Shteti i hebrenjve
THEODOR HERZL
përpjekje për një zgjidhje moderne të çështjes së hebrenjve
Parathënie
Ideja që kam zhvilluar në këtë shkrim, është një ide shumë e vjetër: është restaurimi i shtetit hebre. Bota kumbon me thirrje kundër hebrenjve dhe këto protesta kanë zgjuar idenë e përgjumur. Unë uroj që të kuptohet qartë qysh në fillim se asnjë pjesë e argumentit tim nuk bazohet në një zbulim të ri. Unë nuk kam zbuluar as gjendjen historike të hebrenjve, as mjetet për ta përmirësuar atë. Në fakt, çdo njeri do të bindet vetë se materialet e strukturës që po projektoj, nuk janë vetëm të pranishme, por në të vërtetë tashmë mund të preken me dorë. Nëse, pra, kjo përpjekje për ta zgjidhur çështjen hebraike do të përcaktohej nga një fjalë e vetme, le të thuhet se është të shumtën rezultat i një “kombinimi”, e jo “fantazi”. Në radhë të parë, duhet të ruaj projektin tim nga trajtimi i tij si utopik nga kritikët sipërfaqesorë të cilët mund të bënin këtë gabim gjykimi nëse nuk do t’i paralajmëroja. Padyshim që nuk do të kisha bërë asgjë për të qenë i turpëruar nëse do të kisha shkruar një utopi në linjat filantropike dhe, gjithashtu, me shumë gjasë, do të kisha arritur suksesin letrar më lehtë nëse do të kisha vendosur planin tim në maskën e papërgjegjshme të një romani. Por, kjo utopi është shumë më pak tërheqëse sesa secila prej atyre që prodhohet nga Sër Tomas Mor [Sir Thomas More] dhe paraardhësit dhe pasardhësit e tij të shumtë. Dhe unë besoj se situata e hebrenjve në vende të ndryshme është mjaft e keqe për t’i bërë të tepërta flirtet hyrëse. Një libër interesant, “Freiland” [Vend i lirë], nga Dr. Teodor Hercka [Theodor Hertzka], i cili u botua disa vjet më parë, mund të shërbejë për ta shënuar dallimin që bëj unë midis konstruksionit tim dhe një utopie. Është një fantazi gjeniale e një mendjeje moderne të formuar plotësisht me parimet e ekonomisë politike dhe është po aq larg nga aktualiteti, si mali ekuatorial, në të cilin shtrihet ky shtet i tij imagjinar. “Freiland” është një makineri e ndërlikuar me shumë dhëmbëzorë dhe rrota të shumta të bllokuara, që madje edhe përshtaten me njëra-tjetrën, por asgjë nuk më vërteton se ajo mund të vihet në lëvizje. Madje edhe duke supozuar se i shoh duke u zhvilluar “shoqatat e Freilandit”, unë të gjithën do ta konsideroja si shaka. Projekti aktual, nga ana tjetër, përfshin përdorimin e një force shtytëse që ekziston në realitet. Duke marrë parasysh modestinë time, unë do të kënaqem vetëm me faktin të dëftoj ekzistencën e dhëmbëzorëve dhe rrotave të makinës që duhet ndërtuar dhe do të mbështetem te ekzistenca e mekanikëve më të aftë se unë për ta kryer ndërtimin. Gjithçka varet nga forca jonë shtytëse. Por, cila është ajo forcë? Mjerimi i hebrenjve. Kush do ta marrë guximin ta mohojë ekzistencën e kësaj force? Ne do ta diskutojmë këtë në mënyrë të plotë në kapitullin mbi shkaqet e antisemitizmit. Të gjithë janë të familjarizuar me fenomenin e energjisë me avull, të krijuar nga uji i vluar, i cili ngre kapakun e kazanit të çajit. Ky fenomen i kazanit është identik me përpjekjet sioniste dhe shumë forma të tjera të bashkimit “për mbrojtjen kundër antisemitizmit”. Unë besoj tani se kjo forcë, e përdorur mirë, është mjaft e fuqishme për të lëvizur një lokomotivë të madhe për të transportuar pasagjerë dhe mallra: lokomotiva mund të ketë çfarëdolloj pamjeje.
