Shtyrja e regjistrimit të popullsisë, Musliu-Shoshi: Kurti nuk mund të fshihet pas ASK-së
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar pas shtyrjes së serishme të regjistrimit të popullsisë.
Ajo ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk mund të fsheh dështimin e këtij procesi duke fajësuar Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK).
“Albini nuk mund të fshehë dështimin për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë duke fajësuar ASK-në! Shtyrja e regjistrimit të popullsisë është krejtësisht e qëllimshme nga kjo qeveri për faktin që janë shqetësuese shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën. Vetëm sot 151 mjekë i kanë kërkuar dokumentet e nevojshme të cilat iu duhen për të lidhë kontrata pune në shtete tjera apo oda të mjekëve në shtete perëndimore! Mjerimi nuk ka fund!”, ka shkruar Musliu-Shoshi në “Facebook”.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për datën 5 prill të vitit 2024.