SHTETET PERENDIMORE, NËSE JANË VERTET DEMOKRATIKE, NUK DUHET TË IMPONOJNË POLITIKA ANTISHQIPTARE E TË BËJNË EKSPERIMENTE ME SHQIPTARËT

11 mars 2021 | 22:54

*  PERENDIMI KA DETYRIME NDAJ KOMBIT SHQIPTAR, QË DUHET T’IA SHLYEJË PËRMES NDREQJES SË FAJEVE QË KA BËRË NË KURRIZ E NË DËM TË TIJ, HISTORIKISHT!

Isa Ferizaj

          Kosova sapo ka hyrë në vitin e katërmbëdhjetë të Mëvetësisë së saj, mëvetësi kjo e njohur nga mbi njëqind shtete të botës, në krye të të cilave qendrojnë shtetet më të fuqishme perendimore e evro-atlantikase. Ky fakt flet qartë për një njohje të një realiteti të ri gjeo – politik në Ballkanin e trazuar, jo nga vetvetja, por nga përzierjet e ‘më të mëdhenjve’ në hesapet e vendeve të këtij rajoni më se evropjan. E tërë historia ballkanase e passhkëputjes nga Perandoria Osmane, është historia e përplasjeve të mëdha të interesave të ‘fuqive të mëdha’, interesa ato të bashkëlidhura me vasalët e tyre, me ‘më të mëdhenjtë’, apo ‘me të përkëdhelurit’ e tyre rajonal, nga fuqimëdhenjtë, në dëm e, në kurriz të popujve e kombeve të vegjel e të pambështetje ndërkombëtare.

Dihet historikisht se si shqiptarët u shkëputën të fundmët nga Perandoria Osmane, jo me deshirën e tyre, por për shkak të rrethanave historike të kohës, rrethana që imponoheshin nga pushtuesi shumëshekullor Osman. Sllavët duke ndjekur historikisht një politikë antishqiptare, pothuajëse që me ardhjen e tyre në Ballkan ( aty nga shek. VI i erës së re) u zgjeruan shumë në hapësirat e tyre, në kurriz të trojeve shqiptare, politikë kjo që jeton edhe në ditët e sotme. Këtë fakt e njeh fare mirë historia, por edhe faktorët politik me peshë në kontinentin evropjan të asaj kohe, si edhe të të gjitha kohërave të mëpastajme.

Është për t’u habitur se me ‘problemin shqiptar’, apo me shqiptarët e trojet e tyre, si në kohën e gati dy shekujve më parë e, në vijimësi, ende kjo Evropë, nuk ka gjetur mendësinë e duhur, as gjykimin e drejtë, por as veprimet e duhura njerëzore ndaj shqiptarëve në trojet e tyre etniko-natyrore në Ballkan. Si para afër dy shekujve, ende kjo Evropa e sotme, në formë e re, por në thelbin e saj, antishqiptare, e vjeter sa më s’ka, harxhon kaq shumë kohëra të çmuara duhe thirrur konferenca pas konferencave boshe e bajate, gjoja për të zgjidhur problemin shqiptar në Ballkan, a thua se shqiptarët na qënkan historikisht ‘delja e zezë’ në bashkësinë e kombeve në rajon.(!!) Kaq shumë bisedime pas bisedimeve; kaq shumë takime pas takimeve, pa asnjë rezultat; kaq shumë fallsopropogandë e shurdhshmëri në veshët e Evropës bashkëkohore ndaj çështjes shqiptare!

Sa herë kombi ynë ka ngritur krye për të drejtat e tij të mohuara nga pushtuesi historik e shekullor, por edhe të nëpërkëmbura nga faktorët ndërkombëtarë, kryesisht evropjanë, sistematikisht, me qellime e synime të caktuara, gjithnjë antishqiptare, mbështetja e kësaj Evrope ka qënë sistematike e në trajtë të pashkëputur në krah të ish – shtetit pushtues të Jugosllavisë së krajlëve, por edhe të asaj ‘të resë’ me shpirt të vjetër.

Traktatet e dala në vijimësi nga vendimet e kancelarive evropjane kanë qënë me karakter të thellë e të mirëdukshëm antishqiptar. I merrni me radhë të gjitha vendimet e të gjitha takimeve e ‘bisedimeve’ për shqiptarët, zhvilluar e marrur nga Evropa  e, dukshëm do ta vereni këtë qendrim, pse jo edhe rracist ndaj shqiptarëve. Kjo dukuri aspak njerëzore, se e drejtë, jo se jo, kuptohet fare lehtë nga faktorët e marrjes së atyre vendimeve, por është e çuditshme se si edhe në këtë shekullin e ri, XXI, ky qendrim nuk ka ndryshuar aspak, por këta faktorë vendimmarrës evropjanë, në mënyra të kamufluara e të sheqerosura, ende ushqejnë aso lloj ndjenjash e veprimesh antishqiptare, si në kohërat e errëta mendore të Evropës imperialiste.