Jam thellësisht i bindur që kam të drejtë, megjithëse dyshoj nëse do të jetoj ta shoh veten të vërtetuar se është kështu. Ata që janë të parët që përurojnë këtë lëvizje, zor se do të jetojnë për të parë fundin e saj të lavdishëm. Por, edhe vetëm fillimi i saj është i mjaftueshëm për t’u dhënë atyre një ndjenjë të lartë krenarie dhe gëzimin e lirisë shpirtërore. Për ta ruajtur këtë projekt nga dyshimi për utopi, do të kursej detajet piktoreske të përshkrimit. Unë, gjithsesi, parashikoj që tallësit e pamend do ta karikaturojnë projektin tim dhe kështu do të përpiqen ta dobësojnë efektin e tij. Një hebre, inteligjent në aspekte të tjera, të cilit i shpjegova planin tim, ishte i mendimit se “detajet e së ardhmes të dhëna sikur të ishin të vërteta, janë tregues të utopisë”. Kjo është gabim. Çdo ministër i financave llogarit në vlerësimet e tij të buxhetit me shifra të supozuara, dhe jo vetëm me të tilla që bazohen në kthimet mesatare të viteve të kaluara ose në të ardhurat e mëparshme në shtetet e tjera, por nganjëherë me shifra, për të cilat nuk ka ndonjë precedent tjetër si, për shembull, për vendosjen e një takse të re. Të gjithë ata që studiojnë buxhetin, e dinë se kjo është e vërtetë. Por, edhe nëse do të dihej që vlerësimet nuk do të respektoheshin në mënyrë rigoroze, a do të konsiderohej si utopik një projekt i tillë financiar? Por, unë jam duke pritur më shumë nga lexuesit e mi. Unë u kërkoj njerëzve të kultivuar, të cilëve u drejtohem, të rishqyrtojnë shumë ide të vjetra dhe të ripërshtaten. Unë madje do të shkoj aq larg sa t’u kërkoj atyre hebrenjve, që janë përpjekur me zell për të zgjidhur çështjen hebraike, t’i shikojnë përpjekjet e tyre të mëparshme si të gabuara dhe të paefektshme. Unë duhet të ruhem nga një rrezik në paraqitjen e idesë sime. Nëse i përshkruaj rrethanat e ardhshme me shumë kujdes, do të duket sikur dyshoj në mundësinë e tyre. Nëse, nga ana tjetër, e shpall realizimin e tyre pa asnjë rezervë, do të duket sikur po përshkruaj një fantazmë.
Prandaj, do të deklaroj qartë dhe prerazi se unë besoj në rezultatin praktik të projektit tim, megjithëse pa pretenduar se kam zbuluar formën që mund të marrë ai krejt në fund. Shteti hebre është një nevojë e botës, prandaj ai do të krijohet. Plani, natyrisht, do të dukej histori goxha absurde nëse një individ i vetëm do të përpiqej ta realizonte atë por, nëse do të punohej nga një numër hebrenjsh në bashkëpunim, do të dukej krejtësisht racional dhe realizimi i tij nuk do të paraqiste ndonjë vështirësi që ia vlen të përmendet. Ideja varet vetëm nga numri i mbështetësve të saj. Ndoshta të rinjtë tanë ambiciozë, të cilëve tashmë u është mbyllur çdo rrugë përparimi, duke parë në këtë shtet hebre një perspektivë të ndritshme lirie, lumturie dhe nderi që u hapet atyre, do ta sigurojnë përhapjen e kësaj ideje. Ndiej që me botimin e këtij pamfleti përfundon detyra ime. Unë nuk do ta rimarr më penën prapë, përveçse nëse sulmet e kundërshtarëve të respektueshëm më shtyjnë ta bëj këtë apo nëse ndihet nevoja t’i hedh poshtë kundërshtimet e paparashikuara dhe t’i eliminoj gabimet. A nuk qëndron sot ajo çfarë po them? A mos jam përpara kohës sime? A nuk janë akoma mjaft të mëdha vuajtjet e hebrenjve? Këtë do ta shohim. Varet nga vetë hebrenjtë nëse ky pamflet politik mbetet për momentin një roman politik. Nëse brezi i tanishëm është shumë i shurdhër për ta kuptuar atë në mënyrë të drejtë, do të lindë një e ardhme më e mirë dhe një brez më i mirë për ta kuptuar atë. Hebrenjtë që dëshirojnë një shtet, do ta kenë atë dhe ata do ta meritojnë atë.
Hyrje
Është për t’u habitur se sa pak depërtim intelektual dhe kuptim në shkencën e ekonomisë kanë shumë njerëz që lëvizin në mes të jetës praktike. Vetëm kështu mund të shpjegohet që edhe hebrenjtë e përsërisin me besnikëri thirrjen e antisemitëve: “Ne varemi për ushqim nga popujt që janë mikpritësit tanë dhe në qoftë se nuk do të kishim asnjë mikpritës që të na mbështeste, do të vdisnim nga uria”. Kjo është një pikë që tregon se si akuzat e padrejta mund të na dobësojnë vetëdijen për veten. Por, cilat janë arsyet e vërteta të kësaj deklarate në lidhje me popujt që veprojnë si “mikpritës”? Me aq sa kjo nuk përmban kufizimet e vjetra fiziokratike, ajo bazohet në gabimin fëmijëror që mallrat kalojnë nga dora në dorë në qarkullim të vazhdueshëm. Ne nuk duhet të zgjohemi nga përgjumja e gjatë, si Rip van Vinkël [Winkle], për të kuptuar se bota ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme nga