Shteti shqiptar nuk mund të heshtte para ngjarjeve të vitit 1981
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (8)
Shkruan: Bedri Islami
Ishte një periudhë kur, pa lënë mënjanë edhe ndikimin e shtetit, te njerëzit e të gjitha shtresave mori hov zhvillimor ndjenja kombëtare shqiptare. Ndjenjë e cila do të ripërsëritej edhe një herë në vitet e luftës çlirimtare në Kosovë. Nuk mund të mohohet se në fillimin e viteve ’80, më shumë se gjithçka, ishte vënë në lëvizje gjithë makineria e shtetit, të gjitha strukturat e tij dhe, pavarësisht faktit nëse kjo bëhej për “patriotizëm demagogjik” apo ishte e konceptuar kështu (çfarë do të trajtohet më tej), kjo pati një rol jashtëzakonisht të ndjeshëm në mentalitetin e kombit.
Ndodhi edhe një fenomen tjetër, i cili, krahas doktrinës zyrtare apo qëndrimit zyrtar, kishte pjesën e tij të ndikimit, në jo pak raste, edhe më të fuqishëm se vetë shteti.
Në pranverë-vjeshtën e vitit 1981 në të dyja anët e pjesëve shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, regjimet e kohës, jo pa paramendim dhe pa ia lënë në dorë kaotizmit dhe spontanitetit, u hodhën njëherësh në veprime gjithçka ata menduan se ishte më e vlefshme dhe më e pranueshme. Megjithatë, në të dyja anët, por në kahe të kundërta, nuk munguan as reagimet spontane të cilat ose nuk ishin planifikuar ose ishin përllogaritur si tjetër gjë.
Regjimi i Beogradit dhe i Prishtinës solli në skenën e re të thyerjes përgjithësisht figura të vjetra politike, të cilat, dashur-padashur, kishin ende ndikim. Mendohej se fjala e tyre do të ishte përfundimtare. Por, tashmë, koha e tyre kishte shkuar.
Njëri pas tjetrit, në mbledhjet e mëdha të diferencimit, filluan të dalin figurat e njohura të Fadil Hoxhës, Veli Devës, Xhavit Nimanit, Sinan Hasanit, një grup gazetarësh te “Rilindja”, për të shkuar deri te figura groteske dhe njëkohësisht të përçudtshme, si ajo e Kolë Shirokës. Ky ishte skalioni i parë, ose “arsenali i rëndë” i betejës së Beogradit përmes Prishtinës. Ndërsa tek skalioni i dytë, i përllogaritur edhe ai, filluan të duken nëpër mbledhjet e gjata, gjithfarë hulumtuesish, sekretarësh,gjurmuesish, hetuesish, gjyqtarësh, për të arritur, si shkrova më sipër, deri tek thirrja patetike e një farë Dushan Ristiçi se “kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”. Thirrja e tij, në të vërtetë, nuk ishte asgjë tjetër, veçse pranim i disfatës dhe ankthi për të nesërmen.
Këto figura politike, që u bënë zëdhënës të pushtetit të Beogradit, nuk kishin emër të mirë në Shqipëri. Me të drejtë ata konsideroheshin, ashtu si ishin, zëdhënës të regjimit titist dhe shtypës të popullit të tyre. Duke parë se cilët po dënonin një kërkesë të drejtë, ishte e natyrshme të pasurohej mendimi se të rinjtë e Kosovës duheshin mbështetur.
Në Tiranë ndodhi diçka tjetër. Figurat politike të kohës qëndruan në heshtje. Në fund të fundit, qoftë edhe pa nënshkrim, i pari i tyre kishte folur, dhe njerëzit e dinin fort mirë se kush qëndronte pas shkrimeve të gjata te “Zëri i Popullit”. Zakonisht, kur fliste i pari i tyre, të tjerët heshtnin. Hysni Kapo kishte dy vite që kishte vdekur. Disa muaj më pas, Mehmet Shehut do “i nxirrte koka tym” dhe do të përfundonte në (vet)vrasje, një ngjarje ende e pambyllur. Sidoqoftë, si ka pohuar shumë vite më pas Ramiz Alia, në Byronë Politike, njeriu më i ashpër kundër serbëve, ishte vetë Enver Hoxha. Jo rrallë, shfryrja ose dyshimi i tij rreth gjithçka që lidhej me Beogradin ishte deri në patologjike. Pas besimit të madh që ai kishte pasur tek ta, sidomos deri në tetorin e vitit 1947 kur ata kishin kërkuar zëvendësimin e tij me vllaho-maqedonasin Xoxe, gjithçka që do vinte më pas do të lidhej me dyshimin e tij.
