Shteti ku s’do numërohen më rastet e Covid: Tani të mësohemi të jetojmë me të!
Singapori është shteti që do ndalojë numërimin e rasteve ditore me të infektuar me koronavirus. Në vend të këtyre llogarive në shifra ditore, është vendosur që të ketë monitorim vetëm për të shtruarit në spitale, pacientët në kujdesin intensiv dhe viktimat.
Kërkesa u bë nga ministrat e Financave, Biznesit dhe Shëndetësisë së Singaporit si pjesë e vizionit të një normaliteti të ri, nisur edhe nga studimet mbi vaksinat që thuhet se e zvogëlojnë ashpërsinë e sëmundjes.
“Ne nuk mund ta zhdukim Covid, por ne mund ta kthejmë pandeminë në diçka shumë më pak kërcënuese, si gripi dhe të vazhdojmë jetën tonë”.
Duke përshkruar vizionin e tyre për të ardhmen e pandemisë Covid, ministrat thonë se virusi do të kalojë nga pandemi në endemi pasi vaksinat dhe trajtimet e përmirësuara zvogëlojnë ashpërsinë dhe ulin gjasat për raste vdekjesh. Kjo do të thotë se do të bëhet pjesë e jetës së përditshme, e ngjashme me mënyrën se si aktualisht trajtojmë gripin.
“Për shkak se shanset për t’u sëmurë shumë nga gripi janë kaq të ulëta, njerëzit jetojnë me të dhe duhet të sillemi njëjtë me Covid,” shkruajnë ministrat në një editorial të përbashkët për Straits Times.
Sipas planit, testimet e shpejta do të funksionojnë më shumë në kufij. Ato do të ripërdoren në masë më të gjerë në rast se do të ketë një tjetër valë virusi.
Singapori është vlerësuar si një prej vendeve me reagimin më të suksesshëm ndaj Covid. Deri më tani ka shënuar vetëm 62,000 raste infeksioni dhe 36 viktima.
Kjo falë mbylljeve të rrepta të kufijve, testimit masiv dhe gjurmimit të kontakteve, së bashku me rregulla të tjera si mbajtja e maskave në publik dhe ndalimet e tubimeve të mëdha.