Shtypi shqip i Kosovës për protestat studentore të 1 tetorit 1997

02 tetor 2018 | 14:23

IZET ABDYLI

Protestat studentore të 1 tetorit 1997 të studentëve të Universitetit të Prishtinës shënojnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të lëvizjes studentore në historinë më të re të Kosovës në fundshekullin XX. Këto ngjarje që erdhën si rezultat i aparteidit të regjimit serb mbi arsimin shqip janë pasqyruar edhe në shtypin shqiptar të kohës me një saktësi informacioni nga burime të drejtpërdrejta nga organizatori, në këtë rast Unioni i Pavarur Studentor i Universitetit të Prishtinës e në koordinim të vazhdueshëm dhe bashkorganizim edhe me pjesën akademike, përkatësisht Rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Këto ngjarje, përveç që ishin një zë proteste ndaj diskriminimit të shqiptarëve nga regjimi serb në fushën e arsimit, luajtën edhe një rol të rëndësishëm për faktorizimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.

Përgatitja e protestës, skema e organizimit të protestës dhe itinerari i zhvillimit të saj

Lidhur me përgatitjen e protestës, organizimin dhe përgatitjen e saj ekzistojnë informacione të shumta që shtypi shqiptar i Kosovës i ka plasuar qoftë nga burime të drejtpërdrejta nga konferencat e organizuara nga Unioni Studentor i Kosovës, qoftë nga kumtesat zyrtare të këtij unioni apo edhe përmes intervistave të zhvilluara me liderin e këtij Unioni, Bujar Dugolli apo edhe me kreun e pjesës akademike, rektorin Ejup Statovci. Gazetat “Bujku” dhe “Koha ditore”, në artikujt e datës 26 nëntor 1997, paraqesin konferencën për shtyp të UPS të UP, me titujt “Protestat fillojnë më 1 tetor”, përkatësisht “Më 1 tetor fillojnë protestat studentore”. Aty njoftohet se protestat studentore do të bëhen në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës ku janë fakultete dhe shkollat e larta. Po ashtu, thuhet se “u njoftuan 30 ambasada dhe 40 asociacione të tjera ndërkombëtare”. Në faqen dy të gazetës “Bujku” jepen edhe detaje për 33 parulla të shkruara në gjuhën shqipe dhe angleze që do të përdoren ditën e protestës, ndërsa në letrën dërguar përfaqësuesve ndërkombëtarë jepen shifra rrëqethëse për ndërhyrjen brutale të regjimit serb në institucionet arsimore si rrjedhojë e së cilës nga objektet e Universitetit të Prishtinës u dëbuan mbi një mijë mësimdhënës, rreth 200 punëtorë administrativë e rreth 27 mijë studentë.

Vendosmëria e studentëve për organizimin e protestave shihet edhe në një intervistë më të zgjeruar në dy faqe të gazetës studentore “Bota e re” të Bujar Dugollit, kryetar i UPS të UP-së, ku thuhet se “nuk do të protestojmë sa për sy e faqe”. Ai shpalos edhe një pjesë të planprojektit të ndarë në katër faza, i cili më vonë do të jetësohet nga Këshilli Organizativ i protestës i cili bën apel që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore, duke shfaqur edhe drojën për eskalim të dhunës nga policia serbe me ç’rast ai fton që në rast të tillë, protestës duhet t’i bashkëngjiten edhe nxënësit. Për ndihmë konkrete ai fton edhe strukturat politike dhe jopolitike.

Kërkesa për një bashkërendim të protestës edhe me faktorin politik pasqyrohet edhe në gazetat e datës 27 shtator 1997, përmes titujve “Rugova për protestat”, “Kërkoj të pritet edhe pak” dhe deklaratën e Bujar Dugollit se: “Ne për nismën tonë kemi biseduar dhe kemi siguruar përkrahjen e të gjitha subjekteve politike e jopolitike, duke përfshirë edhe presidentin e Republikës së Kosovës, z. Ibrahim Rugova”.

Se protestat kishin mbështetje edhe nga faktori ndërkombëtar tregon edhe takimi i emisarit special të ShBA-së, Robert Gelbart, ku morën pjesë: Driton Lajçi, nënkryetar i UPS-së, Fehmi Agani, nënkryetar i LDK-së, Adem Demaçi, kryetar i PPK-së, Mahmut Bakalli, politolog dhe Veton Surroi, kryeredaktor i gazetës “Koha ditore”, e që në titullin e gazetës “Bota e re” të 25 shtatorit 1997 është dhënë titulli “Gelbart: Protestat paqësore janë plotësisht të pranueshme”.

Vendosmërinë dhe të drejtën e studentëve për organizimin e protestës më 1 tetor e mbështeti fuqishëm edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, në një intervistë me titull “Protesta janë të studentëve”, publikuar në “Kohën ditore” të datës 29 shtator 1997. Po këtë ditë jepet njoftimi i takimit të UPS me presidentin Rugova “Vendimtar, takimi i sotëm Rugova-studentët”.