Shteti shqiptar, duke i bërë të heshtë drejtuesit e vet, të cilët për hir të së vërtetës, me përjashtimin e dy ose tre vetëve, nuk kishin as aftësitë e duhura për të folur, hodhi në veprim, nëse mund të thuhet kështu, ata që kishin një reputacion të gjerë në Kosovë. Qoftë mjeshtër të mendimit shkencor, qoftë njerëz të shquar të pendës, apo figura mitike si Çabej e Buda, Dhimitër Shuteriqi, Androkli Kostollari, Arben Puto, Çesk Zadeja, Dalan Shapllo, Luan Omari, Kadare, Agolli, Arapi, Pollo, Jorgaqie Jakov Xoxe. Ndërsa polemika zyrtare nga ana e shtetit shqiptar nuk heshti, angazhohet,njëkohësisht, tërë fuqia intelektuale e vendit, në formë institucionale dhe individuale, që nga zyrat më të larta të shtetit dhe deri tek gazetat më periferike. Radiotelevizioni i Shqipërisë dhe gazeta “Zëri i Popullit” mbajtën barrën më të madhe. Përballë kryqëzatës serbe, e cila përgjithësisht dhe kryesisht ishte përqendruar tek figurat politike në të gjashtë republikat dhe në dy krahinat e atëhershme, dolën autoritetet më të larta të mendimit dhe këta ishin shumë më të besueshëm se sa të gjithë politikanët e Prishtinës e Beogradit. Ata ishin më të besuar jo vetëm në Shqipërinë londineze, por edhe në Kosovë.
Është interesante parathënia e shkurtër e një libri për Kosovën, i cili doli më pas dhe që u nënshkrua, si rrallëherë ose më saktë, si asnjëherë, nga Aleks Buda, Alfred Uçi, Arben Puto, Çesk Zadeja, Dalan Shapllo, Dritero Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Luan Omari, Sofokli Lazri, Stefanaq Pollo dhe Zija Xholi, pra të gjithë autoritetet më të rëndësishme shkencore të kohës. Në këtë parathënie, mes të tjerash, do të lexohej:
Shkrimet që përmban kjo përmbledhje “Ç’thonë dhe ç’kërkojnë kosovarët”e pasqyrojnë drejtë dramën kosovare.
Ne nuk duam të flasim në emër të intelektualëve kosovarë. Ata dinë ta mbrojnë vetë kauzën e popullit të tyre, dinjitetin e personalitetin e tyre si njerëz dhe si intelektualë. Ata i përkasin një populli, që nuk kërkon mëshirë e lëmoshë. I përkasin një formimi kulturor historik, që i bën të jenë të papërkulur përpara dhunës, shtypjes e arbitraritetit. U përkasin atyre njerëzve, që në kohët e sotme luftojnë për aspiratat më të larta e më të ndritura të popujve, siç janë liria, barazia,demokracia e të drejtat e vërteta njerëzore […]
Nuk kishte ndodhur asnjëherë kjo, por, po ashtu, nuk kishte ndodhur asnjëherë që njerëzit të mos i besonin korifejve të mendimit të tyre. Prandaj edhe gjithçka ishte shumë më e besuar, shumë më e prekshme dhe kaq njerëzore. Kjo depërtoi tek njerëzit dhe nuk ka lidhje me qëllimet që mund të ketë pasur shteti shqiptar i asaj kohe.
Janë pikërisht ngjarjet e vitit 1981 dhe ndjenjat që u ngjallën atëherë tek njerëzit e zakonshëm, të cilët sollën faktin e madh, që në demonstratat e para madhore të studentëve të dhjetorit 1990, të cilat ishin kundër regjimit dhe kundër sistemit, do të lartësoheshin portretet e Kadaresë dhe të Rexhep Qosjes, si bashkudhëtarë të mendimit dhe, njëkohësisht, të qëndresës.
Nga ana tjetër, do të ishte pikërisht qëndrimi i theksuar atdhetar i intelektualëve shqiptarë të Shqipërisë londineze në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare në Kosovë, që do u jepte zemër njerëzve që kishin filluar një betejë për të fituar një luftë. Kjo do e bënte, më pas, njërin ndër korifejtë e lëvizjes të vazhdueshme ilegale, Afrim Zhitinë, që jo rastësisht të kishte si emër të luftës pseudonimin “Ismaili” dhe nipit të tij t’i vinte emrin “Dritëro”.
