Shtigjet e fatit në sintezën e ndritur të kujtimeve gjithëpërfshirëse
Vështrim mbi librin “Kujtime të ndritura në kohë të errëta” të autorit Nysret Hajdari, botuar nga Shtëpia botuese “Prointegra”
Shkruan: Avni Azizi
Në qoftë se jeta dhe bota është një mrekulli e padepërtueshme e cila ngrihet dhe shpërfaqet përmes fuqisë së fjalës krijuese, fjalës sonë njerëzore, atëherë edhe krijimi i bën të dallueshme ato shenja të universit dhe bashkë me kujtimet janë ndër mrekullitë më magjike të jetës së njeriut.
Rikthimi në shpalosjen e kohëve të kaluara, në përgjithësi nuk janë ato të cilat mëtojnë të japin një shembull, një predikim, një ndërtim, apo edhe një sugjerim, por, ky qëllim përherë lë tek lexuesit të drejtën e tyre për të menduar, gjykuar, krahasuar dhe për të vlerësuar drejtë ato periudha kohore, të treguara qoftë përmes personazheve, rrjedhës së ngjarjeve apo epilogut të tyre.
Secili krijues që i transmeton kohës mendimet e shkruara sikur kërkon dy gjëra nga krijimi. Së pari ajo të jetë një objekt verbal i krijuar në mënyrë të shkathtë dhe vërtetësi mbi rregullat e këndvështrimit autentik dhe së dyti, të thuhet diçka thelbësore për realitetin e pasqyruar, por të perceptuar nga këndvështrimi unik.
Qëllimet e jetës njerëzore nganjëherë përbëhen nga shumë hapa të vegjël të cilit i kalojmë gradualisht, duke vepruar në ndryshimin e rrethanave dhe realiteteve të pa favorshme kohore e kombëtare. Dhe çdo person vjen në jetë me një qëllim të veçantë. Në kuptimin dhe besimin e tij ekziston një veprim i brendshëm intensiv për t’i transformuar gjërat dhe jetën në të mirën e mundshme, por për një shtresë njerëzish kuptimi i jetës është qëllim drejt realizimit për të krijuar, për të ndarë, e për të dhënë deri në sferat e sakrificës për të tjerët dhe kombit që i përkasin. E tillë është jeta e luftëtarit të dritës, veprimtarit të devotshëm të lirisë Nysret Hajdari.
Ishin kohët e dhunës së ushtruar serbe, kur shtypja e egër e saj po katandisej nëpër humbellat e urrejtjes njerëzore. Ishte kohë kur fati i një populli po përkundej në një kapërcyell tepër delikat, kur egërsia pushtuese e dalë si nga çmendinat, e kishte zbritur në shkallën më të ultë të parë ndonjëherë, nga sytë e botës së qytetëruar. Pikërisht atëherë, nëpër zemrat e shumë luftëtarëve të lirisë ishin zgjuar idealet më të larta të mbjella kaherë në shpirt.
Nuk ishte e lehtë ta bartësh flamurin e thirrjes dhe qëllimeve të përgjithshme, flamur ky shpesh i grisur nga stuhitë e armikut dhe erërat e mosbesimit të disa njerëzve tanë, por ky flamur përherë dhe çdo kohë i rigjeneruar nga iniciativat dhe veprimet konkrete, mbulonte fatin e errët nga një vizion në tjetrin dhe nga një shkëndijë në dritë universale. Kjo dritë sikur një erë e freskët depërtonte në hapësirat e ardhmërisë së kombit, ndër vetëdijen e shumë luftëtarëve të lirisë. Më vonë nga ky edukim i ngritur në parim jetësor do të shpërthej altruizmi dhe sakrifica për të mos kursyer asgjë nga vetvetja.
