Shteti që po mbyll furrat e bukës
Kostot e larta të energjisë kanë çuar shumë kompani greke në stanjacion. Furrat e bukës kanë marrë një goditje të fortë, për shkak të rritjes së lartë të faturave të energjisë elektrike dhe gazit natyror.
Tassos Vazakas ka në pronësi një furrë buke në Athinë dhe ka 28 punonjës. Gjatë vitit të fundit sipërmarrësi dhe bukëpjekësi është përballur me një situatë të paprecedentë. Dikur paguante rreth 1000 euro për gazin natyror, por tani fatura i kalon 5000 euro, transmeton euronews, përcjell albinfo.ch.
“Kjo është fatura e fundit. Shuma totale i kalon 5000 euro dhe po të mos kishte subvencionim nga shteti do të arrinte në 6000 euro. Një vit më parë kam paguar rreth 1000 euro për gazin natyror. Kjo është një rritje që nuk mund ta përballojmë, që nuk mund të paguajmë. Sinqerisht nuk di çfarë të bëj. E gjithë kjo, është përtej durimit tim”, u shpreh Tasos Vazakas, bukëpjekës, pronar i furrës.
Qeveria subvencionon 40 cent për çdo kilovat orë energji elektrike të konsumuar nga një furrë buke. Profesionistët njohin mbështetjen e shtetit, por kërkojnë edhe rritjen e subvencionit të gazit natyror dhe uljen e TVSH-së nga 13% në 6%.
Siç argumentojnë ata, përveç kostove të larta të energjisë, ata duhet të përballen edhe me rritjen e kostos së lëndëve të para.
“Rritjet e çmimeve të mallrave dhe lëndëve të para në disa raste arrijnë në 100%. Për shembull çmimi i miellit është dyfishuar, të gjitha produktet e qumështit janë rritur me 60%. Edhe çmimi i vezëve është dyfishuar. Ku do të shkojë kjo?”, tha më tej bukëpjekësi.
Përveç bukës dhe disa ëmbëlsirave, kjo furrë buke ofron edhe ushqime të tjera.
Vaia Chroni ka kaluar 35 vite në kuzhinë. Si kuzhiniere profesioniste dhe si amvise, kjo është rritja më e lartë e çmimit që mund të kujtojë. Çdo javë në supermarket, ajo shpenzon gjithnjë e më shumë para për të blerë mallra bazë.
“Gjithçka është bërë kaq e shtrenjtë! Është rritur çmimi i vajit të ullirit dhe nuk mund të blejmë më mish. Fileto pule ka arritur 10 euro, viçi është mbi 12 euro. Kush mund të blejë me çmime të tilla? Asnjë familje nuk mund ta mbushë frigoriferin”, u shpreh kuzhinieri Vagia Chroni.
Federata e furrave të bukës argumenton se 10 deri në 15% e anëtarëve të saj po luftojnë për të mbijetuar. Sindikalistët pretendojnë se rreth 300 furra buke do të mbyllen menjëherë pas Krishtlindjeve.