Ky ishte reagimi i njerëzve të zakonshëm. Sot, duke paragjykuar gjithçka, mund të thuhen shumë gjëra të ndryshme. Unë e kam përjetuar intensivisht atë kohë, si qytetar dhe si gazetar. Jam, si të thuash, pjesë e dëshmisë që vjen nga poshtë. Nëse dikush, veç fjalëve, do të mund të paraqiste fakte të vërteta historike, që hedhin poshtë mendimin tim, atëherë, unë do e rishikoja atë. Por unë kam qenë pjesë e demonstrimeve spontane atdhetare të njerëzve të zakonshëm dhe të intelektualëve shqiptarë, për të cilët Kosova ishte e shenjtë. Jo rastësisht, në janarin e vitit 1991, e para organizatë atdhetare që krijohet në qytetin e Shkodrës dhe në të gjithë Shqipërinë, ishte organizata “Kosova” dhe, jo rastësisht, unë isha një ndër themeluesit e saj.
Megjithatë, gjithë çka ndodhur në Shqipëri, për vetë kushtet e sistemit dhe centralizimit, kishte lidhje me shtetin shqiptar. Nuk mund të perceptosh sot se mund të bëhej diçka, qoftë edhe e zakonshme, e të dilte jashtë strukturave të ngritura, që shtriheshin nga selia e Komitetit Qendror dhe deri tek njësitë më të parëndësishme.
Shteti shqiptar nuk mund të heshtte para ngjarjeve të vitit 1981. “Përkrahja e shtetit shqiptar për protestat e popullit në Kosovë ishte pjesë e detyrës së tij. Nga kjo detyrë ai nuk mund të shmangej, përveçse duke vënë në dyshim zotimin e vet kombëtar. Ose duke deklaruar dobësinë e pafuqinë e tij,” nënvizon studiuesi i njohur Shaban Sinani.
Kjo është edhe e vërteta. Nëse shteti shqiptar do të kishte heshtur, ai, njëkohësisht, do të kishte humbur edhe çfarëdo lloj vlere në vetë popullin e tij, kur, për më shumë, nuk ishte hera e parë që shteti shqiptar hynte në polemika të tilla me shtetin jugosllav. Megjithëse që nga viti 1974 vërehej një farë heshtjeje në polemika, kishte pasur vite të tjera, të mëhershme, në të cilat shteti shqiptar ishte angazhuar me të gjithë potencialet e tij. Pra, kjo nuk do të ndodhte për herë të parë.
Si është vënë në dukje vitet e fundit, nga disa studiues,në letërsinë politike, jo pa qëllim, e me raste edhe nga shkalla e njohjes apo e përjetimit, është përhapur mendimi se shteti shqiptar i periudhës komuniste dhe vetë Enver Hoxha i shfrytëzuan ngjarjet tronditëse dhe të përgjakura të Kosovës “për të krijuar vlerat e një patriotizmi demagogjik ose të një patriotizmi të rremë”.
Mund të ketë qenë kështu. Askush nuk mund të futej në mendjen e një njeriu që, duke qeverisur me dorë të hekurt, ishte krejt i mbyllur, si një enigmë e pazgjidhur kurrë.
Sidoqoftë, ka shumë gjëra që duhen parë qetësisht.
Ka të paktën dy arsye të rëndësishme për të besuar se e gjithë ajo, që u ngrit dhe u bë gjatë vitit 1981 dhe më pas, nuk kishte qenë një shfaqje e rremë patriotizmi. Së pari, është rasti të krahasohet përmbajtja e debateve publike të shtetit shqiptar me pjesën e pashfaqur të kësaj polemike, e cila gjendet kryesisht në ditarët e Enver Hoxhës dhe në protokollet e mbledhjeve të Byrosë Politike. Nga ky krahasim del se udhëheqja e lartë e shtetit komunist, edhe në bisedat e brendshme, si në mbledhjet e Byrosë apo të Sekretariatit të Komitetit Qendror, ka diskutuar me të njëjtat teza. Nuk mund të besohet se kjo udhëheqje ka dashur ti bëjë edukatë patriotike vetes, apo të krijojë patriotizëm demagogjik për veten.
Së dyti, pikërisht në këtë periudhë shteti shqiptar e merr shumë seriozisht konfliktin për Kosovën dhe ndërmerr veprime në fushën diplomatike. Kësaj periudhe i përket nisma e E. Hoxhës për të zbutur tensionet me fqinjët jugorë, ndërsa viziton Shqipërinë një nga figurat më të njohura të politikës gjermane, Shtraus. Asokohe, Gjermania kishte të njëjtin problem si Shqipëria, ndarjen e vet. Ndonëse ndarja kishte ndodhur më vonë, bashkimi shihej si një mundësi më e largët. Sidoqoftë, politikanët gjermanë e kishin të domosdoshëm një precedent të tillë në Europë, pra një ndryshim të kufijve të pas-Luftës së Dytë Botërore. Kjo do të përbënte një lehtësi të rëndësishme për ta. Askund tjetër nuk mund të krijohej një precedent i tillë më lehtë se në rastin shqiptar. (Vijon)