prodhimi i mallrave të rinj. Përparimi teknik i bërë gjatë kësaj epoke të mrekullueshme mundëson që edhe një njeri me inteligjencë më të kufizuar të vërejë me sytë e tij dritëshkurtër shfaqjen e mallrave të rinj përreth tij. Fryma sipërmarrëse i ka krijuar ato. Puna pa frymë sipërmarrëse është punë e palëvizshme si në kohët e lashta; dhe tipike për të është puna e bujkut, i cili qëndron tani pikërisht atje ku qëndronin stërgjyshërit e tij një mijë vjet më parë. E gjithë mirëqenia jonë materiale është sjellë nga njerëzit sipërmarrës. Ndihem gati i turpëruar kur shkruaj një vërejtje kaq banale. Edhe sikur të ishim një popull sipërmarrësish – siç na bëjnë të ditur qasjet e ekzagjeruara në mënyrë absurde – nuk duhet të kërkojmë një tjetër popull mikpritës. Ne nuk varemi nga qarkullimi i mallrave të njëjta, sepse prodhojmë mallra të rinj. Ne kemi skllevër me aftësi të jashtëzakonshme për punë, shfaqja e të cilëve në botën e kulturës ka qenë fatale për manifakturën: këta skllevër janë makineritë. Është e vërtetë që nevojiten edhe punëtorë për të vënë në lëvizje makineritë por, për këtë kërkesë kemi mjaft njerëz, madje tepër. Vetëm ata që nuk janë në dijeni të kushteve të hebrenjve në shumë vende të Evropës Lindore do të përpiqeshin të pohonin se hebrenjtë janë ose të paaftë ose nuk janë të gatshëm për punë me dorë. Por, në këtë pamflet nuk dua t’i mbroj hebrenjtë. Do të ishte e padobishme. Çdo gjë racionale dhe madje gjithçka sentimentale, është thënë tashmë mbi këtë çështje. Tani nuk mjafton që t’i gjejmë arsyet e përshtatshme për intelektin dhe ndjenjat; dëgjuesit duhet të jenë fillimisht të aftë të kuptojnë, përndryshe njeriu është predikues në shkretëtirë. Nëse dëgjuesit e dikujt janë tashmë mendjemprehtë për të kuptuar, atëherë krejt predikimi është i tepërt. Unë besoj në ngritjen e njeriut në nivele gjithnjë e më të larta të qytetërimit, por unë e konsideroj këtë ngritje të jetë jashtëzakonisht e ngadaltë. Nëse do të donim të prisnim që ndjenjat e një njeriu mesatar të arrinin butësinë që pati Lesingu kur shkroi “Natanin e Urtë”, ne duhet të presim përtej jetës sonë, përtej jetës të fëmijëve tanë, të nipërve dhe mbesave tona dhe të stërnipërve e stërmbesave tona. Por, fryma universale na ndihmon këtu në një mënyrë tjetër. Ky shekull i ka dhënë botës një rilindje të mrekullueshme me anë të arritjeve të tij teknike por, në të njëjtën kohë, arritjet e tij të mrekullueshme nuk janë përdorur ende në shërbim të njerëzimit. Distancat e sipërfaqes së tokës janë tejkaluar, megjithatë ne ankohemi për hapësirë të pamjaftueshme. Anijet tona të shkëlqyeshme me avull na çojnë me shpejtësi dhe siguri mbi detet gjer tani të pavizituara. Hekurudhat tona të sigurta i transportojmë lart në një botë malore, të ngjitura deri tani në këmbë me frikë. Ngjarjet në vendet, të cilat asokohe ishin ende të pazbuluara, kur Evropa mbylli hebrenjtë në geto, na janë të njohura brenda një ore. Prandaj mjerimi i hebrenjve është një anakronizëm – dhe jo sepse njëqind vjet më parë ekzistonte një periudhë iluminizmi, e cila në realitet ekzistonte vetëm për shpirtrat më të përzgjedhur. Unë besoj se drita elektrike nuk është shpikur për qëllimin e ndriçimit të dhomave të vizatimeve të disa snobëve, por më përpara për qëllimin që në dritën e saj të zgjidhim disa nga problemet e errëta të njerëzimit. Një nga këto probleme, dhe jo më i vogli prej tyre, është çështja e hebrenjve. Me zgjidhjen e saj ne punojmë jo vetëm për veten tonë, por edhe për shumë qenie të tjera të mbingarkuara dhe të shtypura. Çështja hebraike ekziston akoma. Do të ishte marrëzi ta mohosh atë. Është një mbetje e Mesjetës, të cilën popujt e kulturuar edhe sot e kësaj dite, edhe me vullnetin më të madh, nuk ia dolën ta tejkalonin dot. Ata sigurisht treguan një dëshirë bujare për ta bërë këtë kur na emancipuan. Çështja hebraike ekziston kudo ku hebrenjtë jetojnë në një numër të dukshëm. Atje ku nuk ekziston, ajo transportohet nga hebrenjtë gjatë migrimeve të tyre. Ne natyrshëm lëvizim në ato vende ku nuk jemi të përndjekur, e shfaqja jonë atje prodhon përndjekje. Kjo ndodh në çdo vend dhe do të mbetet kështu, edhe në vende tepër të qytetëruara – për shembull, Franca – derisa çështja hebraike të gjejë një zgjidhje mbi baza politike. Hebrenjtë fatkeq tani po e sjellin antisemitizmin në Angli; ata e kanë futur atë tashmë në Amerikë. Besoj se e kuptoj antisemitizmin, i cili është me të vërtetë një lëvizje shumëfish komplekse. Unë e shqyrtoj atë si hebre, por pa