Sot, paradoksalisht e çnjerëzizht, nga fuqitë e mëdha të Evropës, shqiptarëve iu vihen kufij, iu vihen pengesa, iu vihen kushte pas kushteve, iu kerkohen aso lloj normash ligjore sa edhe vet kjo Evropë nuk i ka ende, i kufizojnë në lëvizjen e lirë jashtë atdheut; iu kërkojnë të ngrejnë “Gjykatë Speciale” për gjykimin e shqiptarëve luftëtarë të UÇK-së e, të shkojnë e të vetëdorëzohen në tribunale ‘drejtësie’ ndërkombëtare, të paditur nga kjo Evropë, për t’u gjykuar si kriminelë lufte; iu kerkohet që brenda teritorit të tyre, pra në Kosovë, të lejojnë pakicën serbe, pra vetem atë serbe, që të krijojnë modelin e ‘srbska republika’ në Bosnje; iu kerkojnë që të japing teritore nga teritori i tyre shtetror, Malit të Zi, në këmbim të heqjes së vizave për lëvizje të lirë në Evropë, por që kurrë s’e zbatuan edhe pse shqiptarët plotësuan kerkesën e evropjanëve kushtvënës edhe pse në dëm të tyre; iu kërkohet që të diskutojnë me serbët nga pozitat e ‘humbësit’ të luftës së viteve 1998 – 1999 kur e tërë bota e njeh popullin shqiptar në Kosovë si viktimen dhe fitimtarin e asaj lufte!? U kerkojnë shqiptarëve që të bëjnë, në raport me serbët, ‘korigjim kufijsh’ në dobi të Serbisë, si kusht për të pranuar serbët të njohin mëvetësinë e Kosovës, ndonëse kufijtë e shqiptarëve kudo, kalojnë nëpër troje shqiptare. Nuk ndodhi që as Europa e vjeter e pasmbarimit të LDB të ngrejë “Gjykata Speciale” për viktimat e asaj lufte, por çoi para drejtësisë së gjykatës në Nyremburg, të gjithë kriminelët e gjallë të LDB nga radhët e kampit aggresor nazi-fashist. Sot, pas 75 vjetëve nga përfundimi i LDB, me shqiptarët e Kosovës po ndodh e kundërta e asaj që ndodhi në gjykatën e Nyrembergut.(??!!) Fakti i ngritjes së një “Gjykate Speciale” për të gjykuar viktimat e një lufte të drejtë çlirimtare të një populli nën pushtim, është një rast unikal e eksperimental në këtë botën e sotme ‘demokratike’. Eksperimentet ndër shqiptarë s’kanë të sosur! Shqiptarëve në Kosovë iu kerkojnë të ndërrojnë flamur e hymn kombëtar; duke iu cenuar e nëpërkëmbur nderin e dinjitetin e tyre kombëtar; iu kerkojnë që serbët të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, vetem me një listë të pavotuar e, me një  numër të caktuar ‘deputetësh’ të pavotuar, çka s’bën vaki në asnjë vend me vlera të verteta demokratike, në këtë botë.

Kjo dukuri nuk ndodh as në kryekështjellën botërore, në SHBA-në e demokracisë së këtij sistemi. Iu kërkohet shqiptarëve që të eksperimentojnë mbi tri vjet me reformën në drejtësi, duke e lënë vendin pa pushtetin e gjyqësorit e, popullin pa dhënien e drejtësisë së shumëdeshiruar, siç s’ka ndodhur kund tjetër në botë!?

Shtetit të pavarur shqiptar të Kosovës ia kanë ndaluar me ‘urdhër’ nga më të mëdhenjtë, që të formojnë ushtrinë e Kosovës. Njëra nga detyrat e para të çdo shteti të ngritur historikisht mbi këtë planet, ka qënë dhe mbetet krijimi i ushtrisë së atij shteti. Sot, pas 13 vitesh mëvetësi, shteti i Kosovës nuk lejohet të krijojë ushtrinë e vet, me natyrën e përmbajtjen që ka çdo ushtri e çdo shteti në botë, sipas veçorive përkatëse.

