Shtyhet seanca për vrasjen e Ivanoviq, mbahet më 17 shtator
Seanca gjyqësore për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është shtyrë më 17 shtator, ku pritet të dëshmojnë figura të larta politike. Kështu ka bërë me dije për “Ekonomia Online”, avokati i njërit nga të akuzuarit, Musa Damati.
“Seanca për rastin e Ivanoviqit, e planifikuar që të mbahet nesër në departamentin special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është shtyrë dhe nuk do te mbahet. Shqyrtimi gjyqësor në këtë rast do të vazhdoj më 17 shtator”, ka thënë avokati i të akuzuarës Silvana Arsoviq.
Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të akuzuar se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë paraqitur para trupit gjykues në gusht.
Pjesëmarrës në seancën e fundit ishte edhe djali i Oliver Ivanoviqit, Nicola Ivanoviq. Ai ka thënë se pas dy vitësh e gjysmë meritojnë drejtësi dhe se fajtorët duhet të dënohen.