‘Shumë nxënës kanë mbetur pa libra’, drejtori i Arsimit në Vushtrri e demanton ministren Nagavci
Drejtori i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiraj, ka demantuar ministren e Arsimit, e cila tha se nuk ka pasur ankesa për furnizimin me libra.
Tahiraj ka thënë se Komuna e Vushtrrisë ka paraqitur shqetësimet e tyre tek Ministria e Arsimit sepse sipas tij shumë nxënës kanë mbetur pa libra.
Ai ka thënë se edhe prindërit kanë pasur probleme edhe me aplikimi për subvencione e që është dashur të asistoj Drejtoria Komunale e Arsimit në Vushtrri.
“Kemi pasur takime të rregullt edhe me ministren e Arsimit, i kemi paraqitur shqetësimet tona si nivel komunal, si DKA-në për mënyrën e furnizimit, subvencionimin e prindërve me libra pasi ka shumë raste që prindërit kanë ardhur në DKA dhe na është dashur që ne të asistojmë në aplikim. Një prej problemeve më të mëdha që dihet është se jo secili prind e ka kapacitetin për tu kyçur në platformë, prandaj ne jemi shndërruar në asistent të prindërve me qëllimin më të mirë që me ardhur deri të subvencionimi dhe furnizimi me libra. Sfida tjetër është që për këtë periudhe të shkurtër kohore kur ka filluar transferimi i mjeteve është e pamundur që të furnizohen të gjithë me libra shkollorë, kështu që edhe sot që ka filluar viti shkollor zyrtarisht shumë nxënës akoma nuk janë furnizuar me libra”, ka thënë ai për “Ekonomia Online”.