Përseri, në vazhdën e eksperimentalizmave absurd, për shqiptarët prodhohen aso lloj politikash që i orientojnë ata që të vetmohojnë të kaluarën e tyrë të lavdishme, të mos i zënë me gojë faqet e lavdishme të historisë kombëtare, as ngjarjet e mbuluara me lavdi, as heronjtë e tyre, as figurat e shquara kombëtare historike, as arritjet e paranëntëdhjetës, nga asnjë fushë. Atyre, përkundrazi iu injektohet urrejtja për lavdinë dhe lavdimëdhenjtë e historisë së tyre dhe, pranimi i nihilizmit, i përuljes ndaj bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazi-fashistë në LDB, për të arritur deri tek reabilitimi i tyre, siç edhe ka ndodhur, por edhe të tradhtarëve të njohur botërisht edhe me dokumenta ndërkombëtare të pakontestueshëm, si Ahmet Zogu, Esat pashë Toptani, Mit’hat Frashëri etj. (!!)

Si shpjegohet që edhe pas 23 viteve të rënies heroiko – legjendare të kryekomandantit legjendar të UÇK e të LÇK, Adem Jashari, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, ende nuk ka një shtatore kushtuar këtij heroi me përmasa kombëtare?! Po kështu ka ndodhur edhe me vlerësimin e nderimin e atdhetarit e intelektualit të përmasave jashtëkombëtare, Ukshin Hoti. E, krejt paradoksalisht, ngrihen përmendore për Ibrahim Rugovën dhe organizohen ceremoni zyrtare me protokoll shtetëror pranë varrit të tij. Ku Adem Jashari e Ukshin Hoti, vrarë e zhdukur nga regjimi fashist millosheviçjan e, ku Ibrahim Rugoba pacifist e mosnjohës i UÇK, i mbrojtur në vitet e LÇK direkt nga milicia e Sllobodan Millosheviçit. (!!)

Shqiptarët, vertet dolën të fundit nga pushtimi Osman, por në rrugëtimin e tyre, hërë rrëzohu e, herë ngrihu, kanë treguar se dinë të bëjnë shtet e, bile shtet nga më të konsoliduarit e, nga me të pathyeshmit në rajon dhe në Evropë, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Këtë fakt e njeh shumë mirë historia moderne, por edhe kjo Evropë shpirtplakur, pse jo edhe zemerkalbur.

Tellallët politikë të shteteve evropjane janë sterlodhur duke thirrur e mbrojtur gjoja ‘demokracinë’ në vendet e tyre. Kancelaritë e kësaj Evrope janë tejlodhur duke hartuar ‘receta’ e gatuar ‘çorbë’ pas ‘çorbe të prishur’ për t’ua shitur shqiptarëve si ‘demokraci’!

Shtetet e verteta demokratike, demokracinë e kanë zemren e trurin e tyre e, me atë nuk lejojnë askënd që ta keqpërdori. Aleancat e më ‘të vegjëlve’, si bie fjala, e ne shqiptarëve’ me më ‘të mëdhenjtë’ dhe me më ‘të fuqishmit’, konceptohen e lidhen mbi thelbin e demokracisë e, jo si pushtime (kundërrevolucione) ‘të kadifenjta’, apo si ‘pranvera’ Prage.

Rrënimi i vendit, i ekonomisë dhe vjedhja e grabitja e pasurive kombëtare nga huliganët politik, në vendin tonë, pas vitit 1990, nuk u bë fshehurazi kësaj Evrope, por mu në sytë e nën hundën e saj. Përse nuk e ndaloi kjo fuqi e madhe demokratike, frymën shkatërimtare e vrastare në një vend kaq të vogël sa ky i yni?

Gjithkush, me kulturën më të pakët demokratike në botë e din se çfarë funksioni ka një ‘X’ ambasador në një vend, por as ai me kulturën më të bollshme demokratike, s’e kupton se si ai “X” ambasador të bëhet edhe President, edhe kryeministër, edhe krytar Parlamenti, edhe ministër, edhe kryeprokuror, edhe kryegjyqtat i atij vendi. Kjo dukuri s’është aspak e tolerueshme e, aspak demokratike për asnjë vend apo shtet që i thotë vetes ‘vend e shtet demokratik’! Ndodhin, paradokse të tilla e dukuri absurde jonormale tek ne, falë palopolitikave që pjellin palopolitikanët tanë të paaftë, servilë e të babëzitur marrësisht, por edhe antikombëtarë.

