Shtyhet rikthimi i Hazardit
Janë mbushur 50 ditë që kur Eden Hazard la fushën i dëmtuar në ndeshjen e Champions kundër Paris SG. Që atëherë, futbollisti belg qëndron jashtë Real Madrid, ndërsa me shumë mundësi kështu do të jetë deri në fund të këtij muaji. Parashikimet negative vijnë nga e përditshmja “Marca”, gjithmonë e informuar mirë për punët në klubin madrilen.
Sipas saj, Hazard ka tejkaluar çdo afat për rikuperimin, teksa nuk ka shenja se gjendja e tij është përmirësuar. Krejt e kundërta. Sulmuesi vazhdon të ndjejë shqetësime dhe stafi mjekësor i ndruhet një regresi në gjendjen e tij. Dyshimet e të përditshmes madrilene mbështeten edhe në faktin se Hazard do t’i nënshtrohet të tjera testeve, që do të përcaktojnë një tjetër afat për rikuperimin dhe rikthimin e tij të mundshëm në fushën e lojës.
Gjithsesi, ka pak mundësi që belgu të jetë në dispozicion të Zinedine Zidane për ndeshjet e mbetura të këtij muaji. Dëmtimet kanë qenë një problem i madh për Real Madrid gjatë pjesës së parë të sezonit, por “los blancos” vazhdojnë të jenë kompetitivë, madje duke fituar edhe një trofe të rëndësishëm si Superkupa e Spanjës.