Shteti ka mjete financiare për festimin përvjetorit të Pavarësisë
Për mënyrën shpenzimit të mjeteve financiare të fondit rezervë nga ana e Qeverisë Haradinaj, shpeshherë ka pasur kritika nga shoqëria civile për shterjen e këtij fondi në mënyrë jo të drejtë. Për vitin që lamë pas, kjo qeveri ka harxhuar fondin e kësaj kategorie prej 6 milionë e 100 mijë euro, ndërsa për dy muajt e parë të vitit 2020, fondi i rezervës është 1.2 milion euro, i paraparë nga 1/12 e ligjit të buxhetit 2019.
Në janar të këtij viti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë në dorëheqje, janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 250 mijë euro nga nën-programi për shpenzime të pa parashikuara për përkrahjen e koalicionit Global Kundër ISIS/DAESH.
Zëvendësministri në detyrë i Financave, Fatmir Gashi thotë në një intervistë për KosovaPress se edhe pse nuk është miratuar buxheti për vitin 2020, këto mjete të cilat u ndanë ditë më parë për koalicionin Global Kundër ISIS-it në vlerë prej 250 mijë euro janë ndarë nga fondi rezervë që aktualisht është 1 milion e 200 mijë euro nga 1/12 e ligjit të buxhetit për vitin 2019.
Gashi thotë se për vitin që lamë pas është shpenzuar e tërë rezerva në vlerë prej 6 milionë e 100 mijë euro.
“Në atë fond kanë mbetur mjete sikur krejt fondet tjera, 1/12 e tij është edhe në këta dy muajt të parë. 1/12 e fondit që ka qenë 6 milionë e 100 mijë që i bie diku 600 mijë euro janë për muajin e parë të këtij viti për t’u shfrytëzuar, ato mund të shfrytëzohen, por nuk do të thotë që duhet të shfrytëzohen për gjithçka, por mund të shfrytëzohen për rastet kur ka nevojë”, deklaron Gashi.
Për mënyrën dhe shumën e shpenzimit të parave nga rezerva, Gashi thotë është vazhdimësi e qeverive parapake. Kur kanë mbetur edhe më pak se një muaj deri në festimin e përvjetorit të 12-të të pavarësisë së Kosovës, Gashi thotë se mjetet financiare do të sigurohen nga rezerva, por që nuk tregon se sa është ajo shumë.
Për vitin paraprak, Qeveria kishte paraparë 600 mijë euro për festimin e përvjetorit të Pavarësisë.
“1/12 e buxhetit është e ndarë, dhe për 17 Shkurt i kemi mjetet, nuk është problem për ato mjete. Ka mjete për festimin pavarësisë. Është e paraparë me 1/12 e buxhetit. 600 mijë euro janë për muajin e parë edhe 600 mijë për muajin e dytë, kështu që nuk ka problem për festimin”, thotë Gashi.
Duke folur për projektin e shumëpërfolur të autostradës së Dukagjinit, zëvendësministri Gashi thotë se në draftimin e buxhetit 2020 nga ana Ministrisë së Financave, ky projekt është paraparë për projektim dhe fizibilitet, por jo edhe për ndërtim.
“Unë sa e di, projekti i autostradës së Dukagjinit me këtë projektbuxhet është i paraparë vetëm në pjesën e projektimeve, fizibilitetit, e jo si autostradë për ndërtim. Pa përfunduar faza e fizibilitetit, ndikimi socio-ekonomik i asaj autostrade, dhe pa u plotësuar të gjitha këto kritere, nuk mund të flitet ende për ndarjen e mjeteve buxhetore për autostradë”, thotë Gashi.
Kujtojmë se për autostradën e Dukagjinit, dy partitë që po tentojnë të bëjnë koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV e LDK, janë shprehur kundër ndërtimit të saj. Ato janë shprehur në favor të zgjerimit të rrugës aktuale.