Shtyhet regjistrimi i popullsisë, Memli Krasniqi: Kurti i di shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, po frikësohet nga zyrtarizimi i këtyre të dhënave
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas shtyrjes së procesit të regjistrimit të popullsisë, i cili ishte paraparë të filloj sot.
Kreu i PDK-së përmes një postimi në Facebook ka thënë se kryeministri Kurti po e pamundëson këtë, sepse është i vetëdijshëm për numrin e madh të qytetarëve që e janë larguar nga Kosova.
“Sot është dashur të filloj regjistrimi i popullsisë në Kosovë, edhe pse me vonesë të madhe. Por, siç e kam thënë publikisht me 5 korrik, me 24 gusht dhe shumë herë të tjera deri sot, regjistrimin e popullsisë po e pamundëson Kryeministri Kurti. Përveç që e ka politizuar skajshëm me ndërhyrje partiake Agjencinë e Statistikave të Kosovës, si dhe ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit, Kryeministri i di mirë shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, prandaj po frikësohet nga zyrtarizimi i tyre”, ka shkruar ai.
Krasniqi theksoi se me këtë veprim Qeveria Kurti po bën shkelje ligjore.
“Përtej paaftësisë qeverisëse, ky (mos)veprim i Qeverisë është edhe shkelje ligjore!”, ka theksuar ai.