Shtetet e Quintit kërkojnë nga Qeveria zbatimin vendimit të Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

30 nëntor 2021 | 15:31

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, drejtuar Qeverisë së Kosovës në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për çështjen e tokës së Manastirit të Deçanit.

Në këtë deklaratë thuhet se këto shtete janë të shqetësuar me mos-zbatimin e këtij vendimi. “Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbesin të shqetësuar që përkundër nxitjes së vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga vetë gjyqësori i Kosovës, institucionet kosovare ende nuk e kanë zbatuar plotësisht regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016”, është thënë në deklaratë.

Sipas kësa deklarate, mos-zbatimi i këtij vendimi minon zotimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e sundimit të ligjit. “Moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës minon zotimin e qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur. Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik”, është thënë në deklaratë, duke kërkuar zbatimin e tërësishëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Edhe njëherë, e nxisim Qeverinë e Kosovës të lë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”, është thënë në deklaratën e shteteve të QUINT-it.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kosovë është duke vazhduar vaksinimi i qytetarëve kundër Covid-19.…