‘Shuhet’ personi më i vjetër në botë
Tomiko Itooka, e shpallur si gruaja më e vjetër të botë, sipas rekordeve Guinness, ka vdekur në moshën 116-vjeçare, shkruan A2 CNN.
Sipas mediave të huaja, ajo ka vdekur në një shtëpi për kujdesin e të moshuarve në prefekturën e Hjogos, në Japoni.
Itooka është shpallur gruaja më e vjetër në botë, pasi spanjollja Maria Branyas Morera vdiq në gusht të vitit 2024 në moshën 117-vjeçare.
Japonezja kishte lindur në maj të vitit 1908, pra gjashtë vite para nisjes së Luftës së Parë Botërore. Ajo ka përjetuar gjatë jetës së saj luftëra botërore, pandemi dhe zbulime të jashtëzakonshme teknologjike.
Itooka ka pasur dy vajza dhe dy djem, sipas Guinnessit, ndërsa ka jetuar vetëm në qytetin Nara, pas vdekjes së burrit të saj më 1979.
Deri në shtator të vitit 2024, Japonia i ka pasur më shumë se 95.000 banorë që kanë qenë 100 vjeç apo më të vjetër dhe 88 për qind e tyre ishin gra.
Me një popullsi prej 124 milionë banorësh, pothuajse një e treta e popullsisë së Japonisë është mbi 65 vjeç, shkruan A2 CNN.
Pas vdekjes së Itookas, murgesha braziliane Canabarro Lucas, e cila ka lindur 16 ditë pas japonezes dhe është 116-vjeçe, besohet të jetë tani personi më i vjetër në botë.