Shujta e policisë ma kujtoi shujtën e UÇK-së dhe disa ngjarje të luftës
Berat Dakaj – Armagedoni
Në luftë nuk kam dhënë kontribut për lirinë me armë. Nuk kam gjuajtur në asnjë milic dhe ushtar serb edhe pse kudo në shtëpi, në shitore, në pleme kishim armë të ushtarëve tanë, të cilat i pastroja pas shkrepjeve të tyre gjatë betejave që kryenin, veçanërisht ata të Drenicës, të cilët pastaj vinin pushonin në shtëpinë tonë në Caravik. Atëkohë isha vetëm 14 vjeç, por dëshiroja të bëhesha luftëtar. Luftës nuk ia kisha frikën, gjarprit po. Edhe lartësisë. Edhe sot ua kam. Dëshiroja të shkoja në Shqipëri të merrja armë dhe të vija të luftoja në Kosovë. Një ditë, derisa punoja dhe rrija në shitore me dhjetëra ushtarë të UÇK-së, erdhi një kamion dhe i mori disa kushërinj të mi dhe i nisi për Shqipëri. Me ta doja të shkoja edhe unë. S’më la baba, as bashkëluftëtarët e tij. Shkoi me ta djali i xhaxhait, Visari. Më mbeti zhig që s’shkova edhe unë. Doja të kisha një pushkë timen. Pas dy ditësh, pasi pika më e rrezikshme në Evropë u bë Kijeva, nisi ofensiva ndaj fshatrave të Dukagjinit, të Llapushës dhe të Drenicës. Erdhi një helikopter dhe gjuajti nja njëzet minuta në fshatin tonë, në njerëz, në shtëpi, në kafshë, në gjësende. Qetësi më nuk kishte në fshat. Ushtarët lëshuan “rovat”, ne banorët duhej ta lëshonim fshatin. Kijeva po mbushej me tanke, autoblinda, ushtri dhe milici serbe dhe ruse. I hipa traktorit dhe me nënën, gjyshen, vëllanë dhe motrat, u nisëm për Gullbovc. Aty ndenjëm disa javë, herë me e herë pa babën që rrinte me ushtarët. Meqë nuk më rrihej me fëmijë dhe gra, shkoja rrija me burra, me ushtarë. Ua pastroja kallashnikovët, pushkët e gjuetisë. Nuk më linin ta pastroja “peticën”, edhe pse dija. Doja të jepja kontribut. Të paktën, t’u bartja ujë dhe bukë. Prandaj, disa herë, sa rrinim në Gullbovc, me traktorin “Shtore 402”, një herë në ditë kam bartur gjellë, pashteta dhe bukë për ushtarët e UÇK-së, nga kuzhina e UÇK-së që gjendej në fshatin Negrovc, deri në Gullbovc ku qëndronin ushtarët tanë. Në kuzhinën e UÇK-së përgjegjës ishte dhëndëri ynë, Hashimi, i cili ma mbushte thesin me bukë, kovën e metalit me gjellë dhe një pako me pashteta. Pasi i ngarkoja në traktor, i vetëm merrja rrugë për Gullbovc. Një ditë traktori pati një defekt dhe ushtarëve ua vonova bukën. Meqë gjatë kthimit nga Negrovci në Gullbovc hasja në shumë njerëz, të nesërmen ushtarëve që u dërgoja bukë u kërkova një pushkë për çështje të sigurisë sime. S’ma dhanë. Ia mora babës 20-shen dhe u nisa për Negrovc. Fluturoja nga gëzimi. Ndihesha më i forti i botës. Më i guximshmi. Të nesërmen sërish shkova në Negrovc. Pasi dhëndëri më shërbeu si zakonisht, bukë, gjellë dhe pashteta, më njoftoi se paska nisur një ofensivë në grykën e Llapushnikut, se ndoshta ia mësyjnë edhe në atë anë (Plloçicë, Gullbovc etj). I hipa traktorit dhe, në grykë të Vuçakut, takova dhjetëra ushtarë të Njësisë Speciale. Këmbë ishin nisur për front. Më kënaqej syri prej pamjes së tyre. I luta për bukë. Nuk deshën. Vazhdova rrugën dhe mbërrita shëndosh e mirë në Gullbovc. Por, as aty më nuk kishte rehati. Pak ushtarë kishin mbetur te “rovat”, kurse banorët po përgatiteshin të shkonin në fshatin ngjitur, Tërdevc. S’kisha kujt t’i jepja as gjellë, as pashtetë, as bukë. Kisha, por kishin mbetur pak. Më teproi më shumë se gjysma e tyre. Shkova te familja, u bëmë gati dhe, derisa ushtria dhe milicia serbe vinin drejt Gullbovcit, ne shkonim drejt Tërdevcit. Edhe nga Bainca vinin ushtarë dhe milicë të tjerë serbë. Na ngushtohej terreni i lirisë. Tërdevcin, edhe grykën e Vuçakut, i kishim ferr, njëkohësisht parajsë…
Rruga nga Gullbovci deri në Tërdevc në ditë paqe është jashtëzakonisht e lirë, por në ditët e luftës ishte shumë e ngarkuar dhe ishte në gjendje të keqe, e pashtruar as me zhavorr, as me rërë. E kalueshme lehtë për traktor dhe kamion, për vetura me vështirësi. Para dhe pas traktorit tonë, dhjetëra të tjerë, të mbushur me pleq dhe plaka, gra, burra dhe fëmijë, edhe foshnja.