Një ditë para fillimit të protestës, në faqet e shtypit dhe ballinat e tyre temë kryesore është protesta e 1 tetorit e cila është vendosur të mbahet. Gazeta “Bujku” jep këta tituj: “Biseda me kryetarin Rugova ishte pozitive”, “Bashkësia ndërkombëtare përqendrohet në Kosovë”, “Lajmi i fundit: Protestat fillojnë më 1 tetor”, “Cilat janë transparentet!?”, “Respektojmë të drejtën për protestë paqësore” (Nga konferenca për shtyp e diplomatëve të ShBA-së, Kanadasë e disa vendeve evropiane në Prishtinë), “Kryetari përkrahu konceptin e protestave” (deklaratë e Bujar Dugollit, kryetar i UPS të UP-së, pas takimit me presidentin Rugova). Ndërkaq në “Kohën ditore” dominojnë titujt: “Ekskluzive:  Si do të protestohet në Prishtinë më 1 tetor”, “Misioni diplomatik kundër datës, jo kundër protestave. Studentët”, “Vetëm një, datë 1 tetori”, “Protestat studentore fillojnë nesër më 1 tetor”, “Nisja nga Velania në orën 10.30 minuta”, “Presidenti nuk pati asgjë kundër protestës së 1 tetorit”, “Protestat fillojnë sipas planit”, “Parullat dhe transparentët”. Përmes këtyre titujve mund të kuptojmë se kërkesa e studentëve për protesta vlerësohej nga të gjithë si një e drejtë e pakontestueshme, pavarësisht prej kërkesave dhe shqetësimeve të përfaqësuesve diplomatikë për mundësinë e eskalimit të dhunës.

Edhe shtypi i datës 1 tetor temë qendrore ka protestën e 1 tetorit. “Bota e re” jep intervistën në dy faqe të rektorit të UP-së, Ejup Statovci, me titull “Studentët janë të Universitetit dhe Universiteti sipas qenies dhe natyrës është me studentët e vet”. Ndërkaq “Koha ditore” ka këta tituj: “Tirana njofton: Studentët kosovarë duhet të protestojnë për arsimin shqip në Kosovë”, “Pranvera e 1 tetorit”, “Antiq: I përkrahim protestat e studentëve shqiptarë”, “Protestat e 1 tetorit, paqësore, jo të dhunshme dhe studentore”, “Fjetja dhe ushqimi falas për vëzhguesit e huaj”.

Dita e mbajtjes së protestës, jehona e saj në opinionin vendor dhe ndërkombëtar dhe ndërhyrja brutale e regjimit serb për shtypjen e saj

Jehona e mbajtjes së protestës së 1 tetorit përfshiu jo vetëm ballinat e gazetave ditore të datës 2 tetor, por gati 50 për qind të faqeve të gazetave, duke pasqyruar në detaje rrjedhën e protestës e cila u shtyp në mënyrën më brutale me ndërhyrjen e forcave policore të regjimit serb. Ekipe të tëra të gazetarëve të angazhuar japin detaje për fillimin e protestës, transparentet, ndërhyrjen brutale, lëndimin e protestuesve, arrestimin nga policia e detaje të hollësishme për protestën studentore. Gazeta “Bujku” ka titullin kryesor “Protestat paqësore u përballën me brutalitetin policor”, “Policia intervenoi pa paralajmërim”, “Lotsjellës edhe nga helikopteri”, “ShBA-të dënojnë përdorimin e dhunës në Kosovë”, “Kryetari Rugova dënoi ashpër brutalitetin policor mbi protestuesit”, “Qeveria shqiptare dënon dhunën mbi shqiptarët”, “Bukoshi: Nuk na praps vringëllima e armatimit serb”, “Qetësia jonë tmerroi policinë” (Deklaratë e rektorit Statovci pas lirimit nga arresti), “Ambasada Amerikane e brengosur për situatën e krijuar”, “Në gjithë qytetin intervenime pa shkas”, “Dhunë e shfrenuar kundër protestuesve shqiptarë”, “Dr. Zekeria Cana: Ditë e shenjtë historike”, “Intervenimi i policisë edhe në Kodrën e Diellit”, “Qindra policë para Radio Prishtinës”, “Demonstratat nuk ndërpriten, format do të ndryshojnë”, “U trajtuan afër 60 të plagosur”, “U rrahën brutalisht disa gazetarë të Rilindjes”, “E tërë Prishtina spital”, “Përleshje në Kodrën e Trimave”, “Policët me shkopinj mbi studentët”, “Taksistët ndihmojnë studentët”, “Snajperët dhe Pazari i vdekur (janë dy poezi të Ali Podrimjes), “Engëll kërkon që SHBA-të të dënojnë energjikisht Serbinë”. Nga këta tituj mund të shihet se pasqyrimi i protestës nga ekipi i gazetarëve të “Bujkut” ka përfshirë të gjitha segmentet e protestës që nga fillimi i saj, ndërhyrja brutale, arrestimi i demonstruesve, dërgimi në spitale, dhuna ndaj gazetarëve, ndërhyrjet nëpër rrugë të tjera të qytetit, bllokimi i rrugëve etj. Pothuajse ngjashëm ka raportuar edhe gazeta “Koha ditore” e cila ka angazhuar një ekip të tërë të gazetarëve të cilët përmes raportimeve nga vendi i ngjarjes edhe me fotografi kanë dhënë pamje të trishtuara të dhunës policore mbi studentët dhe qytetarët e tjerë që kanë mbështetur protestën. Këta janë tituj kryesorë: “Nuk jemi frikësuar”, intervistë me Albin Kurtin, “Studentët mbajtën fjalën”, “Arrestimi te Velania”, ku flitet për arrestimin e rektorit Statovci, prorektorit Ahmet Gjoca, Bujar Dugollit, kryetar i UPS dhe anëtarëve të Kryesisë së UPS, Albin Kurti, Driton Lajçi dhe Lulzim Jagxhiu, “Dr. Maxhuni: Dugolli e Lajçi ishin rrahur së tepërmi”, “Millosheviqi fajtor për përdorimin e dhunës”, “BE-ja dhe ShBA-ja dënojnë aksionin e policisë në Kosovë”, “Ballë për ballë me policinë”, “Demaçi akuzon qeverinë serbe për shkelje premtimi”, “Kurti: Studentët nuk janë frikësuar”, vlen të përmendet se kjo gazetë jep informacione të hollësishme pothuajse nga çdo pjesë e Prishtinës, si: Te udhëkryqi i Taslixhës, te Tregu i Gjelbër, te Klinika “Nënë Tereza”, te Gjimnazi “Xhevdet Doda”, te Filologjiku, te ish-Kuvendi i Kosovës, te Shkolla e Mesme Teknike, te Qafa, te Shkolla Fillore “Gjergj Fishta” etj.

