Shukri Buja thotë se akuzat kundër tij në rastin e “Veteranëve” janë të pabazuara
Shukri Buja, një prej të akuzuarve në rastin e “Veteranëve”, në Interaktiv të KTV-së tha se deri tani Prokuroria e ka paraqitur akuzën, e tani është në fazën e procedimeve. Ai tha se akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj tij “është e pabazuar”.
“Ne akuzohemi pa pasë ndonjë dëshmi se nuk kemi qenë luftëtarë, akuzohemi për tejkalim të autoritet zyrtar”, tha ai.
19 mijë e 500 emra, tha ai, janë aplikues, ushtarë e eprorë të lartë të UÇK-së, që janë të përfshirë në listën e veteranëve jolegjitimë.
“Shumicën e tyre i njoh vet, që s’e gëzojnë të drejtën e pensionit”, tha ai.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë”.
Buja tha se gjatë luftës, kanë luftuar 46 mijë veteranë të UÇK-së.
Mbi 100 mijë veteranë, tha Buja, i ka pasë UÇK-ja. E 46 mijë, tha ai, kanë luftuar.
Kur kanë nisur procedurat e verifikimit, tha Buja, kanë qenë 2 ligje në fuqi. Dhe fajin ai e hodhi tek ligjet e Kosovës rreth këtij rasti.
“Pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë. Një përllogaritje e thjesht, do t’i kishte marrë miliona minuta, e jo si Prokurorisë sonë për 20 minuta”, tha ai, duke shtuar se do të duheshin 40 vjet për t’i shkuar në fund verifikimeve për rastin e “Veteranëve”.
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, mund të ftohen të dëshmojnë për rastin e “Veteranëve”. Por, Buja, thotë se ata ka mundësi të mos shkojnë.
“Ka mundësi të mos pranojnë, por nëse merr vendim Gjykata, nisin procedurat. Prokuroria e ka kontestuar të mos i thërras sepse s’dëshiron t’i ftojë për shumë arsye”, tha Buja.
Buja në Interaktiv foli edhe për Elez Blakajn, prokuror i cili u mor me këtë rast.
“I kam thënë se është joprofesional në aspektin ushtarak. Ai nuk e ka konsultuar asnjë aspekt para se ta ngrisë aktakuzën”, tha ai.
Buja tha se Prokuroria duhet t’i ketë parasysh rrethanat ushtarake të asaj kohe kur të marrë vendim për këtë rast.
Tha gjithashtu se “në bazë të ligjit, procedura për ta kontestuar një veteran jo të ligjshëm, do të duhej të shtrohej padi dhe ta dokumentojë se ai s’ka qenë veteran”.
Në fund, Buja shkurt ka thënë se “ishte i detyruar të dorëhiqet nga Nisma”, sepse në PDK e kishte vëllain.
“Ishte e pamoralshme për mua dhe jo etike, ta dëmtojë vëllain tim e familjen”, tha ai