Shtyrja rrit koston e Olimpiadës
Shtyrja e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” për verën e ardhshme ka rritur me 22 % koston e kësaj olimpiade.
Ka qenë ky informacioni që kanë dhënë të martën organizatorët e ngjarjes më të madhe olimpike. Kostoja e parashikuar për Olimpiadën ishte 12.6 miliardë dollarë, ndërkohë që organizimi i saj verën e ardhshme ka bërë që kostoja të shkojë në 15.4 miliardë dollarë. Shuma prej 2.8 miliardë dollarësh ka rënduar jo pak buxhetin.
Shtyrja e Olimpiadës erdhi si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe kjo shtesë e buxhetit do të përdoret pikërisht për menaxhimin e pandemisë. Por një pjesë e mirë e shumës shtesë ka ardhur edhe si pasojë e mosrespektimit të kontratave. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) u shpreh se do të japë 1.3 miliard dollarë të kësaj shume shtesë, për t’i mbështetur organizatorët. Lojërat Olimpike do të nisin më 23 korrik 2021.