frikë e urrejtje. Unë besoj se mund të kuptoj se cilat elemente të shakasë së papërpunuar, të xhelozisë së zakonshme tregtare, të paragjykimeve të trashëguara, të mostolerancës fetare – e gjithashtu edhe të vetëmbrojtjes së pretenduar ekzistojnë në të. Unë mendoj se çështja hebraike nuk është as çështje sociale, e as fetare, pavarësisht se nganjëherë merr këto dhe forma të tjera. Kjo është një çështje kombëtare e cila mund të zgjidhet vetëm duke e bërë atë një çështje politike botërore për t’u diskutuar dhe zgjidhur në këshill nga popujt e qytetëruar të botës. Ne jemi një popull – po, një popull. Ne me sinqeritet jemi përpjekur kudo që të shkrihemi në jetën shoqërore të komuniteteve që na kanë rrethuar dhe të ruajmë vetëm besimin e etërve tanë. Këtë nuk na lejojnë ta bëjmë. Kot jemi patriotë besnikë, besnikëria jonë në disa vende shkon në ekstreme; më kot bëjmë të njëjtat sakrifica me mish e me shpirt si bashkëqytetarët tanë; kot përpiqemi ta rritim famën e vendlindjeve tona në shkencë dhe art dhe ta rritim pasurinë e tyre me tregti dhe afarizëm. Në vendlindjet tona ku banojmë me shekuj, ne ende na quajnë si të huaj dhe këtë e bëjnë shpeshherë pikërisht ata, paraardhësit e të cilëve nuk ishin ende të vendosur në atë vend ku hebrenjtë kishin pasur përvojë të vuajtjeve. Shumica mund të vendosë se cilët janë të huajt sepse kjo si, në fakt, çdo pikë që ngrehet në marrëdhëniet midis kombeve, është një çështje pushteti. Unë nuk po dorëzoj asgjë nga e drejta jonë preskriptive kur e bëj këtë deklaratë thjesht në emrin tim si individ pa ndonjë mandat. Në gjendjen e tanishme të botës dhe ndoshta për një periudhë të pacaktuar pushteti do t’i paraprijë së drejtës. Është e kotë, pra, që ne të jemi patriotë besnikë, siç ishin hugenotët që i detyruan të emigronin. Sikur të mund të liheshim në paqe… Por, unë besoj se nuk do të na lënë në paqe. Shtypja dhe përndjekja nuk mund të na shfarosin. Asnjë popull në histori nuk u ka rezistuar betejave dhe vuajtjeve të tilla si ne. Sulmi ndaj hebrenjve thjesht ka bërë që të zhduken ngodhalaqët ndër ne; të fortët midis nesh kthehen pa dyshim sfidues te burimi i tyre kur shpërthen përndjekja kundër tyre.
Kjo mund të vërehej në mënyrën më të qartë në periudhën menjëherë pas emancipimit të hebrenjve. Ata hebrenj që ishin të avancuar intelektualisht dhe materialisht, e humbën plotësisht ndjenjën e përkatësisë së përbashkët. Kur mirëqenia jonë politike zgjat më shumë, ne asimilohemi gjithkund. Unë mendoj se kjo nuk është e turpshme. Prandaj, burrshtetasi që do të dëshironte të shihte një ndikim të racës hebraike në kombin e tij, do të duhej të garantonte për gjithë kohën mirëqenien tonë politike; madje edhe vetë një Bizmark s’do të mund ta bënte këtë. Sepse ende qëndrojnë thellë në zemrat e njerëzve paragjykimet e vjetra kundër nesh. Ai që dëshiron të ketë dëshmi lidhur me këtë, duhet vetëm t’i dëgjojë njerëzit kur flasin sinqerisht dhe thjesht: proverbat dhe tregimet janë të dyja antisemitike. Një popull është kudo një fëmijë i madh, i cili sigurisht mund të edukohet, por edukimi i tij, edhe në rrethanat më të favorshme, do të zinte një interval aq të madh kohor saqë, siç është përmendur tashmë, mund të eliminonim vështirësitë tona me mjete të tjera shumë kohë përpara. Asimilimi, me të cilin kuptoj jo vetëm konformitetin e jashtëm në veshje, zakone, adete dhe gjuhë, por edhe identitetin e ndjenjës dhe mënyrës së sjelljes – asimilimi i hebrenjve – mund të bëhej vetëm me martesa të përziera. Por, nevoja për martesa të përziera duhet të ndihet nga shumica; thjesht njohja e tyre me ligj nuk do të mjaftonte. Liberalët hungarezë, të cilët sapo kanë dhënë sanksione ligjore për martesat e përziera, kanë bërë një gabim të jashtëzakonshëm, të cilin një nga rastet më të hershme e ilustron qartë; një hebre i pagëzuar u martua me një grua hebraike. Në të njëjtën kohë, lufta për ta marrë formën e tanishme të martesës theksoi dallimet midis hebrenjve dhe të krishterëve, duke penguar kështu më tepër sesa duke ndihmuar përzierjen e racave. Ata që me të vërtetë dëshironin të shihnin hebrenjtë duke u zhdukur me përzierje me popujt e tjerë, mund të shpresojnë ta shohin atë të ndodhë vetëm në një mënyrë të mundshme. Hebrenjtë më parë do duhej të kishin fuqi ekonomike mjaft të madhe për të kapërcyer paragjykimin e vjetër shoqëror ndaj tyre. Aristokracia mund të shërbejë si një shembull i kësaj, sepse në radhët e saj kemi numrin proporcionalisht më të madh të martesave të përziera. Me