Shteti zviceran: Kosovarët s’kanë sjellë vetëm përshëndetjet nga vendlindja, por edhe virusin
Rreth një e treta e infeksioneve me koronavirus aktualisht në Zvicër kanë hyrë nga jashtë, gjegjësisht janë sjellë nga ata që kthehen prej pushimeve.
Për këtë arsye, Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) u bën thirrje urgjente udhëtarëve që kthehen të testohen, edhe nëse nuk kanë simptome.
Fjala është për ata që nuk janë vaksinuar ose shëruar. Por ajo nuk ka planifikuar ndonjë masë të mëtejshme ndërsa testet vazhdojnë të jenë pa pagesë.
Në kantonin e Cyrihut, për shembull, rreth 30 për qind e infeksioneve aktualisht u faturohen njerëzve që kthehen nga pushimet – me tendencë rritjeje. Shumica e infeksioneve janë marrë në vendet e pushimeve si në Spanjë, Greqi, Qipro dhe Kosovë, raporton “Neue Zürcher Zeitung”.
Kur bën fjalë për Kosovën si burim infeksionesh, gazeta, veç tjerash shkruan se “Në Kosovë, për shembull, më pak se 10 përqind të njerëzve janë vaksinuar dy herë, dhe varianti delta nuk ka shpërthyer vetëm në Zvicër”.
“Shumë kosovarë kanë shfrytëzuar këtë verë për të vizituar më në fund miqtë dhe familjen”, vazhdon gazeta. “Mirëpo, në udhëtimin e tyre të kthimit, disa prej tyre nuk kanë sjellë me vete vetëm përshëndetjet nga vendlindja por edhe virusin”, transmeton albinfo.ch
Në Cyrih, aktualisht janë kryesisht të rinjtë në mesin e të infektuarve të fundit shumica prej tyre nën moshën 40 vjeçare, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, është e vështirë të përcaktohet se ku është infektuar dikush. Në Cyrih, infeksionet ndodhin rrallë në jetën e natës, ndërsa në Bazel ky burim është përgjegjës për rreth një të katërtën e infeksioneve.