Shtyhet afati deri më 15 qershor për kthimin e borxhit prej 25 milionë eurosh ndaj ‘Z-Mobile’

08 maj 2019 | 18:45

Komiteti ndërministror për ndërmarrje publike, që drejtohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka thirrur sot në takim pune Bordin dhe ekzekutivin e Telekomit të Kosovës së bashku me përfaqësuesit e kompanisë Dardafon.net (Z mobile).

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Ai ka thënë se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të largohet presioni për inkasimin e mjeteve të vendosura nga arbitrazhi ndërkombëtar me vlerë prej 25.9 milionë euro përmes përmbaruesve, gjë që do të bllokonte operimin e Telekomit të Kosovës dhe njëkohësisht, negociatat e obliguara në mes të palëve.

“Kërkesa jonë si komitet ishte që të krijohet një mundësi e re për të dy palët që të punojnë në një plan program të ri të pagesave, pa e ndërlidhur me punën e negociatave dhe rezultatin final të tyre, pra mos të bëhet presion që negociatat të përfundojnë në favor të njërës palë”, ka thënë Lluka.

Ai ka theksuar se borxhi ndaj kompanisë në fjalë është vendosur nga arbitrazhi dhe është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga Gjykata e Apelit, prandaj sipas tij në këtë moment edhe është i pakontestueshëm.

“Pas një diskutimi nga të gjithë të pranishmit, palët u pajtuan që deri më 15 qershor të bëjnë një plan të pagesave ndaj këtij borxhi. Në këtë formë, grupet negociuese nuk do të vendosin temën e pagesës në diskutime. Telekomi i Kosovës, i mbështetur nga ky komitet dhe tërë Qeveria e Kosovës, së shpejti do të ketë qasje në kredi për të implementuar kodin 383, për të siguruar mirëmbajtjen e Telekomit dhe njëherësh, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe për të bërë investimet e detyrueshme që të sigurohet mbarëvajtja e punës. Në asnjë formë, Qeveria nuk do të lejoj që Telekomi të dështojë pasi që luan rol shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe sigurinë kombëtare. Falënderoj të gjithë ata që ishin të pranishëm në këtë takim me rëndësi për të ardhmen e Telekomit të Kosovës”, ka thënë ministri Lluka pas këtij takimi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë…