Shukri Buja mungon për arsye shëndetësore, shtyhet gjykimi në rastin ‘Veteranët’
25 shtator 2024
| 13:06
Për shkak se i akuzuari Shukri Buja ka munguar për arsye shëndetësore, është shtyrë seanca e së mërkurës në rastin e njohur si “Veteranët”.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Buja, avokati i tij, Fadil Jashari, ka deklaruar se i mbrojturi i tij mbrëmë vonë i kishte dërguar një “e-mail” me të cilin e kishte njoftuar se për arsye shëndetësore nuk mund të paraqitet në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri, ka konfirmuar se “e-mailin” në fjalë e kishte parë sot (e mërkurë) dhe se ka kërkuar që i akuzuari Buja dhe mbrojtësi i tij t’i paraqesin gjykatës dëshmi për të arsyetuar mungesën.