Shtyhen kimioterapitë për pacientët me kancer, arsyen e jep Onkologjia
Pacientët e sëmurë nga kanceri nuk kanë marrë shërbimin e kimioterapisë dhe rrezatimit ditën e sotme dhe nuk do ta marrin të paktën deri javën tjetër pasi që Klinika e Onkologjisë i është bashkuar vendimit të menaxhmentit të QKUK-së për t’i pezulluar shërbimet ambulantore për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin.
Drejtori i Klinikës, dr. Ilir Kurtishi, ka deklaruar për “Shneta” se shtyrja e terapive dhe rrezatimeve është vendim i kolegjiumit të klinikës në mënyrë që të ruhet imuniteti i pacientëve. “Vendimin për shtyrje e kemi marrë sot në mbledhjen e mëngjesit. Është për të mirën e pacientëve sepse këto terapi dhe rrezatimet janë shërbime ambulantore, pacientët mund të jenë të ekspozuar ndaj virusit dhe nëse marrin terapinë, atëherë imuniteti i tyre është shumë i ulët dhe mund të jenë shumë të rrezikuar”, ka deklaruar Kurtishi. Ai ka deklaruar se javën tjetër do të shqyrtohet sërish kjo gjendje, ndërsa ka konfirmuar se hapësirat e klinikës do të dezinfektohen.
Kujtojmë se menaxhmenti i QKUK-së ka marrë vendim dje për pezullimin e operacioneve joemergjente, shërbimeve ambulantore dhe shërbimeve të tjera terapeutike.