paratë hebreje familjet hebraike mbulojnë fisnikët e vjetër me shtresë ari, e me atë rast familjet hebreje resorbohen. Por, çfarë forme do të merrte ky fenomen në klasat e mesme, ku (duke qenë hebrenjtë popull borgjez) është përqendruar kryesisht çështja hebraike? Një marrje e mëparshme e pushtetit mund të ishte sinonim i asaj epërsie ekonomike, për të cilën thuhet gabimisht se e kanë hebrenjtë. Dhe nëse pushteti që ata kanë tani krijon zemërim dhe indinjatë midis antisemitëve, çfarë shpërthimesh do të krijonte një rritje e mëtutjeshme e pushtetit? Prandaj, shkalla e parë drejt resorbimit nuk do të arrihet kurrë, sepse kjo shkallë do të përfshinte nënshtrimin e shumicës nga një pakicë gjer tani e përbuzur, e cila nuk ka as fuqi ushtarake e as administrative të veten. Prandaj, mendoj se s’ka gjasë të ndodhë resorbimi i hebrenjve me anë të prosperitetit të tyre. Në vendet që tash janë antisemitike do të pranohet pikëpamja ime. Në të tjerat, ku hebrenjtë tash ndihen rehat, ndoshta ajo do të kundërshtohet fuqishëm. Ata do të më besojnë tek atëherë kur sulmi ndaj hebrenjve t’ua mësojë atyre të vërtetën; dhe sa më gjatë që të presë antisemitizmi, aq më ashpër do të shpërthejë ai. Infiltrimi i hebrenjve imigrantë, i tërhequr në një vend nga siguria e dukshme, dhe ngritja në shkallën shoqërore të hebrenjve autokton, kombinohen fuqishëm për të sjellë një revolucion. Asgjë nuk është më e hapur se ky përfundim racional. Meqenëse e kam nxjerrë këtë përfundim me indiferencë të plotë ndaj gjithçkaje përveç kërkimit të së vërtetës, ndoshta do të kundërshtohem nga hebrenjtë dhe do të më kundërvihen me armiqësi hebrenjtë që janë në rrethana të lehta. Për sa kohë që interesat private mbahen nga poseduesit e tyre të shqetësuar ose të ndrojtur që të jenë në rrezik, ato mund të injorohen me disrespekt përbuzës, sepse shqetësimet e të varfërve dhe të shtypurve kanë një rëndësi më të madhe se ato të tyre. Por, unë dëshiroj të parandaloj paraprakisht lindjen e çfarëdo keqkuptimi, veçanërisht dua ta parandaloj idenë e gabuar që projekti im, nëse do të realizohej, do të dëmtonte pronat që kanë hebrenjtë tani. Prandaj, unë do të shpjegoj hollësisht gjithçka që lidhet me të drejtat e pronës. Ndërsa, nëse ideja ime ngelet vetëm letërsi, gjërat mbesin ashtu-kështu siç janë. Më serioz do të ishte kundërshtimi se unë po i jap një rast antisemitizmit kur them se ne jemi popull, një popull; se jam duke penguar asimilimin e hebrenjve atje ku është duke u realizuar dhe po e rrezikoj aty ku ky asimilim është një fakt i realizuar, për aq sa është e mundur që një shkrimtar i vetmuar të pengojë, ose të rrezikojë ndonjë gjë. Ky kundërshtim do të paraqitet veçanërisht në Francë. Ndoshta do të bëhet edhe në vende të tjera, por unë do t’u përgjigjem vetëm hebrenjve francezë paraprakisht, sepse këta japin shembullin më të fortë të mendimit tim. Sado shumë që mund të respektoj personalitetin, personalitetin individual me karakter të fuqishëm te burrështetasit, shpikësit, artistët, filozofët ose udhëheqësit ushtarakë, si dhe personalitetin kolektiv të një grupi historik të njerëzve, të cilin ne e quajmë popull – sado shumë që mund të adhuroj personalitetin, megjithatë nuk ankohem për zhdukjen e tij. Kushdo që mund të zhduket, që dëshiron të zhduket dhe që duhet të zhduket, le të zhduket. Por, personaliteti i popullit hebre as nuk mund të shkatërrohet, as nuk dëshiron të shkatërrohet e as s’duhet të shkatërrohet. Ai nuk mund të shkatërrohet, sepse armiqtë e jashtëm e konsolidojnë atë. Ai nuk do të shkatërrohet; ai këtë e ka treguar gjatë dy mijë vjetëve të vuajtjeve të tmerrshme. Ai nuk ka nevojë të shkatërrohet dhe që, si një pasardhës i hebrenjve të panumërt, të cilët refuzuan të dëshpërohen, po përpiqem edhe një herë ta jap provën në këtë pamflet. Degët e tëra të judaizmit mund të thahen dhe të bien, por trungu do të mbetet. Prandaj, në qoftë se të gjithë ose ndonjë prej hebrenjve francezë protestojnë kundër këtij projekti për shkak të “asimilimit” të tyre, përgjigjja ime është e thjeshtë: e gjithë kjo gjë nuk u intereson aspak atyre. Ata janë francezë izraelit, shkëlqyeshëm! Kjo është një çështje private vetëm për hebrenjtë. Megjithatë, lëvizja shtetformuese që po propozoj unë, do të dëmtonte, sigurisht, francezët izraelitë jo më shumë sesa do t’i dëmtonte “të asimiluarit” e vendeve të tjera. Përkundrazi, do të ishte qartësisht në përparësinë e tyre, vetëm në dobinë e tyre. Sepse ata s’do të shqetësoheshin më në “funksionin e tyre