Shtetet anëtare të BE-së kërkojnë përfshirjen në dialog
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar që të përfshihen në fazën përfundimtare të dialogut mes Kosovës e Serbisë i cili do të çonte në një marrëveshje ligjërisht obliguese për një normalizim të plotë të marrëdhënieve, ka mësuar Radio Evropa e Lirë, edicioni në gjuhën serbe.
Siç kanë thënë burimet evropiane, shtetet anëtare kanë nisur të shfaqin shqetësimin e tyre në lidhje me mungesën e transparencës rreth dialogut politik, veçanërisht në kapitullin që ka të bëjë me marrëveshjen përfundimtare.
Kjo është theksuar qartë të premten e kaluar, në takimin ku përfaqësuesit e shërbimit të politikës së jashtme të BE-së gojarisht kanë njoftuar përfaqësuesit e vendeve anëtare për procesin e dialogut.
Burimet nga ky takim kanë konfirmuar për REL-in, se shtetet anëtare nuk janë të kënaqura me faktin se janë të përjashtuara tërësisht nga ky proces. Siç sqarojnë burimet diplomatike, ekipi që udhëheq dialogun në Bruksel në asnjë moment nuk konsulton shtetet anëtare, madje as ato që konsiderohen të mëdha apo më të rëndësishme.
“Dialogu po hyn në një fazë kritike, ndërsa shtetet anëtare nuk janë të përfshira në ndërtimin e marrëveshjes përfundimtare e cila do të jetë historike. Ne po bëhemi dyshues se përse ekipi i (përfaqësueses së BE-së për politikë të jashtme dhe siguri) Federica Mogherinit gjithë këtë e mban në fshehtësi të plotë”, ka thënë për REL-in një burim diplomatik që ka marrë pjesë në takim.
Burimi ka sqaruar se raportimet e ekipit të Federica Mogherinit rreth dialogut janë në përgjithësi “me notë sipërfaqësore dhe pozitive” me të vetmin konfirmim se të dyja palët, edhe Prishtina edhe Beogradi, janë të angazhuara për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Një prej hapave për të cilët aktualisht po bisedohet është ideja që kjo çështje të përfshihet në konkluzat përfundimtare në Samitin e qershorit ku shefat e shteteve dhe të qeverive të BE-së do të diskutojnë për mundësitë në Ballkanin Perëndimor.
I njëjti burim ka konfirmuar për REL-in se po punohet në atë drejtim që njëra nga pikat në konkluzat përfundimtare është kërkesa që të “përfshihen” edhe shtetet e BE-së në përgatitjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.