Kur mbërritëm në Tërdevc na dukej se gjysma e Drenicës kishte ardhur aty. Por, aty kishin ardhur vetëm banorë të fshatit Gullbovc, Plloçicë, Baicë, Caravik dhe të ndonjë tjetri. Shumë prej tyre kishin hipur në traktor ashtu sikurse kishin qëlluar, të papërgatitur, qe besa edhe pa bukë dhe ujë. Unë dhe kushërinjtë e mi i ndalëm traktorët përballë shitores së Hisenit dhe një natë bëmë gjumë në rimorkion e traktorit, pa najlon sipër. Kur u zgjuam në mëngjes, nga lagështia e ajrit të gjithë ishim bërë qull. Ndienim dhimbje në gjithë trupin. Edhe një natë tjetër e bëmë aty. Do të rrinim aty edhe ndonjë ditë a natë tjetër, mirëpo në ditën e tretë, pasi milicia dhe ushtria serbe kishin masakruar disa banorë të fshatit Plloçicë në një lëndinë në Gullbovc, ia mësynë Tërdevcit. Edhe nga Baica vinin në drejtim të Tërdevcit milicia dhe ushtria serbe. Nuk vinin këmbë. Vinin me tanke, autoblinda, kamionë, vetura. Vinin kalavesh me armë dhe armatim. Vinin pa shpirt, pa keqardhje, pa njerëzillëk. Vinin për të vrarë, për të prerë, për të grindur, për të djegur, për të dhunuar, për të plaçkitur. S’donim t’i pritnim aty. Iknim prej tyre si prej dreqit. Ndezëm traktorët dhe u nisëm për grykën e Vuçakut. U shpërndanë edhe shumë të tjerë që kishin ardhur aty dhe shumë të tjerë që vinin ndërkohë. Derisa shkonim në grykën e Vuçakut, nëpër të cilën dhjetëra herë kam kaluar kur u bartja bukë ushtarëve të UÇK-së, morëm vesh se në Gullbovc kishin masakruar Halimin dhe Rasimin, vëllezër, edhe disa kushërinj të tyre. Një tjetër e kishin djegur.
Gryka e Vuçakut ishte mbushur përplot njerëz. Kishte edhe pesë a gjashtë herë më shumë sesa që kishte në Tërdevc. Mezi gjetëm vend për të ngrehur një tendë. Pasi gjetëm disa metra najlon dhe i premë disa thupra, e ngrehëm një tendë. Ishim të uritur, të lodhur, të dërrmuar. Kushërinjtë e tjerë bënë vend nja njëzet-tridhjetë metra më poshtë nesh. Nuk donim të rrinim të gjithë në një vend. Një banor i Vuçakut na ofroi mundësinë të përgatitnim ushqim në shporetin e tij që kishte ndezur. Nëna, që atëkohë kishte nëntë fëmijë, na bëri bukë. Në mbrëmje erdhi baba me kushërinjtë. Kishte vëzhguar terrenin nga mali dhe na tha se në Tërdevc dhe Vuçak kanë ardhur milicia dhe ushtria serbe. Sigurisht nesër vijnë edhe këtu. S’kishim më kah t’ia mbajmë. Shpresë, për jetë, kishim vetëm te Zoti.
