Shtyhet finalja e Kupës së Gjermanisë
Finalja e Kupës së Gjermanisë në futboll është shtyrë pa afat për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Gjermanisë të premten.
Finalja është dashur të luhet më 23 maj, por nuk do të zhvillohet në këtë termin, me gjithë shpresën që Bundesliga gjermane të filloi më herët në maj.
Futbolli në Gjermani është pezulluar në mes të marsit dhe masa është në fuqi të paktën deri më 30 prill. Ka opsione të ndryshme për vazhdim të Bundesligës gjatë muajit të ardhshëm.
“Për shkak të pezullimit aktual dhe pyetjeve lidhur me atë se kur futbolli do të vazhdojë, datat për finalen e Kupës dhe dy gjysmëfinalet do të mbesin të pacaktuara”, ka thënë DFB-ja në një komunikatë.
Qeveria e Gjermanisë pritet të takohet me udhëheqësit e shteteve federale për të diskutuar lidhur me mundësinë e lehtësimit të masave. Nëse ndodh kjo atëherë futbolli pritet të kthehet muajin tjetër.
Pavarësisht se kur do të luhet finalja, ajo do të zhvillohet pa shikues në stadium, ka thënë presidenti i DFB-së, Fritz Keller. Shikuesit nuk do të lejohen kur futbolli të vazhdojë.
Bayern Muencheni takohet me Eintracht Frankfurtin në gjysmëfinale, ndërsa Bayer Leverkuseni me Saarbruckenin.