasur mundësi aterimi.
Fillimisht është bërë çasja te viktima L.Z e lindur më 1981, e cila kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse dhe ishte gjetur pa shenja jete, pastaj është realizuar bartja e kufomës deri në helikopter për transport në spitalin më të afërt”, thuhet në njoftimin e tyre.
Njoftimi i plotë:
Sot me datë 30.03.2024 rreth orës 11:00 kemi pranuar një thirrje emergjente nga Policia e Bajram Currit dhe qendra e Emergjencave Civile Shqiptare për ndihmë në një aksident malor në majën e Jezercës.
Me një koordinim të shpejtë dhe mbledhje të informatave fillestare me Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor i Shqipërisë , dhe gjithë autoritet e shtetit Shqiptar, një skuadër e ShKShMK ka filluar operacionin e shpëtimit malor në koordinatat e dërguara.
Sipas informatave të para një bjeshkatare me shtetësi Kroate kishte rrëshqitur nga faqja malore shumë afër majës së Jezercës në drejtim të greminës, dhe grupi tjetër i bjeshkatarëve nuk kishin më komunikim me viktimën, por kanë pasur qasje në valë dhe kanë lajmëruar autoritetet për ndihmë.