Shtyhet greva e paralajmëruar e aktorëve
Trupa rezidente e Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK) kishte paralajmëruar se prej ditës së parë të muajit maj do t’i rikthehen grevës dhe do të bëjnë bllokim total të këtij institucioni.
Mirëpo greva e cila ishte paralajmëruar për të martën është shtyrë përsëri, kanë bërë me dije aktorët e TKK-së.
“Tashmë u bënë disa muaj prej kur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) së bashku me një grup punues vazhdimisht janë takuar dhe kanë punuar që të arrihet realizimi i kërkesave të aktorëve. Diçka është punuar dhe ka lëvizur, por asgjë nuk ka diçka konkrete, prandaj ne shqyrtuam mundësinë e rikthimit në grevë pasi u bënë shumë muaj pritje. Tani na është kërkuar edhe një javë kohë pasi që ministri i Kulturës qenka jashtë vendit deri këtë të premte. Ne sigurisht se nuk duam të bëhemi arrogant dhe ashtu siç kemi pritur këta muaj do të presim edhe një javë. Vazhdojmë të jemi optimist dhe akoma duam të besojmë në gatishmërinë pozitive të ministrit Gashi”, është thënë në njoftimin e aktorëve të TKK-së dërguar redaksisë së “KultPlus”-it.
Pas një marrëveshje me ministrin e MKRS-së, Kujtim Gashin, aktorët e patën pezulluar grevën pasi që patën marrë premtim nga ai për rritje të pagave.