Shtyhet afati i implementimit të kodit të ri +383
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka shtyrë afatin e implementimit të kodit të ri +383 deri në fund të tetorit të këtij viti.
Sipas marrëveshjes për kodin telefonik të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, afati i përcaktuar më herët ishte 1 qershori i këtij viti.
Në mbledhjen e fundit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare është vendosur për shtyrje të afatit të implementimit të plotë të kodit +383 dhe largimit të kodeve të tjera ekzistuese.
Këtë e ka bërë me dije për “Radio Kosovën”, anëtari i bordit të ARKEP-it, Shqiprim Pula. Vendimi është marrë pas kërkesave të operatorëve, “Vala” dhe “Ipko”.
“Kemi pranuar disa shkresa nga operatorët tanë të cilët operojnë në Kosovë, shkresa të cilat në përmbajtje të tyre kanë pasur arsyetime dhe kërkesa për shtyrje të implementimit të kodit 383, arsyetime të cilat nga prizmi i operatorëve kanë qenë më tepër çështjeje në implementim teknik”, ka thënë Pula.
Ai ka deklaruar se edhe ka pasur mendime të ndryshme në mbledhjen e bordit, vendimi përfundimtar ka rezultuar me shtyrje të afatit.
“Bordi me shumicë ka vendos që të pranojë kërkesat dhe arsyeshmërinë e operatorëve, ndërkaq unë, në cilësinë e anëtarit të bordit, kam kërkuar që të mos vendoset gjatë mbledhjes por paraprakisht të njoftohen edhe aktoret e tjerë. Megjithatë, bordi me shumicë vendos, prandaj është vendos që të pranohet shtyrja e afatit kohor deri më 31 tetor të 2018”, ka thënë Pula.
Ndryshe, vlerësohet se kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik, kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.