Shtypi botëror për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë
Shkruan: Ismet Rashiti
Pas demonstratave të vitit 1981, i gjithë opinioni botëror po përcillte me vëmendje të madhe situatën e vështirë që ishte krijuar në Kosovë. Pjesa më e madhe e vendeve, kishin shprehur habi se si ka mundësi që një dhunë e tillë brutale me tanke, ushtri dhe polici speciale të ushtrohet ndaj studentëve paqësor. Aq më tepër që askush nuk e kishte pritur një sjellje të tillë të Jugosllavisë, e cila proklamohej si një « parajsë » e vetëqeverisjes dhe zgjidhjes së të gjitha problemeve në mes kombeve dhe kombësive që jetonin në këto hapësira!
E vërteta doli të jetë ndryshe. Kjo e vërtetë ishte pasqyruar drejt nga korrespondentët e shtypit të huaj të cilët gjatë atyre ditëve ishin akredituar në Kosovë. Me një fjalë, ngjarjet e vitit 1981 sikur e kishin « zbuluar Kosovën » dhe e nxorën fytyrën e vërtetë të Jugosllavisë.
Gjatë gjithë muajit prill të vitit 1981, shtypi i huaj i kishte kushtuar rëndësi jashtëzakonisht të madhe shtypjes së demonstratave me tanke ushtarake, me polici speciale si dhe me vendosjen e orës policore. Në mënyrë të veçantë ishte paraqitur edhe pozita e rëndë ekonomike, papunësia dhe dallimi i madh i Kosovës me pjesët tjera të Jugosllavisë. Në vazhdim po sjelli disa fragmente të shtypit evropian të asaj Pranvere të Madhe lidhur me ngjarjet historike të vitit 1981 të cilat shtypi i huaj nuk i shihte me syzet e Beogradit.
Gazeta gjermane « Süddeutsche Zeitung », kishte shkruar se funksionarët jugosllav, tani po i përdorin fjalët « lufta kundër nacionalizmit, irredentizmit », « kundërrevolicioni » » elementët që bëjnë agjitacion armiqësor », « vëllazërim-bashkimi » e tjera. Por, në fakt ajo që ndodhi në demonstratat e 11 e 26 marsit dhe në përleshjet e 1 dhe 2 prillit, qëndron e fshehur prapa mjegullës së fjalëve të bukura.
Nga ana tjetër, gazeta italiane « Coriere della sera », kishte konstatuar se « Kosova është krahina më e prapambetur në Jugosllavi. Po ashtu gazeta amerikane « Herald Tribjun », kishte shkruar se « Kosova është pjesa më e varfër me një hendek që rritet vazhdimisht ndërmjet skamjes dhe luksit relativ të republikës më të pasur, Slloivenisë » .
Po ashtu edhe gazeta franceze « Le Jurnal », më datën 28 prill 1981, shkruante : Kosova është shumë e prapambetur në krahasim me rajonet tjera të Jugosllavisë. Ajo ndodhet si provincë autonome brenda republikës serbe, por gjendja e shqiptarëve mbetet e pasigurt, sepse politika e vjetër e dominimit serb vazhdon edhe sot.
Ndërkaq gazeta e njohur greke « Kapoiola matini » në fund të muajit prill 1981, shkruante : Kosova do të mund të ishte një krahinë e pasur me industri të zhvilluar. « Mëse gjysma e shtresave të qymyrit gjendet këtu, bashkë me shumë lëndë të para të magneziumit dhe zingut. Vetëm nga eksporti i metaleve çdo vit merren 218 milon dollarë, por fitimet i mbledh Beogradi. Kosova që nuk ka industri, furnizon me lëndë të parë republikat më të priviligjuara »- nënvizon gazeta greke.