Shtyhen edhe dy gara në MotoGP
Dy gara tjera në serinë e garave MotoGP janë shtyrë për shkak të koronavirusit. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të MotoGP.
Gara e Shpërblimit të madh të Italisë e paraparë të mbahej në Mughello nga 29 deri më 31 maj dhe ajo e Shpërblimit të Madh të Katalonjës e paraparë të mbahet në Barcelonë nga 5 deri më 7 qershor janë shtyrë.
Me këto dyja janë shtata gara që janë shtyrë në MotoGP, ndërsa gara e Katarit, e paraparë të mbahej më 8 mars, u anulua.
“Pasi situata mbetet në gjendje të zhvillimit të vazhdueshëm, datat e reja për këto gara, si dhe për garat e shtyra më herët, nuk mund të konfirmohen derisa të bëhen të qarta kur do të jetë e mundur të organizohen. Një kalendar i ri do të publikohet në momentin kur të përgatitet”, është shkruar në komunikatë.