Shtohen garat në Formula 1
Në botërorin e vitit 2020 do të zhvillohen 22 gara në sportin e Formulës 1, një rekord.
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka publikuar kalendarin provizor të garave të vitit 2020 dhe në të figurojnë 22 gara. Mes tyre edhe dy pista të reja: Në Holandë dhe Vietnam, ndërkohë që nga kalendari i vitit tjetër është hequr gara e Gjermanisë. Botërori 2020 do të nisë më 15 mars në Australi dhe do të përfundojë më 29 nëntor në Abu Dhabi, raporton “Telesport”. Ky shtim i garave i ka çuar në 7 javët dyshe, ku garohet çdo fundjavë, pa një javë pushim. Pistat e kombinuara për fundjavat dyshe janë: Australi-Bahrein; Holandë-Spanjë; Azerbajxhan-Kanada; Francë-Austri; Belgjikë-Itali; Singapor-Rusi dhe Amerikë-Meksikë.
Drejtuesit e Formulës 1 shpresojnë se ky shtim i garave të jetë vetëm hapi i parë, pasi objektivi i tyre është të arrihet kuota e 24 pistave. Këtë sezon numri i garave është 21. Për momentin, kalendari i vitit 2020 është provizor dhe tani u takon skuadrave ta japin mendimin e tyre deri në tetor për propozimet e bëra.