kromatik”, siç thotë Darvini, por do të ishin në gjendje të asimilohen në paqe, sepse antisemitizmi i tanishëm do të ishte ndalur përgjithmonë. Sigurisht se atyre do t’u besohej se janë asimiluar deri në thellësitë e shpirtrave të tyre, sikur të qëndronin atje ku banojnë tani edhe pasi të jetë bërë realitet Shteti i ri hebraik me institucionet e tij më të mira. Të “asimiluarit” do të përfitonin edhe më shumë se qytetarët e krishterë nga largimi i hebrenjve besnikë, sepse ata do të shpëtoheshin nga rivaliteti shqetësues, i pallogaritshëm dhe i pashmangshëm i një proletariati hebraik, i shtyrë nga vendi në vend, nga shteti në shtet për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe trynisë politike. Ky proletariat lundrues do të bëhej i palëvizshëm. Shumë qytetarë të krishterë – të cilët i quajnë antisemitë – tani ofrojnë rezistencë të vendosur ndaj imigracionit të hebrenjve të huaj. Qytetarët izraelit nuk mund ta bëjnë këtë, megjithëse ata i prek shumë më drejtpërdrejt; sepse në ta bën trysni, para së gjithash, konkurrenca e mprehtë e individëve që mbajnë degë të ngjashme të industrisë, të cilët, përveç kësaj, ose importojnë antisemitizëm atje ku nuk ekziston ose e shtojnë atje ku ai ekziston. Të “asimiluarit” i japin shprehje kësaj ankese të fshehtë në ndërmarrjet “filantropike”. Ata organizojnë shoqata emigrimi për hebrenjtë që emigrojnë. Ekziston një anë e kundërt në fotografi, e cila do të ishte qesharake, sikur të mos merrej me qeniet njerëzore që vuajnë. Sepse disa nga këto shoqata bamirësie nuk janë krijuar për hebrenjtë e persekutuar, por kundër tyre; ato janë krijuar për të heqë qafe këto krijesa të varfra sa më shpejt dhe sa më larg të jetë e mundur. Dhe kështu, me një shqyrtim të kujdesshëm, zbulohet se shumë miq në dukje të hebrenjve nuk janë asgjë më shumë se antisemitë të maskuar si filantropistë me origjinë hebraike. Por, përpjekjet për kolonizim të bëra edhe nga burra vërtet qëllimmirë, megjithëse ishin përpjekje interesante, gjer tani ishin të pasuksesshme. Unë nuk mendoj se ky apo ai njeri e mori çështjen thjesht si një sport, se ata u morën me emigrimin e hebrenjve të varfër si dikush që kënaqet në garën e kuajve. Çështja ishte tepër e rëndë dhe tragjike për një trajtim të tillë. Këto përpjekje ishin interesante, pasi ato përfaqësonin në një shkallë të vogël paraardhësit praktikë të idesë së një Shteti Hebraik. Ata, madje, ishin të dobishëm, sepse nga gabimet e tyre mund të mblidhej përvoja për realizimin e idesë me sukses në një shkallë më të gjerë. Natyrisht se këto përpjekje kanë bërë dëm gjithashtu. Mbjellja e antisemitizmit në mjedise të reja, i cili është pasojë e pashmangshme e një infiltrimi të tillë artificial, më duket se është më e vogla nga këto të këqija. Shumë më e keqe është rrethana që rezultatet jo të kënaqshme kanë ngritur dyshime për përdorshmërinë e vet njeriut hebre. Ajo që është jopraktike ose e pamundur për një argument të thjeshtë do ta heqë këtë dyshim nga mendjet e njerëzve inteligjentë. Ajo që është jopraktike ose e pamundur të realizohet në një shkallë të vogël, nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht e tillë në një shkallë më të madhe. Një ndërmarrje e vogël mund të sjellë humbje në të njëjtat kushte ku një e madhe del fitimprurëse. Një përrua nuk mund të lundrohet as me varka kurse lumi, në të cilin derdhet ai përrua, bart anije të mëdha prej hekuri. Asnjë qenie njerëzore nuk është aq e pasur ose e fuqishme sa të zhvendosë një popull nga një vendbanim në tjetrin. Vetëm një ide mund ta arrijë këtë. Ideja e shtetit e ka gjithsesi fuqinë e tillë. Hebrenjtë e kanë ëndërruar këtë ëndërr mbretërore gjatë gjithë netëve të gjata të historisë së tyre. “Vitin e ardhshëm në Jeruzalem!” thotë fjala jonë e vjetër. Tani është çështja të tregojmë se ëndrra mund të shndërrohet në ide të ndritshme. Për këtë qëllim, së pari shumë nocione të vjetra, të tejkaluara, konfuze dhe të kufizuara duhet të fshihen plotësisht nga mendjet e njerëzve. Trurët e shurdhër, për shembull, mund të mendojnë se ky eksod nga kultura duhet të shkojë në shkretëtirë. Kjo nuk është e vërtetë! Ai realizohet mu në mes të kulturës. Ne nuk do të kthehemi në një shkallë më të ulët, por do të ngrehemi në një më të lartë. Ne nuk do të banojmë në kasolle prej balte; ne do të ndërtojmë shtëpi të reja më të bukura dhe më moderne, dhe t’i kemi ato të parrezikuara. Ne nuk do t’i humbasim pasuritë tona të fituara, por do t’i shfrytëzojmë ato. Ne do t’i dorëzojmë të