Shteti gjerman i ofron mbështetje ministrit Bajram Hasani
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka pritur sot një delegacion të kryesuar nga Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, që shoqërohej nga Anja Meyer nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Energjetike dhe zëvendësambasadori Gjerman në Kosovë, Jan Axel Voss.
Ministri Hasani ka përmendur prioritetet e ministrisë që drejton, në veçanti harmonizimin e legjislacionit të plotë me MSA-në, përmbushjet e obligimeve që derivojnë nga MSA, jetësimin e ligjit për Investime Strategjike dhe prioritetet e Kosovës në CEFTA.
Hasani ka thënë se orientimi i politikave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë do të jetë në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që ta rrisin kapacitetin e prodhimit dhe eksportin.
“Ne që nga momenti që kemi marr mandatin, që po bëhen gati gjashtë muaj, jemi munduar që sa i përket legjislacionit, t’i shtyjmë disa ligje që nuk kanë qenë në harmoni të plotë me MSA-në. Kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe janë diku dhjetë ligje që janë proceduar në qeveri. Ne politikat tona i kemi orientuar në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe promovimin e investimeve.”, ka thënë ai.
Ministri Hasani ka përmendur edhe aplikuesin e parë për ta marrë statusin e Investitorit Strategjik, që është një kompani me kapital gjermano-kosovar dhe që do t’i investojë 130 milionë euro në energji solare.
Gjithashtu ministri Hasani ka përmendur edhe raportin e të bërit biznes që Kosova është renditur në vendin e 40.
“Jemi duke hartuar politika të turizmit, forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë, infrastrukturën e cilësisë në përgjithësi, dhe krijimin e ambientit të bërit biznes, që Kosova është renditur mjaft mirë vitin e kaluar në vendin e 40 në të bërit biznes, sipas raportit të Bankës Botërore. Po presim që gjatë këtij viti të kemi progres prapë, me miratimin e Ligjit për Shoqëri Tregtare. I kemi dhënë mbështetje shumë fondit për garanci kreditore. Mbështetës i këtij fondi është edhe Banka Gjermane për Zhvillim dhe Rindërtim”, ka thënë Hasani.
Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, ka thënë se Ballkani Perëndimor është në vazhdimësi prioritet për shtetin gjerman.
“Ballkani Perëndimor do të jetë në vazhdimësi një pikë e rëndësishme e politikës së jashtme gjermane. Lajm i mirë është që prej pavarësisë së Kosovës kemi dyfishuar këmbimin tregtar bilateral, dhe Kosova ka një potencial të madh që mund të shfrytëzohet”, është shprehur Tolksdorf.
Tolksdorf e ka përgëzuar dhe inkurajuar ministrin Hasani për harmonizimin e legjislacionit me BE dhe përmbushjet e kritereve që derivojne nga MSA-ja.
Ai po ashtu i dha garanci ministrin Hasani që shteti gjerman do të jetë partner i fuqishëm i Kosovës në zhvillimin e politikave ekonomike dhe ofrojë mbështetjeje për ekspertë në fushat që ka nevojë MTI-ja.