Nysret Hajdari me çiltërinë njerëzore të një njeriu shpirtbutë dhe si një moralizues e frymëzues po bëhej fanar i gjithë djemve e vashave dhe atyre që po frymonin nëpër skëterrën e shtypjes, nëpër errësirën e jetës ku pesha e prangave rëndonte mbi tragjedinë e ardhmërisë. I brumosur nga gjenetika familjare, si njohës i mirë i psikologjisë popullore e kombëtare dhe nga këto ide të ndritshme e të pasionuara axha Nysret kishte ndarë shpirtin, fjalën, besën e zemrën bashkë me bujkun, studentin, punëtorin e akademikun, ilegalin dhe veprimtarin për liri. Shtëpinë e kishte shndërruar në bazë të fuqishme të veprimtarisë ilegale dhe bashkë me djemtë e tij ishin vënë me tërë qenien në shërbim të çështjes kombëtare. Nga aty do të shpërthente revolta e vrulli ku me flamurin ngadhënjimtar të përmbysjes do të fillonin të viheshin themelet e një epopeje kombëtare që po fillonte. Shumë veprues ilegal të përmbysjes pushtuese të kohës e njihnin atë derë dhe nga ajo dilnin me vendime të qarta.
Shokë i Nysret Hajdarit ishte secili që mundohej t’i jepte diçka lirisë së atdheut. Si veprimtarë dhe udhëzues i rryer ai ishte dhe mbetet i nderuar kudo e ngado. Të tillë e njohin edhe vendlindja e tij fshati Tërpezë ku shpesh e vizitonte. Sa herë shfaqej prezenca e tij në fshat jo vetëm rinisë por të shumtëve sikur iu buzëqeshte fytyra. Me një fjalë ai ishte simbol i njeriut të lirisë dhe ura e vazhdimësisë së brezave. Nysret Hajdari tillë ka mbetur edhe sot.
Sot, lexuesi para vetës ka veprën me kujtime të autorit Nysret Hajdari. Ai edhe në këtë moshë vazhdon mjeshtërinë e përsiatjeve të komunikimit duke vazhduar melodinë tashmë veçse në një formë tjetër. Ai edhe përmes shkrimit vazhdon rrugës së rrahur me dëshirat për të vijëzuar të padukurat e kohës, të padëgjuarën të cilat i shpie deri tek kufiri i shfaqjes ashtu sikur dielli mëngjesor. Duke u përpjekur për t’i testuar kufijtë e kujtesës, rrathët e mos humbjes deri në shtresat më të përthekuara. Sikur na ngjallë para nesh shumë veprimtarë të kohës të cilët tashmë pushojnë në altarin e lirisë.
Ai përmes kësaj tabloje të plotë e të larmishme të temave dhe vështrimeve zgjon kërshërinë e lexuesit drejt horizonteve të panjohura. Përmes këtij libri jep para lexuesit një pamje të kohës dhe bashkëveprimtarëve të tij. Mendime dhe botëkuptime mbi ngjarje, dukuri, mbresa të jetës së tij, një pamje të një hapësire të përkohshme, e cila mbulon periudha të ndryshme kohore dhe hapësinore… Dhe kjo pamje shpirtërore e autorit është mbëltuar bindshëm në rrugën drejtë lirisë…në frymëzim për rrethin dhe gjithë ata që kishin dhe kanë fatin ta njohin.
Njerëzit e fortë dhe të ndershëm janë gjithmonë modest dhe unik. Madje vet fati i jetës së tyre sikur është një kaheje e lehtë e erës që u bie në fytyrë. Të tilla janë jeta edhe rrëfimet e autorit të cilat na i sjellë para nesh duke shpërfaqur ngjarje, rrethana dhe kujtime të ndryshme përgjatë kohëve. Aty jepet tabloja e plotë ashtu siç ishte e veprimtarisë së shokut, ilegalit, mikut, njeriut por edhe ajo e gardianit shpirt prishur apo atij zemërbardhë. Me dinjitet e fisnikëri tregohen organizime të cilat me vërtetësinë dhe hollësitë më të mprehta nuk i shpëtojnë autorit dhe kjo është e veçanta e këtij libri.
