
Shumë dekada në hendboll, Istref Sadriu tërhiqet në fund të edicionit
Gjatë Final 4 të Kupës së Kosovës në hendboll, që në fundjavë u mbajt në Ferizaj, Federata e Hendbollit e Kosovës ka nderuar me plaketë falënderimi Istref Sadriun, që ka dhënë kontribut për gati pesë dekada në hendbollin e Kosovës.
Plaketën, Sadriut ia dorëzoi Muhamet Arifi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Sadriu do ta kryej detyrën e vëzhgues-kontrolluesit të ndeshjeve vetëm deri në fund të këtij edicioni. Ai tërhiqet, duke lënë prapa periudhën prej shumë dekadash në shërbim të hendbollit në vendin tonë.
Sadriu shquhet për afërsinë me të gjithë njerëzit e hendbollit, ndërsa ka kryer me përgjegjësi të gjitha detyrat që i janë caktuar.
Istref Sadriu karrierën sportive e kishte nisur si shahist. Si pionier kishte përfaqësuar Kosovën në kampionatin e ish-Jugosllavisë. Ishte paraqitur në Pulë të Kroacisë, si 15-vjeçar. Më pas luajti futboll për dy vjet te Kosova e Vushtrrisë, si junior. U tërhoq për shkak të lëndimeve, ndërsa pasi pauzoi një vit, me ftesë të kryesisë së KH Samadrexhës, nisi karrierën në hendboll. Me Samadrexhën u bënë kampionë të Kosovës dhe u inkuadruan në Ligën e Dytë Federative. Te Samadrexha qëndroi shtatë vjet. Më pas kaloi te Kosova e Vushtrrisë, me ftesë të kryesisë së këtij klubi. Pas një edicioni garues sërish u bë kampion i Kosovës dhe kaloi në ligën e dytë federative.
Te Kosova e Vushtrrisë qëndroi deri në vitin 1989, kur kjo skuadër u tërhoq nga garat. Me ftesë të ikonës Beqir Buqinca, kaloi te Borci i Ferizajt në vitin 1990 dhe për skuadrën e famshme luajti deri kur sportistët tanë u larguan me dhunë nga palestrat dhe objektet sportive.
Pas luftës, Sadriu e riaktivizoi klubin Kosova e Vushtrrisë, ndërsa ishte i angazhuar si trajner. Por për shkak të angazhimeve në vendin e punës u tërhoq nga zeja e trajnerit. Nisi karrierën si gjyqtar i hendbollit, ndërsa drejtësinë e ka ndarë nga viti 2001 deri në vitin 2007. Pasi u zgjodh kryetar i shoqatës së gjyqtarëve u tërhoq nga referimi dhe prej vitit 2007 u angazhua si vëzhgues. Tetë vjet ishte kryetar i shoqatës së gjyqtarëve, katër vjet të tjera si komesar e prej vitit 2023 sërish si vëzhgues-kontrollues i ndeshjeve.
Federata e Hendbollit e Kosovës e falënderon Istref Sadriun për kontributin e dhënë, ndërsa i dëshiron shëndet dhe çdo të mirë në jetë.