
Shtohet presioni ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe një herë ka kundërshtuar mundësinë që Kosova ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Një ditë pasi ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova e ka obligim ta formojë këtë asociacion, kreu i ekzekutivit ka bërë me dije se në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike.
“Nuk mendoj se është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore dhe mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë, asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc, por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Praktikisht, një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar më 23 dhjetor të vitit 2015 ”, ka thënë Kurti pas një vizite në fshatin Krushë e Madhe, shkruan “Epoka e re”.
Në këtë mënyrë, kryeministri Kurti ka dalë kundër qëndrimit të ambasadorit amerikan për këtë çështje.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova ka detyrim që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ai ka deklaruar se historia nuk ka nisur në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit. “Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Kurtit dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë”, ka deklaruar Kosnett për “Radio Kontakt Plus”.
Ai ka folur edhe për ata që mendojnë se Kosova ka bërë mjaft kompromise në raport me Serbinë. “Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, ka deklaruar Kosnett.
Diplomati amerikan beson se nuk do të ketë shumë hapësirë për përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëse të dyja palët nuk janë të gatshme për kompromis.
“Administrata Biden studioi me kujdes marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar nga Vuçiqi dhe Hoti në Shtëpinë e Bardhë dhe arriti në përfundim se këto janë gjëra që duam t’i shohin palët të vazhdojnë t’i përmbushin. Ato pika rrisin tregtinë, investimet, shtojnë përpjekjet në luftën kundër terrorizmit… Ne presim që njerëzit të mos thonë, mirë, plani i Ahtisaarit nuk do të thotë asgjë më, sepse ka pasur një ndryshim në qeveri”, ka deklaruar Kosnett.
Diplomati amerikan ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta ndihmojë Kosovën çdoherë. “Unë nuk jam ambasador në Serbi. Unë do t’i lë të tjerët të flasin për këtë. Mendoj se armiku më i madh i Kosovës është vetëkënaqësia. Çfarë dua të them me këtë? Gjatë njëzet vjetëve të fundit, një situatë ka lindur në Kosovë ku njerëzit janë mësuar shumë me komunitetin ndërkombëtar që hedh shumë para në vend, duke ndihmuar popullin e Kosovës për t’i zgjidhur problemet e tyre. Sa herë që ndodh një krizë, anëtarët e Quintit, KFOR-i ose BE-ja janë atje për t’ua mbajtur duart njerëzve dhe për t’i ndihmuar ata në çaste të tilla. Nuk do të zgjasë përgjithmonë. Kosova është bërë shumë e varur”, ka thënë Kosnett.
Ndërsa analisti politik Milazim Krasniqi ka thënë se deklarimet e ambasadorit amerikan duhet të merren seriozisht. “Çfarë na paralajmëroi ambasadori Kosnett? Për ata që marrin vesh, ai paralajmëroi se do të ndryshojë qëndrimi ndaj Kosovës. Vetëkënaqësia jonë do të ballafaqohet me pafuqinë tonë. Rrjedhimisht do të rishfaqet e do të na ngufatë mjerimi ynë! Lexojeni me kujdes (deklaratën e tij)”, ka shkruar Krasniqi në profilin e vet në “Facebook”.
Ditë më parë ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti duhet ta kundërshtojë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tahiri ka vlerësuar se kundërshtimin e këtij asociacioni Kurti ua ka premtuar votuesve të tij. “Kryeministri Kurti duhet ta kundërshtojë Asociacionin në Bruksel sepse iu ka premtuar votuesve që e sollën në pushtet!”, ka shkruar Tahiri në profilin e vet në “Facebook”.
Njohësi i proceseve politike, Behxhet Shala, ka theksuar, në një opinion të tij, se Albin Kurti e ka shumë të qartë se Asociacioni i Serbisë në Kosovë apo Zajednica është çështje e pashmangshme dhe se askush nuk do të qëndrojë në pushtet duke e shpërfillur këtë realitet pavarësisht se, prej një ëndrre të keqe u shndërrua në një makth dhe ankth real për Kosovën.
“Zajednica do ta bëjë Kosovën shtet jofunksional në planin afatgjatë e që, pas një periudhe të caktuar kohore, edhe do ta shpallë një pavarësi duke u bashkuar me Serbinë. Albin Kurti, prej të gjithë kryeministrave, që nga përfundimi i luftës ka më së paku hapësirë për veprim për ta kundërshtuar Zajednicën, ndërkohë që nuk ka asnjë përgjegjësi për themelimin e saj. Madje, një ndër shtyllat kryesore të veprimtarisë politike dhe armë e fuqishme për të ardhur në pushtet ishte pikërisht kundërshtimi i Zajednicës”, ka thënë Shala.
Ai ka theksuar se reagimi i ndërkombëtarëve ishte shumë i pritshëm, sidomos i ambasadorit Philip Kosnett.
“Kërcënimi se Zajednica e Serbisë në Kosovë duhet të themelohet dhe se historia e Kosovës nuk fillon me qeverinë Kurti mund të interpretohet si lehtësim për Albin Kurtin apo përkrahje ndërkombëtare për formimin e Zajednicës ose, nëse nuk i bindet, atëherë do të bëhet detronizimi i Albin Kurtit nga posti i kryeministrit dhe shkuarja në zgjedhje të reja”, ka thënë Shala.
Në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kryeson delegacionin e Serbisë në dialog, insiston në formimin e Asociacionit.
Edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka përsëritur në disa raste se marrëveshjet e arritura duhet të respektohen.
Takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përfunduar pa ndonjë rezultat të martën në Bruksel. Udhëheqësit e të dy shteteve në këtë takim kanë paraqitur temat e tyre, duke mos u pajtuar për agjendën e dialogut të ardhshëm.
Kryeministri Kurti ka thënë se në këtë takim ka paraqitur katër propozime të cilat nuk i janë marrë parasysh, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Takimi i radhës mes dy delegacioneve është paraparë të mbahet më 25 korrik të këtij viti.