Shtohet numri i inspektorëve shëndetësorë dhe farmaceutikë
Në ambientet e Ballkonit të Hapur të Qeverisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, mirëpritën 24 inspektorët e rinj shëndetësorë dhe 8 inspektorët e rinj farmaceutikë.
“Nga 11 inspektorë shëndetësorë po bëheni 35. Nga 12 inspektorë farmaceutikë, po bëheni 20. Pra, 32 inspektorë të rinj gjithsej, që do të thotë trefish më shumë inspektorë në fushën e shëndetësisë”, e nisi kryeministri Kurti fjalën e tij, duke vlerësuar lartë detyrën e jashtëzakonshme të inspektorëve, të cilët siç tha ai, janë sytë dhe veshët e ankesave të qytetarëve kur vjen puna te shërbimet shëndetësore.
Me nënshkrimin e kontratave të reja, kryeministri u shpreh se duhen zgjidhje edhe për sfidat logjistike, me ç’rast janë nisur procedurat për objektin e veçantë për Inspektoratin që do të rinovohet, si dhe do të shtohet edhe flota e makinave që kontribuon në mbarëvajtjen e punës dhe shpejtësinë e rezultateve.
Në të njëjtën kohë, është në finalizim e sipër Ligji për Inspektoratin Qendror që rregullon edhe më mirë ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive për inspektorët. Kësisoj, kapacitetet inspektuese pritet të jenë shumë të larta nga institucioni që vërejtjet e pakënaqësitë e disa qytetarëve mund t’i kthej në shërbim të përmirësuar për të gjithë qytetarët, vazhdoi kryeministri.
Ndërsa, në lidhje me këtë ngjarje të rëndësishme, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu falënderimet e tij në lidhje me punën e inspektorëve, duke iu referuar atyre si diga e fundit e cilësisë në shërbimet tona shëndetësore.
Ai premtoi se të gjitha kushtet logjistike, të gjitha ato që kanë nevojë si mjete të domosdoshme për punë, hapësirat ku do të punojnë si Ministri e Shëndetësisë së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, do t’ua plotësojnë të gjitha nevojat për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme, e cila pritet të realizohet nga ata.
Duke uruar të gjithë inspektorët e rinj shëndetësorë dhe farmaceutikë, kryeministri deklaroi se do të rrisim edhe më tej numrin e inspektorëve, sepse ata janë garancia e zbatimit të ligjeve dhe trajtimit të barabartë për pacientët.