Shtohen rastet e plaçkitjeve në Rahovec, Latifi kërkon të rritet prezenca e ekipeve patrulluese policore
Rastet e fundit të plaçkitjeve, rrahjeve dhe gjuajtjeve me armë nga disa ekipe grabitësish në fshatrat e Rahovecit, kanë ngritur shqetësim te qytetarët në këtë komunë.
Për këtë, Komuna e Rahovecit, ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme për shqyrtimin e gjendjes aktuale të sigurisë në këtë komunë.
Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, ka thënë se duhet të rritet prezenca e ekipeve patrulluese në çdo cep të Rahovecit.
Ai ka theksuar se adresa kryesore e këtij problemi janë organet policore dhe ato komunale, dhe se të dyja duhet të kenë një bashkëpunim të plotë mes vete dhe në bazë të angazhimit të tyre qytetarët të ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre.
Për rastet e fundit të plaçkitjeve, komandanti i Stacionit Policor në Rahovec, Fazli Morina, ka thënë se i kanë marrë të gjitha masat dhe se janë rrugës për t’i zgjidhur.
Morina ka theksuar se angazhimi i policisë është maksimal dhe se ka shtim te patrullave në çdo zonë të prekur nga këto raste të plaçkitjeve.
Sipas tij, në vitin 2024 në këtë komunë janë regjistruar 63 vepra penale në këta dy muaj, dhe se në krahasim me vitin e kaluar janë 30 për qind raste më pak.
Morina ka thënë se janë të gatshëm të hetojnë rastet dhe të dënojnë secilin person për çdo vepër penale të kryer.