Shtirja ime: Kur u ‘bëra’ Márquez!
Nga: Mario Vargas Llosa
Përktheu: Bajram Karabolli
Po udhëtoja me aeroplan nga Madridi për në Las Palmas. Stjuardesa m’u afrua dhe më tha:
– Këtu është një zotëri që ju admiron shumë, por është i turpshëm. Nuk do që t’ju shqetësojë, nuk do as t’i shkruani një autograf … Do vetëm t’ju shtrëngojë dorën. A mund të vijë dhe t’i jepni dorën?
– Sigurisht, le të vijë dhe të më japë dorën. Do të jetë kënaqësi edhe për mua.
Dhe erdhi. Ishte një zotëri relativisht i ri dhe ishte shumë i emocionuar. Pas pak, thellësisht i emocionuar, më tha:
– Shiko, ju nuk e dini se çfarë do të thotë kjo për mua, ju nuk e dini se çfarë kanë qenë librat tuaj në jetën time.
Unë ngela … Nuk dija çfarë t’i thosha. Dhe pastaj erdhi e papritura. Ai, pak a shumë, më thotë:
– …sepse Njëqind vjet vetmi më ndryshuan jetën.
Emocioni i atij njeriu ishte i një natyre të tillë sa nuk guxova t’i them: “Shiko, unë nuk jam García Márquez. Më vjen shumë keq, kërkoj falje një mijë herë, por unë nuk jam ai që mendoni ju”. Dhe i shtrëngova dorën. Kësisoj, unë në këtë rast zëvendësova García Márquezin.