Shtohen studentët protestues në Mal të Zi

09 shkurt 2025 | 08:19

Grupi i studentëve “Kah nesër”(Kamo sjutra) ka vijuar edhe dje protestat e përditshme me bllokimin e rrugëve në Podgoricë dhe qytete tjera, duke kërkuar dorëheqjen e disa drejtuesve të sigurisë pas ngjarjes në Cetinë, në të cilën u vranë 13 persona dhe u plagosën tre të tjerë.

Ata thanë se do të organizojnë në vazhdimësi protesta të mëdha dhe se zyrtarët nga të cilët kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre “do të kenë mundësi t’i dëgjojnë, nëse nuk e kanë bërë tashmë”.

Me këtë kërcënim studentët organizuan bllokimin e urave, rrugëve dhe rreth-rrotullimeve në Podgoricë, ndërsa në mbështetje të studentëve, qytetarët organizuan bllokime të rrugëve edhe në gjashtë qytete të tjera malazeze, në Cetinë, Kotorr, Tivar, Budva, Nikshiq dhe Herceg Novi.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç tha se i respekton kërkesat e studentëve, por dorëheqjen e zyrtarëve të sigurisë, po siç tha ai e konsideron si veprim moral të tyre dhe jo të qeverisë që e udhëheq.

“Ne seriozisht i marrim të gjitha kërkesat e studentëve. Unë i kam ftuar në bisedime organizatorët e protestave, të cilët ata i refuzuan. Dorëheqjet e kërkuara më tepër janë akt moral i personave në fjalë dhe kjo gjë s’ka të bëjë me qeverinë malazeze”, tha kryeministri Spajiç.

Ai po ashtu tha se “dorëheqja është një akt i përgjegjësisë morale dhe objektive” dhe se të gjithë anëtarët e Qeverisë janë “të nënshtruar ndaj ndryshimeve pas një analize të performancës së tyre”.

Ai nuk specifikoi se kur do të përfundonte analiza e performancës së anëtarëve të qeverisë së tij, duke përfshirë ministrin Sharanoviç dhe zëvendëskryeministrin për Sigurinë, Beçiç.

Protestat me bllokime fillon me sloganin “23 minuta zhurmë” gjithnjë në orën 17:26, si simbol i kohës kur më 1 janar të këtij viti Aco Martinoviç kreu një krim tragjik në Cetinë.

Slogani “23 minuta zhurmë” i referohet 23 viktimave në dy ngjarjet e kryera në gati tre vitet e fundit në qytetin e Cetinës, 30 kilometra larg Podgoricës.

Studentët paralajmëruan se “i përkrahin qytetarët që bëjnë bllokimin në të gjitha qytetet, me kusht që të mos organizohen sipas linjave partiake” .

Studentët dhe qytetarët kërkojnë që kryeministri Milojko Spajiq të shkarkojë zëvendëskryeministrin për Sigurinë, Aleksa Beçiç dhe ministrin e Brendshëm Danilo Sharanoviç për, siç thonë ata, dështimet e policisë në ditën e vrasjes masive në Cetinë më 1 janar.

Ata thanë se nuk do të heqin dorë nga protestat dhe bllokimi derisa të plotësohen kërkesat e tyre për ngjarjen e Cetinës.

Shumë banorë të Malit të Zi janë të zemëruar me ato që i konsiderojnë reforma të ngadalshme të policisë, e cila ka mungesë punonjësish dhe fondesh dhe grindjeve burokratike dhe politike brenda qeverisë.

Ambasada e SHBA-së në Podgoricë e “mbështeti fuqimisht të drejtën për tubime paqësore, jo të dhunshme dhe lirinë e shprehjes si vlera themelore të një shoqërie demokratike”.

Ndërkohë mbi 100 profesorë të universitetit dhe asistentë mësimdhënës, artistë dhe intelektualë të njohur dërguan letër mbështetjeje për studentët .

Ata shprehim mbështetje për organizatën joformale studentore “Kamo śutra” dhe kërkesave të tyre për të sqaruar plotësisht përgjegjësinë për dy vrasjet masive që ndodhën në Cetinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se i ka anuluar…