​Shteti paguan terroristë

13 gusht 2023 | 13:33

Rreth 800 mijë euro ka shpenzuar shteti vitin e kaluar për të paguar pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.

Serbët e sistemuar në institucione të Kosovës bazuar në marrëveshjen e Brukselit, po vazhdojnë të paguhen edhe pse nuk shkojnë në punë. 129 serbë të kësaj organizate, e cila është shpallur terroriste nga Qeveria, janë paguar për çdo muaj vitin paraprak.

Opozita e ka cilësuar skandaloze këtë gjendje, ndërsa ekspertë të sigurisë, kanë thënë se qeveria do të duhej të verifikonte listat e punonjësve. Nga qeveria nuk kanë kthyer përgjigje, nëse pagesa të tilla po vazhdojnë edhe gjatë këtij viti.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka thënë “Kosovapress”-it se janë 129 persona të punësuar, bazuar në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Në përgjigjen me shkrim ka bërë me dije se të gjithë këta punonjës janë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Po ashtu, thuhet se janë dy ministri të cilat kanë ndërprerë pagesat për këta serbë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka konsideruar skandaloze çështjen e pagesave të serbëve.

Zemaj ka thënë se Kosova duhet ta rregullojë këtë çështje në tavolinën e bisedimeve.

Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka konsideruar se qeveria duhet të dalë me sqarime, meqë nuk ka logjikë juridike që e pranon financimin e pjesëtarëve terroristë.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se qeveria duhet t’i pastrojë këto lista të punonjësve që bëjnë pjesë në “Mbrojtjen Civile”.

Pagesat e këtyre punonjësve bëhen në kuadër të marrëveshjes Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel në vitin 2013, ku qëllimi ishte për integrimin e pjesëtarëve të komunitetet jo-shumicë.

Përpos “Mbrojtjes Civile” (Civilna Zasita), Qeveria e Kosovës ka shpallur terroriste edhe organizatën “Brigada e Veriut” (Severna Brigada).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka njoftuar se inspektorët…