Shteti

12 mars 2021 | 17:00

Shkruan: Arben Dashevci –

Jo sipas Nikolo Makiavelit (Nicolas Machiavel) dhe “Princi” i tij i famshëm, nuk është qëllimi dhe as esenca.

Mirëpo disa aforizma të famshme të Nikolo Makiavelit të bëjnë të mendosh dhe ato janë:

Politika nuk ka lidhje me moralin

– Ai që dëshiron të jetë i bindur duhet të dijë se si të komandojë.
–Është kënaqësi e dyfishtë të mashtrosh mashtruesin.
– Është shumë më e sigurt kur ta kanë frikën, sesa kur të duan.
– Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt.
– Asgjë e madhe nuk është arritur ndonjëherë pa rrezik.
– Lufta nuk shmanget; ajo mundet vetëm të shtyhet, në avantazh të të tjerëve.
– Nëse një njeri duhet ta lëndosh, duhet që ta bësh aq fort, saqë të mos ia kesh frikën hakmarrjes së tij.
– Metoda e parë për të vlerësuar inteligjencën e një sundimtari, është të shohësh ata që i rrinë rreth e rrotull.
– Qëllimi justifikon mjetin.

Shteti si formë organizative

Shteti para së gjithash është formë organizative. Ai i ka disa atribute dhe karakteristika themelore. Këto atribute, në të vërtetë, janë elemente të caktuara përmes të cilave vihet në pah sidomos specifika e kësaj forme të organizimit, e quajtur shtet.

Shteti në rrugën e zhvillimit të vet që nga komuniteti primitiv, përmes epokës skllavopronare e deri te shteti modern bashkëkohor është zhvilluar në pajtim me shkallën e caktuar të zhvillimit të forcave prodhuese dhe në bazë së ndarjes shoqërore të punës. Me kohë e ka realizuar atë rol që ka qenë i domosdoshëm për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore dhe sociale dhe për  funksionin  mbrojtës të cilin e ka shteti.

Pra fjala është për funksionet mbrojtëse të shtetit si vijon:

  1. Funksioni ekonomik, për mbrojtjen e mënyrës së prodhimit;
  2. Funksioni ideologjik, për mbrojtjen e formave të ndryshme të vetëdijes së klasave sunduese;
  3. Funksioni politik, për mbrojtjen e atyre organeve shtetërore, të cilat paraqesin superstrukturën e tij.

Një organizatë, për t’u konsideruar shtetërore, është e domosdoshme që ta vendosë sovranitetin e vet të plotë në tërë territorin e saj.

Kjo do të thotë se shtetin e përcaktojnë këto tri elemente në vijim:

  1. Territori;
  2. Popullsia dhe
  3. Pushteti Sovran.

Territori:

Kosova ka një sipërfaqe prej 10.880 km² dhe ky territor po tkurret, mos të harrojmë tkurrjen e fundit me 8200 hektarë, shkuan dhe u harruan (Gone with the wind), shkuan me erën dhe nuk e di a kthehen më.

Ato që janë humbur ndër vite nuk janë kthyer me kurrë , prej Leskovcit, Nishit dhe Tivarit pastaj deri ne Artë dhe Janinë, janë mare dhe nuk janë më.

Popullit shqiptarë gjatë gjithë historisë i kushtoi shtrenjtë pozita e volitshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Si popujt e Lindjes ashtu edhe ata të Perëndimit tërësinë tokësore të shqiptarëve e kishin bërë udhëkryqin më të ngarkuar të planetit, dhe është rrezikuar nga interesat e tyre të kundërt.

Territori nuk jepet dhe as nuk falet, as me marrëveshje dhe as pa të, as në kohë as në hapësirë, kurrë assesi dhe asnjëherë.

Popullsia

Karakterizohemi për natalitet të qëndrueshëm, respektojmë diversitetin dhe multietnicitetin në plotni, gjithmonë kemi qenë dhe jemi solidar me të tjerët, pa marrë parasysh se e kemi pësuar në etapa të ndryshme, dhe në vazhdimësi.

Nataliteti

Kjo fjalë e lehtë për t’u shkruar dhe e vështirë për t’u shpjeguar sepse mund të keqkuptohet. Domethënia e saj ka vlerë të madhe për shtetin tonë, prej kësaj fjale (natalitet) janë dridhur kundërshtarët e shtetit tonë, me natalitet të qëndrueshëm jemi gjithkund, jemi dominant dhe faktorë, për natalitet duhet të investohet dhe investimet duhet t’i bëjë shteti.

Kemi mjaftueshëm fakte se si investojnë të tjerët në natalitet, dhe  çfarë pune bëjnë për të pasur sukses, por nuk  arrijnë dot me gjithë mundimet dhe stimulimet e vazhdueshme.

Neve na nevojitet vetëm një ndihmë dhe shtytje e vogël dhe problem nuk kemi në këtë aspekt.

Nuk jam dhe nuk kam qenë kundër planifikimit të familjes. Njeriu është gjithsesi i lirë të planifikojë  familjen ashtu si di dhe do, vetëm po e potencoj që nataliteti ka qenë gjithmonë përparësi jona si popull.

Sovraniteti

Shteti si organizatë e cila disponon me monopolin legjitim të dhunës në shoqëri, konstituohet në atë moment kur të ketë arritur që ta vendosë sovranitetin e vet në territorin e caktuar. Në këtë  kuptim, lirisht mund të themi se sovraniteti është vetëm shprehje juridike e monopolit të dhunës fizike dhe se për ekzistimin faktik të një shteti mjafton dominimi në atë pjesë të territorit gjeofizik dhe gjeopolitik, të cilin mund ta mbulojë ai monopol.