Një historiografi e tillë duhet thënë se vërtet i ka munguar historisë sonë të re. Këto ngjarje sikur një mozaik përbëjnë tërësinë e kompletuar dhe pa zbukurime e mënjanime të veprimtarisë sonë për çlirim dhe liri. Ky libër mund të thuhet pa hezitim se është ndër të rrallët që me përmbajtjen e tij anohet nga një sintezë gjithëpërfshirëse, sidoqoftë është unike në përmbajtjen dhe shtrirjen e saj. Autori duke përshkruar ngjarje nga jeta e tij, jetës së vendit të tij, kohën në të cilën punon dhe vepron, njerëzit dhe dukuritë shoqërore, duke mos lënë anash as varfërinë që bashkë me sundimin pushtues na rrinte mbi kokë si Shpatë Damokleu, shpesh përgjatë leximit na bën që të na mbushen sytë me lot.
Rruga e lirisë dhe veprimtarëve që ishin bartës të saj edhe nëpër këta rreshta sikur na ripërsëritë se është e vështirë dhe me gjemba. Promotorët e saj dhe shpirti i tyre nuk endeshin nëpër errësirën e verbër dhe të shurdhër të lakmisë e privilegjeve, duke mos parë as kuptimin dhe as qëllimin… Por ata vazhdonin pareshtur drejt dritës së madhe që shkëlqente para tyre.
Edhe pse nëpër disa rrëfime ndjejmë zemër thyerje, ndjesi të ngrysjes megjithatë ëmbëlsia dhe dashuria mbisundojnë dukshëm këta rreshta. Kjo vjen sikur agu i lirisë dhe gjaku i dëshmorëve të kombit me të cilët Nysret Hajdari me shumicën prej tyre ose ndanin qelitë e burgut, ose flisnin për veprimet dhe bashkëvepronin për lirinë.
Lexuesi i ri që nuk i ka përjetuar ato kohë, duhet për një çast të ndalet dhe të mendoj. Të kalosh pjesë jetë burgjeve të pushtuesit, torturave çnjerëzore të tij, të burgosesh e ri burgosesh, të humbësh shokët e idealeve, të biesh të ngrihesh dhe prapë të ri ngrihesh, të mos pajtohesh me lirinë e cunguar dhe të vazhdosh deri në frymën e fundit betimin e brezave këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit me stabilitet të lumtur të cilët rruga e aktivitetit fisnik i frymëzon përgjatë shtigjeve të fatit. E po, heronjtë të tillë ishin…Të tillë janë deri në përjetësi…
Kjo vepër është për të gjithë. Për të moshuar të cilëve u rikthen kujtesën dhe për ata të rinj që do t’i bëj për tu kujtuar. Kujtimi kulturor kolektiv i “të rinjve” ndryshon nga kujtesa e “etërve” , dhe ky libër sikur hedh mes tyre një “urë kujtese” ndoshta edhe përtej brezave e gjeneratave të cilat na vijnë nga historia.
Libri sikur e merr lexuesin dhe e shpie në një botë plotë ngjarje, duke zbuluar aty hijeshinë e saj dhe origjinalitetin përmes prizmit të fatit të njeriut. Libri është i këndshëm dhe i lehtë për t’u kuptuar, i jep lexuesit të vërtetat e thjeshta, jep ushqim që mendja të shfaqet në tërë universin e mendimeve, mëson të shohim jetën, veprimin dhe frymën e saj. Në këtë vepër çdo njeri sikur gjen një pjesë të tij, përmes faqeve dhe ngjarjeve merr përgjigjet e pyetjeve ose ai fillon t’i bëj këto pyetje…
Lexuesi do merr këtë buqetë me lule dhe në perceptimin e tij të dëshirueshëm do të kapë jo vetëm fragmente por, pa mëdyshje do ndikojnë edhe në përzgjedhjen e jetës së tij. Ky libër do hap horizonte tek lexuesi, do ndihmojnë atë në kohë e rrethana të vështira. Do ndihmojë historiografinë tonë të re në vështrimet reale… Atëherë mund të thuhet se përpjekjet dhe mundimet e autorit nuk ishin të kota, ani se jeta shpesh është e ashpër, megjithatë ajo është e lumtur në rrjedhën e saj…