Vende të tilla demokratike, kryesisht ato perendimore, për këtë lloj sistemi ku jemi zhytur me dhunë edhe ne shqiptarët andej e këndej Drinit, miqësisht e me kulturë miqësore duhej e duhet të ndihmonin e të ndihmojnë shtetet si tonat, që të gjëjnë shtegun natyrshëm për kah demokracia e, jo të na zhytin herë pas here në trazira, në kriza e në përplasje politike që na çojnë me dekada prapa, duke na lënë ne shqiptarëve si fajtorë e, përherë në zhagitje mjerane. Tashmë edhe fëmia, për nga progresi i zhvillimit natyror, është i ditur dhe e kupton ndihmën e vertetë nga ajo ‘demokraci’ që shitet si e tillë, por që fatkeqësisht njëjtësohet me ‘bishtin e drdhës’, për ne shqiptarët!

Vullneti e ëndrra shekullore e shqiptarëve, pasi nuk u zgjidh nga ata që e cenuan dhe e masakruan atë, duhet të zgjidhet nga vet shqiptarët, por edhe të pranohet nga ata që s’kanë kurajo ta ndreqin vet fajin e baballarëve të tyre politik, ndaj kombit e trojeve tona. Një qendrim i tillë quhet e njihet si qendrim i vertetë demokratik, ashtu siç ishte vendimi i Presidentit Klinton për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga NATO-ja në vitin 1999. Edhe pse ai qendrim aso kohe fshihte brenda tij interesa madhore amerikane, ne e vlerësojmë si ndihmë njerëzore, morale e demokratike të një vendi të madh që edhe më parë ka mbrojtur kombin tonë nga synimet shoviniste e rraciste të fqinjve tanë e të aleatëve të tyre evropjanë.

Nga ç’lloj demokracie perendimore pjell parimi sygjerues për popullin tonë: “Bëni siç iu themi ne, por mos bëni çfarë bëjmë ne”! A nuk i ndanë dhe , a nuk i bashkuan teritoret në Evropë, pas vitit 1989, me rënien e ‘Murit të Berlinit’, siç deshën, këta evropjanët demokratë të mëdhenj? A nuk ekzistonte për ata  vendimi i KSBE – OSBE, për mosndryshim kufijsh, në lidhje edhe me intresat e tyre? Po për ne shqiptarët, që s’e patëm nënshkruar as atë dokumentin final të asaj organizate aq ‘të madhe’ europerendimore me përmasa tejevropiane, deri në ndërrimin e sistemit, përse u dashka zbatuar me korrektësinë më të madhe, vetem ndaj nesh?! A nuk është kjo dukuri negative që vjen nga vendet ‘demokratiko – perendimore’, një dystandartësi në lidhje me të drejtat e shteteve e të kombeve, të drejta të njëjta kudo në botë?!

Përse, shqiptarëve në Kosovë ua kanë sanksionuar në dokumentat e formuluara nga ana e tyre, krejt me përmbajtje antidemokratike, që të mos flasin e, as të mos veprojnë në drejtim të ribashkimit kombëtar, një dukuri kjo krejt e natyrshme dhe njerëzore, e mbështetur në të gjitha dokumentet e marrëveshjeve dhe të marrëdhënieve të të drejtës ndërkombëtare, ko kombet kanë të drejtën e vetëvendosjes për fatin e tyre?!

Popujt dhe shtetet e tyre, në liri të plotë e, me vullnetin e shumicës së popullit, mbështetur në dokumenta themeltarë edhe ndërkombëtar në lidhje me të drejtat e njeriut, të kombeve e të shteteve, janë të prirur që të zgjedhin e të vendosin vet formën e shtetit, llojin e sistemit e drejtuesit e vet. Vendosja shabllone e sistemit dhe e zbatimit të politikave, sipas më të madhit, apo më të fortit, shkakton trauma sociale, prish balancat politike dhe fut shoqërinë njerëzore në qorrsokaqe e theqafje krizash, rrevoltash e luftrash të pashmangsme locale e rajonale, haraçet e të cilave i paguajnë popujt e vendet viktima të tyre.

Sot është koha që ne shqiptarët, pikësëpari, të shkundemi e të vetëdijësohemi se tradita më e mirë kombëtare shtetformuese, mbështetja e popullit në tërësi, shpërndarja e drejtë e pasurive kombëtare, zhdukja e thellimit të hendeqeve ekonomiko-socialë, punësimi e shkollimi i njerëzve, orientimi si komb drejt ‘Yllit tonë Polar’ – Ribashkimit Kombëtar, të vihen në planin e parë ndërveprues të të dyja shteteve shqiptare të sotme. Koha ikën dhe nesër ajo gjykon tradhtarët, që në fakt s’janë mitik, as folklorik, por më real se kurrë më parë.

Tiranë, më 11 mars 2021.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë takimit virtual që…