Mëngjesi nuk gdhiu me luftë. Pasditja po. Vinin, në gjithë grykën e Vuçakut, raketa tok-tok. Veshët t’i shurdhonin. Granatonin edhe malin në të dyja anët e grykës (luginës). Vinin ngadalë, me tanke dhe autoblinda, por ne na dukej se vinin shpejt. Nëna më tha ik, hyni në mal me Arbenin, Kujtimin e kushërinjtë e tjerë. U futëm në mal, nja tre-katërqind metra larg grykës, nga i vërenim serbët që vinin. Prisnim ndonjë urdhër të masakrimit të popullatës. Pasditen, derisa terri i ra tokës, e kaluam në mal. Natën zbritëm poshtë, te tendat, te familjet. U ushqyem, pimë ujë, biseduam çfarë u ka ngjarë. Thanë se ushtarët janë sjell mirë, milicët keq. Deri pa zbardhur dita bëmë gjumë në tenda, pastaj u futëm sërish në mal.
Me fillim nga ora dhjetë ushtria filloi të granatojë në të dyja anët e malit për nja gjysmë ore. Pasi heshti armët, dikush ngrehi zërin: O Afrim, hajde se shkuan. O Bujar, hajde te baba. O Zenel, hajde se tash po vijnë në mal dhe ata që janë në mal nuk i falin. Çka të bëjmë ne, unë dhe kushërinjtë. Vendosëm të zbresim te familja. Çfarëdo që të ndodhë me anëtarët e tjerë, le të ndodhë edhe me ne. Nuk na duhet jeta pa ta. Zbritëm poshtë, në grykë. Sapo kemi lëshuar këmbën në xhade, përballë milicëve. Një shqiptar kishin vënë para nesh dhe përkthente. Çfarëdo që keni në xhepa, nxirrni jashtë dhe lëshojini para këmbëve. I nxorëm dhe i lëshuam para këmbëve ato që kishim në xhepa e që, thuajse, nuk kishim gjë. Pasi na kontrolluan edhe në trup, tha shkoni te familjet tuaja dhe mos lëvizni. Shkuam. Nënës nuk i erdhi mirë kur më pa. As bacës Ramë, rahmet shpirti i pastë! Atë ditë nuk na preku kush me dorë. Të nesërmen, afër tendës sonë, dikush në mbrëmje kishte lënë një kallashnikov dhe disa fishekë. I morëm, së bashku me djalin e bacës Agim, Albertin, dhe i fshehëm në një shkurre. I mbuluam pak edhe me dhe që mos të dukeshin. Gjatë ditës erdhën disa milicë dhe më kapën për krahu derisa me bacën Ramë rrija jashtë tendës. Baca Ramë u foli serbisht. U tha se babën e ka në Zvicër, se vetë është i sëmurë, se ka motra shumë dhe s’ka kush të kujdeset për familjen. Më dhanë një shqelm bythëve dhe më thanë futu në tendë. Hyra dhe dola shpejt dhe shkova te disa të njohur nga fshati Tërdevc që ishin afër një lisi të madh nën të cilin rrinin dhjetëra milicë.
Një plak, i molisur, me gjendje të rënduar shëndetësore dhe fizike, zvarritej. Dy milicë hanin pashtetë dhe e shikonin. Njëri prej tyre, pasi e hëngri të gjithën, ia gjuajti tasin përpara. Në serbisht i thoshte: lëpije, qen! E kapi plaku dhe filloi me gjuhë dhe gishta të nxjerrë “dhjamë prej pleshti”. Ka mundësi të mos e ketë kuptuar urdhrin, por ta ketë bërë për shkak të urisë. Përpiqej të ngrehej në këmbë, por s’mund të çohej. Sapo u ngreh, duke u mbajtur për një shkurre, njëri polic i ra shqelm në shpinë dhe e plandosi përtokë, në një vrimë të mbushur me ujë. Tash e kishte edhe më vështirë të çohej. Bëri dy a tri përpjekje, por s’i bënin këmbët punë. As duart. Njëri milic, që kishte mbështetur shpinën në lis, nxori revolen dhe e vrau. I shkrepi pesë plumba në trupin e tij.