Shtyhet serish vendimi për masën e sigurisë ndaj Sali Berishës
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GjKKO) ka shtyrë sërish vendimin për dhënien e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në seancën e mbajtur këtë të enjte, GjKKO vendosi që vendimi të jepet ditën e shtunë në orën 11:00.
Shkak është bërë kërkesa e avokatëve të Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
“Seanca shtyhet për ditën e shtunë më 30 dhjetor, për t’i dhenë mundësi avokatëve mbrojtës të depozitojnë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues”, ka njoftuar GjKKO-ja.
SPAK-u ka kërkuar që Berishës t’i caktohet masa e sigurisë “arrestit shtëpiak” dhe mos t’i lejohen komunikimet me persona jashtë familjes.
Avokatët e Berishës, kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Gjoka, me pretendimin se ajo është në konfliktit interesi me ish-kryeministrin.
Si parapërgatitje për këtë vendim të GjKKO-s, Berisha nga ana tjetër në pesë ditët e fundit ka bërë disa lëvizje. Fillimisht ka nisur një proces riorganizimi të partisë që tashmë do të duhet të funksionojë në këto kushte të reja që Berisha nuk do të mundet të dalë nga banesa. Po ashtu, janë shtuar kontaktet me grupimin e Gazment Bardhit për të mundësuar një koordinim të aksionit opozitar edhe përtej Kuvendit.
Ish-kryeministri akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi sa i takon privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. /EuronewsAlbania