Shtyhet për dy ditë takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë
Është shtyrë për dy ditë takimi i paralajmëruar për dy shtator ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Burimet e Zërit të Amerikës nuk dhanë ndonjë hollësi për arsyet e shtyrjes së takimit, mikpritës të të cilit do të jenë Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, dhe së bashku me ambasadorin Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidenti Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.
Zyra e O’Brien tha më herët se Shtetet e Bashkuara presin me padurim për këto diskutime të rëndësishme me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Avdullah Hoti dhe besojnë që përparimi ekonomik është thelbësor për çuarjen përpara të procesit të paqes.
Në Kosovë udhëheqësit e institucioneve e kanë mirëpritur angazhimin amerikan për mbajtjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri Avdullah Hoti shkroi më herët se në takim do të diskutohet “për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”.
Njoftimi u mirëprit edhe në Beograd, ku presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se fakti që do të bisedohet për çështje ekonomike është gjë e mirë për Serbinë dhe rajonin. Megjithatë, ai tha të premten se temat e diskutimit shtrohen nga mikpritësit dhe nuk e përjashton mundësinë që përveç çështjeve ekonomike të diskutohet edhe për ato politike. Ai ritheksoi se nuk mund të ketë bisedime për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Megjithëkëtë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për mundësinë e shtyrjes së bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të planifikuata të mbahen më 2 shtator në Uashington të Shteteve të Bashkuara.
Ai tha se ende asgjë nuk është vendosur, por ka sinjale se mund të ketë një shtyrje “prej dy ditësh, ose diçka të tillë”.
Ai u tha gazetarëve se nuk e di se cilat tema do t’i paraqesin nikoqirët e takimit, përveç temave të ekonomisë, për të cilat tashmë janë informuar.
“Unë do të doja që të ishin vetëm tema ekonomike, nuk e di nëse do të paraqiten tema tjera, pasi për dialogun politik dhe çështjen e statusit është përgjegjës Bashkimi Evropian, por nuk e përjashtojmë mundësinë e ndonjë befasie”, ka thënë Vuçiq në Batajnicë, ku ai mori pjesë në një ushtrim të njësive të Forcave Ajrore të Ushtrisë Serbe.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet me 7 shtator.