Struktura e pushtetit shtetëror

Struktura e pushtetit politik përfshinë tri elemente si vijon:

  1. Organizimin e pushtetit në hierarkinë shtetërore;
  2. Sovranitetin;
  3. Organet shtetërore.

Sovraniteti i pushtetit shtetëror

Sovraniteti në pikëpamje etimologjike, (nga frëng. Souverain-I pakufizuar, kulminant, i pavarur; sovereignty, souverainete, souveranitat; kurse shprehja jonë me të njëjtën domethënie është: supermitet apo krye komandë, gjithnjë e më rrallë haset), paraqet atributin  (cilësinë) e shtetit si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, i cili ushtron pushtet ndaj popullit në territorin e vet shoqëror, Sovraniteti, ,,de facto” dhe ,,de jure” do të thotë ushtrim i pushtetit, prej nga rezulton edhe kompetenca e tij që ai pushtet t’u urdhërojë personave në territorin e vet.

Zakoni

Edhe pse zakoni në të shumtën e rasteve është fryt i shoqërive të paorganizuara që ruhet vetëm në ndërgjegjen e anëtarëve të tyre kjo edhe nuk do të thotë se ai nuk mund të marrë edhe disa tipare të llojeve tjera të normave shoqërore.

Ne kemi pasur dhe kemi disa zakone të cilat shërbejnë shembull për popujt e tjerë dhe kemi aq shumë sa është e pamundur t’i rendis një nga një.

Pa i përmendur këto themele të shtetit, nuk mundem që të arrij tek ajo se çka dua të them.

Atributet e Shtetit

Ne jemi shtet dhe të them të drejtën po sillemi më në fund si shtet. Është edhe koha të sillemi si shtet.

Kur ne refuzojmë të luajmë p.sh. futboll me direktiva të një shteti që nuk na pranon, nuk na njeh si shtet dhe me këto direktiva na imponon diçka që për ne është e papranueshme, qoftë kjo edhe në futboll (të luhet loja pa flamur, pa himn dhe gjëra të tjera që e karakterizojnë një shtet), atëherë ne jemi shtet, sepse kundërshtojmë fuqishëm si shtet dhe veprojmë si shtet.

Nuk pranojmë të luajmë këtë lojë që quhet futboll sepse është në kundërshtim me vlerat tona.

Ne jemi shtet sepse kemi një ushtri qe filloi pjesëmarrjen në misione paqësore jashtë vendit. Këta janë “Luanët” e shtetit, është hera e parë që shohim dhe rrëqethemi nga gëzimi, është e veçantë kjo ditë kur shohim “Luanët” tanë, si pjesëmarrës në misione paqësore. Kjo nuk do koment dhe as elaborim të mëtutjeshëm.

 Si duhet të ruhet shteti dhe sa duhet të sakrifikohet për këtë shtet?

Ky tregim i kësaj Nëne, kësaj shtetase të respektuar duhet të na prekë ndërgjegjen tonë.

Leotrimi më ka thirrë: Oj nënë këqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam sëmur prej barku, kur ia kam hjek teshat ia kam parë se ju kish çky barku dhe i kishin ra zorrët, ia kam qit xhemperin me ia mbulu, më ka thënë ma nanë se po më dhemb shumë. Në Gradicë pas dhënies së ndihmës mjekësore, djali nuk arriti të jetoi më shumë se tri orë.

Djalin 7 vjeçar e kemi varrosur në  Gradicë për arsye nuk kemi mundur ta sjellim në Rrezallë për ta varrosur, thotë nënë Shukrije Ahmeti nga Rrezalla e Drenicës për ngjarjet e 5 marsit në Drenicë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj, ky është tregimi i nënës së Leotrimit, dhe Leotrimi nuk jeton më, ka vdekur nga dora barbare sikurse edhe shumë e shumë fëmijë të tjerë.

Ky tregim duhet të gravohet me shkronja të arta kudo ku ka institucione shtetërore, në sheshe të çdo qyteti në shtetin tonë.

Ta lexojmë këtë tregim të vërtetë dhe mos ta harrojmë.

Ky tregim duhet të jetë motivim për të gjithë ata që qeverisin me shtetin tonë.

Tregimi për Leotrimin është në zemrën time dhe tuaj që po e lexoni këtë shkrim. Tregimi për Leotrimin është histori e vërtetë me fakte të patjetërsueshme dhe do të jetë motivim për shumë breza në të ardhmen.

Kur të përmendet kjo ngjarje, fryma duhet të na ndalet për një çast.

Edhe unë që po e shkruaj dora po me dridhet, po betohem në Zot.

Le ta dinë të gjithë që nuk e pëlqejnë shtetin tonë që ne jemi  shtetas dhe kemi shtet, ne nuk jemi apatride (pa shtetësi), dikush nga ne mund të jetë bipatrid (me dy shtetësi), mund të jetë edhe polipatridë (dy ose më shumë shtetësi) por para së gjithash ne jemi  shtetas të Republikës së Kosovës.

Dhe kështu do të jetë gjerë sa mali të bëhet hi dhe prapë hiri të bëhet mal.

Krenohemi me shtetin sepse jemi shtetas dhe nuk ndalemi së krenuari 24/7.

Për fund

Nëse dëshiron që njëqind italian të heshtin, vrite një. Nëse dëshiron që njëqind shqiptarë të heshtin, duhesh t’i vrasësh nëntëdhjetë e nëntë (Lordi Bajron).

Prandaj ne kurrë nuk do të ndalemi së krenuari dhe nuk do të heshtim.

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Faruk H. Shala B.I me emër tregtar N.T. “Proton” shpall…