drejtat tona të mira vetëm për të drejta më të mira. Ne nuk do të sakrifikojmë zakonet tona të dashura, por do t’i rigjejmë ato. Ne nuk do të largohemi nga shtëpia jonë e vjetër pa u përfunduar shtëpia e re. Do të largohen vetëm ata që janë të sigurt për ta përmirësuar gjendjen e tyre; së pari shkojnë të dëshpëruarit, pastaj të varfrit; pastaj ata që kanë me bollëk dhe, të fundit, të pasurit. Ata që shkojnë paraprakisht do të ngrehen në një shkallë më të lartë, të barabartë me ata, përfaqësuesit e të cilëve do të pasojnë së shpejti. Kështu eksodi do të jetë në të njëjtën kohë një ngritje e klasës. Largimi i hebrenjve nuk do të përfshijë çrregullime ekonomike, e as kriza e përndjekje; në fakt, për vendet që braktisin ata, do të fillojë një periudhë e re prosperiteti. Do të ketë një migrim të brendshëm të qytetarëve të krishterë në pozicionet e dorëzuara nga hebrenjtë. Largimi do të jetë gradual, pa asnjë dridhje, madje edhe lëvizja e tij fillestare do t’i japë fund antisemitizmit. Hebrenjtë do të largohen si miq të respektuar dhe nëse disa prej tyre kthehen, ata do të pranohen në të njëjtën mënyrë dashamirëse dhe do të trajtohen si qytetarët e tjerë të shteteve të huaja. Ky eksod nuk do të jetë një arratisje, por do të jetë një lëvizje e rregullt nën kontrollin e opinionit publik. Lëvizja jo vetëm që do të bëhet në përputhje absolute me ligjin, por ajo mund të implementohet vetëm edhe me bashkëpunimin miqësor të qeverive të interesuara, të cilat kanë përfitime esenciale prej saj. Për sigurimin e integritetit të idesë dhe për fuqinë e zbatimit të saj janë të nevojshme garanci, që gjenden vetëm në personat e ashtuquajtur “moral” dhe “juridik”. Unë do t’i dalloj këto dy emërtime që shpeshherë ngatërrohen në gjuhën juridike. Si person moral (korporatë) [moralische Person], i cili do të jetë subjekt i të drejtave jashtë sferës së pronës private, e vendos “Shoqërinë e Hebrenjve” [Society of Jews]. Krahas saj do të ekzistojë personi juridik [juristische Person] i Kompanisë Hebraike [Jewish Company], një organ ekonomikisht fitimprurës. Individi që do të përpiqej të ndërmerrte i vetëm këtë detyrë të madhe, do të ishte ose mashtrues ose i çmendur. Karakteri personal i anëtarëve të korporatës do ta garantojë integritetin e saj dhe kapitali adekuat i kompanisë do të provojë stabilitetin e saj. Këto vërejtje paraprake janë të menduara vetëm si përgjigje të nxituara ndaj masës së kundërshtimeve, të cilat me siguri duhet të zgjohen nga fjalët “Shteti hebraik”. Tani e tutje ne do të vazhdojmë të konfrontohemi me më shumë qetësi me kundërshtimet e mëtejme, disa kundërshtime t’i luftojmë dhe të shpjegojmë me detaje më të hollësishme atë që gjer tani vetëm është sugjeruar; ne do të përpiqemi, po ashtu, në interes të këtij pamfleti që ta shmangim bërjen e tij ekspozitë të plogësht. Kapitujt e shkurtër aforistikë do t’i shërbejnë më së miri një qëllimi të tillë. Nëse dua ta zëvendësoj një ndërtesë të vjetër me një ndërtesë të re, së pari duhet ta shkatërroj të vjetrën e pastaj ta ndërtoj të renë. Prandaj, do t’i përmbahem kësaj rrjedhe racionale. Në pjesën e parë dhe të përgjithshme do t’i shpjegoj konceptet e mia, do t’i heq të gjitha idetë e shurdhra dhe të vjetruara, do të konstatoj kushtet thelbësore politike dhe ekonomike dhe do të zhvilloj planin.
Në pjesën e posaçme, e cila është e ndarë në tri pjesë kryesore, do ta paraqes zbatimin e këtij plani. Këto tri pjesë janë: Kompania Hebraike, Grupet Lokale dhe Shoqëria e Hebrenjve. Shoqëria do të krijohet e para, Kompania e fundit; por në këtë projekt është i rekomandueshëm rendi i kundërt, sepse kundër qëndrueshmërisë financiare të ndërmarrjes do të ngrehen dyshimet më të mëdha, të cilat, pra, duhet të hiqen që në fillim. Në konkluzion do të përpiqem të sjell çdo kundërshtim tjetër që mund të hamendësohet. Shpresoj që lexuesit e mi hebraik të më përcjellin me durim deri në fund. Disa natyrshëm do t’i bëjnë kundërshtimet e tyre me një radhë tjetër se ajo e zgjedhur për përgënjeshtrimin e tyre. Por, kushdo që konsideron se janë mposhtur dyshimet e tij, duhet të deklarohet pro kauzës. Megjithëse flas për arsyen, unë jam plotësisht i vetëdijshëm se vetëm arsyeja nuk do të mjaftojë. Të burgosurit e vjetër nuk largohen nga birucat e tyre me dëshirë. Ne do të shohim nëse rinia, për të cilën kemi nevojë, është në lartësinë e misionit të saj – rinia, të cilën e vjetra e rrëmben me vete, i nxjerr jashtë me tërë fuqinë argumentet logjike dhe i shndërron në entuziazëm.