Opinionet pas mbajtjes së protestës, analizat dhe rezultatet e saj

Jehona e protestës u pasqyrua në shtypin ditor edhe në opinionet pro et contra, duke nxjerr analiza e përfundime për efektin e protestës, masivitetin e saj dhe organizimin e saj në një nivel të lartë. Po ashtu, u pasqyruan edhe gjurmët e dhunës dhe pasojat e saj. Titujt që dominuan në gazetën “Bujku” ishin: “Kudo gjurmë të dhunës”, “Trajtim barbar që duhet ndëshkuar”, “Të dënohet edhe më ashpër regjimi serb”, thuhet nga tridhjetë e dy kongresistë amerikanë që dënojnë masat e Beogradit ndaj protestuesve. “Protestat arritën efektin e tyre”, “Kosova për Serbinë është e humbur”, “Tirana kërkon ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar”, “Përkrahje e fuqishme pjesëmarrësve të protestës”. Në përgjithësi jepen informacione dhe qëndrime të asociacioneve vendore e ndërkombëtare të cilat dënojnë dhunën e shfrenuar ndaj protestuesve të qetë dhe kërkojnë ndaljen e këtij represioni mbi shqiptarët.

Vëmendje “Koha ditore” i kushton edhe pasqyrimit të protestës nga reporterët e huaj, përmes artikullit “Velaninë e kaploi qetësia e vdekjes”, ku reporterët e huaj për gazetat dhe mediat e tyre raportojnë për gjendjen e rëndë dhe shtetrrethimin e forcave policore serbe në qytetin e Prishtinës. Vlen të përmenden “Asossieted Press”, “Evropa e lirë”, “Zëri Amerikës” etj. Po ashtu, vëmendje u kushtohet edhe reagimeve të misioneve diplomatike dhe personaliteteve me ndikim në politikën amerikane dhe evropiane.

Përmasa, dimensioni dhe hapësira që i është dhënë kësaj proteste në shtypin e kohës është vetëm një prej argumenteve që shërbejnë për një paraqitje sa më reale, duke marrë parasysh distancën kohore prej 21 vjetëve qëkur është zhvilluar kjo ngjarje e cila do të zë vend me rëndësi në historinë më të re të Kosovës. Kundrimi i kësaj ngjarje nga shtypi vendor mbase nuk mund të japë një pasqyrë krejtësisht të plotë rreth ecurive të përgatitjes, zhvillimit dhe rezultateve të protestës, nëse nuk bëhen krahasime edhe me shtypin e huaj dhe mediat e tjera elektronike të informimit por, megjithatë, është një bazë e mirë për hulumtimet e mëtejme të atyre që do të merren me trajtimin e kësaj teme.

(Autori ka mbaruar studimet master për Arkivistikë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se dje në Pejë është…