Shtyllat e vjetruara, shqetësimi kryesor i banorëve të Senikut
Në kuadër procesit të hartimit të projektbuxhetit për vitin 2020, po vazhdon mbajtja e dëgjimeve publike në vendbanimet e komunës së Malishevës.
Dëgjimi publik është mbajtur në fshatin Senik, ku banorët e fshatit i kanë prezantuar disa nga nevojat që kanë, por sipas tyre, ajo që më së shumti kanë nevojë, është ndërrimi i shtyllave të energjisë elektrike, pasi ato jenë të vjetruara.
Në këtë takim, fillimisht drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, e ka prezantuar qarkoren buxhetore, me theks të veçantë, shtyllën buxhetore të investimeve kapitale.
“Buxheti për investime kapitale, është 3 milion e 850 mijë euro për vitin 2020 dhe ky buxhet do të ndahet për investime në të gjitha vendbanimet. Ne jemi të vetëdijshëm se ky kufizim buxhetor nuk i plotëson nevojat që kemi si komunë, por jemi këtu që bashkërisht ti paraqesim nevojat dhe ti nxjerrim prioritetet, në mënyrë që hartimi i listës së projekteve kapitale, të hartohet nga kërkesat që dalin gjatë këtyre takime, dhe për këtë qëllim jemi duke i mbajtur këto dëgjime, në të gjitha vendbanimet”, ka thënë drejtori Mazreku.
Më pas banorët, i kanë paraqitur nevojat dhe shqetësimet e tyre, dhe sipas banorëve, ata kanë problem me shtyllat e vjetruara të rrjetit të energjisë elektrike, dhe disa prej këtyre shtyllave paraqesin rrezik, andaj kërkuan nga komuna, që të bëj presion tek kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e këtij rrjeti, që urgjentisht të ndërmarr masa për zëvendësimin e tyre.
Përndryshe, banorët e Senikut, thanë se kanë nevojë për ndërtimin e trotuarit në fshat, shtrimin e disa rrugëve, zgjerimin e rrjetit të kanalizimit, disa rrugë në lagjet e fshatit, meremetimin e një rruge të dëmtuar, si dhe shtrirja e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “Jonuzaj”.
/Epoka e re/