Shtyhen bisedimet për paqe në Ukrainë mes ministrave të Jashtëm në Londër

23 prill 2025 | 12:33

Bisedimet e nivelit të lartë për Ukrainën, të cilat ishin paraparë të zhvilloheshin në Londër, janë shtyrë papritmas të mërkurën, njoftoi Ministria e Jashtme e Britanisë, pasi disa diplomatë të lartë u tërhoqën në çastet e fundit.

Njoftimi erdhi pak orë para nisjes së takimeve të 23 prillit, të cilat parashihej të përfshinin ministrin e Jashtëm të Ukrainës.

“Konfirmojmë se Bisedimet për Paqe në Ukrainë sot, me ministrat e Jashtëm, janë shtyrë”, i ka thënë Qeveria britanike Radios Evropa e Lirë, duke shtuar se “bisedimet e nivelit zyrtar do të vazhdojnë, por ato do të jenë të mbyllura për mediat”.

Bisedimet, që kishin për synim të gjenin rrugën drejt përfundimit të luftës 38-muajshe të Rusisë në Ukrainë, u përballën me sfida edhe më herët, kur diplomatë të lartë, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, anuluan pjesëmarrjen dhe zbehën përpjekjet e vazhdueshme për paqe.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, po ashtu zgjodhi të mos merrte pjesë në takime, raportoi Sky News më herët, ndonëse kjo nuk është konfirmuar.

Delegacioni i Ukrainës, përfshirë këshilltarin kryesor të presidentit Volodymyr Zelensky, udhëtoi në Londër, me gjithë shtyrjen e bisedimet.

“Pavarësisht çdo gjëje, ne do të punojmë për paqe”, shkroi Andriy Yermak në Telegram.

Javën e kaluar, Rubio dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas dhe evropianë u takuan në Paris për bisedime që prodhuan atë që shumë e panë si përparim të vogël drejt përfundimit të luftës.

Por, Rubio më vonë sinjalizoi mosdurimin e SHBA-së me gjendjen e bisedimeve, dhe sugjeroi se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen tërësisht nga përfshirja në negociata.

Gjatë fundjavës, media amerikane si Wall Street Journal, Bloomberg dhe CNN raportuan se negociatorët amerikanë i kanë prezantuar Ukrainës një listë me lëshime të mundshme. Mes tyre thuhet se është edhe njohja e mundshme amerikane e aneksimit rus të Gadishullit të Krimesë më 2014, dhe një refuzim definitiv i aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Që të dyja temat konsiderohen të papranueshme për presidentin ukrainas Zelensky dhe qeverinë e tij.

“Ukraina nuk do ta njohë okupimin e Krimesë”, u ka thënë ai gazetarëve në Kiev më 22 prill. “Është territor yni, territor i popullit të Ukrainës, s’ka asgjë për t’u diskutuar këtu”, është shprehur Zelensky. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Distria Krasniqi e ka nisur me këmbë të mbarë Kampionatin…