Pjesa e përgjithshme
Çështja hebraike
Askush nuk mund ta mohojë situatën e rëndë të hebrenjve. Në të gjitha vendet ku jetojnë në një numër të konsiderueshëm, ata janë pak a shumë të persekutuar. Megjithëse të drejtat e barabarta ekzistojnë ligjërisht ato, në fakt, shfuqizohen pothuajse kudo. Atyre u është marrë e drejta të kenë funksione madje edhe mesatarisht të larta, qoftë në ushtri, qoftë në ndonjë pozitë publike apo private. Gjithashtu, bëhet fjalë për largimin e tyre nga bota e biznesit: “Mos blini nga hebrenjtë!” Sulmet në parlamente, në asamble, në shtyp, në foltore të kishave, në rrugë, në udhëtime – për shembull, përjashtimi i tyre nga hotele të caktuara – madje edhe në vendet e rekreacionit, bëhen gjithnjë e më të shumta. Format e persekutimit ndryshojnë karakterin në varësi nga vendet dhe qarqet sociale, në të cilat ndodhin ato. Në Rusi, teksa u vihet zjarri fshatrave hebraike, në Rumani, disa persona vriten; në Gjermani, ata herë pas here marrin nga një rrahje të mirë; në Austri, antisemitët terrorizojnë të gjithë jetën publike; në Algjeri, ka agjitatorë ambulant; në Paris, hebrenjtë janë mbyllur nga të ashtuquajturat qarqe më të mira sociale dhe përjashtohen nga klubet. Nuancat e ndjenjës antihebraike janë të panumërta. Por, këtu s’do të bëjmë përpjekje për të bërë një kategorizim të dhimbshëm të ankesave hebraike. Ne nuk duam të merremi me hollësitë sado të dhimbshme të jenë ato. Nuk kam ndër mend të zgjoj emocione simpatie për ne. Ky do të ishte një veprim i marrë, i kotë dhe i padenjë. Unë do të mjaftohem t’ua parashtroj hebrenjve pyetjet e mëposhtme: A nuk është e vërtetë që, në vendet ku jetojmë në një numër të dukshëm, gjendja e avokatëve, mjekëve, teknikëve, mësuesve dhe punonjësve hebraikë e të gjitha llojeve bëhet çdo ditë më e padurueshme? A nuk është e vërtetë që klasat e mesme hebraike kërcënohen rëndë? A nuk është e vërtetë që të gjitha pasionet e turmës nxiten kundër njerëzve tanë të pasur? A nuk është e vërtetë që të varfrit tanë durojnë vuajtje shumë më të mëdha se çdo proletariat tjetër? Besoj se ky presion i jashtëm është i pranishëm kudo. Në klasat më të larta ekonomike të hebrenjve kjo shkakton parehati, në klasat tona të mesme ankthe të vazhdueshme dhe të rënda, në klasat tona të ulëta dëshpërim absolut. Në fakt, gjithçka çon në një përfundim të njëjtë, e kjo mund të përmblidhet me atë frazën klasike të Berlinit: “Juden raus” (Hebrenjtë jashtë!) Tani do ta formuloj çështjen hebraike në formën më konkrete të mundshme: A duhet të “dalim jashtë” tani dhe ku të vemi? Apo mund të qëndrojmë ende? Dhe sa kohë? Le të shqyrtojmë së pari çështjen e qëndrimit. A mund të shpresojmë për ditë më të mira, a mund t’i zotërojmë shpirtrat tanë në durim, a mund të presim me nënshtrim të devotshëm derisa princat dhe popujt e tokës të kenë më shumë mëshirë për ne? Unë them se nuk mund të presim një përmbysje në rrjedhën e rrymës. E pse jo? Edhe sikur të ishim po aq pranë zemrave të princërve sa edhe qytetarët e tjerë, princat nuk do të mund të na mbronin. Ata do të nënshkruanin urrejtjen popullore, nëse do të tregonin tepër favor ndaj hebrenjve. E me këtë “tepër” duhet nënkuptuar më pak sesa ka të drejtë çdo qytetar i zakonshëm apo çdo fis. Popujt, në mesin e të cilëve jetojnë hebrenjtë, të gjithë janë fshehurazi ose haptazi antisemitë. Popullit të thjeshtë i mungon të kuptuarit historik dhe ai nuk mund ta ketë atë. Ai nuk e di se mëkatet e Mesjetës tani bien mbi popujt evropianë. Ne jemi ajo që na bëri getoja. Ne pa dyshim kemi arritur përparësi në biznes, sepse kushtet mesjetare na shtynë drejt saj. I njëjti proces po përsëritet tani. Ne përsëri detyrohemi t’i përkushtohemi biznesit, që tani quhet bursë, duke na përjashtuar nga të gjitha profesionet e tjera. Por, duke qenë në bursë të aksioneve, kjo prapë bëhet burim i ri i përbuzjes sonë. Në të njëjtën kohë ne vazhdojmë të prodhojmë një bollëk intelektualësh mesatarë të cilët nuk kanë fonde dhe kjo rrezikon pozicionin tonë social po aq sa pasuria jonë në rritje. Hebrenjtë e arsimuar pa mjete tani po bëhen me shpejtësi socialistë. Prandaj, ne jemi të sigurt se do të vuajmë shumë rëndë në luftën midis klasave, sepse qëndrojmë në pozicionet më të ekspozuara në kampet e socialistëve dhe kapitalistëve.
(Marrë nga numri i 12 i revistës “Akademia”. Përktheu: Kristë K. Shtufi)