SHUMË PARA, PËR PAK GJË
Milazim KRASNIQI
Sqarimi im lidhur me pozicionin në redaksinë e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, nuk ka brenda vetes as mllef, as ligësi. Ka vetëm dëshirën e mirë dhe obligimin moral që të njoftoj publikun që nuk kam qenë efektivisht pjesë e atij projekti të dështuar. Kaq ishte synimi im.
Ndërsa, mllef dhe ligësi ndaj meje ka prodhuar në tepri kryeredaktori i atij Fjalori, Mehmet Kraja. Megjithatë, e kuptoj nervozën e tij: ai është në panik se si ta mbroj atë projekt të dështuar, për të cilin janë shpenzuar shumë para.
Sa para janë shpenzuar? Përveç 900 eurove që Kraja thotë se më janë paguar mua, për Fjalorin Enciklopedik të Kosovës janë harxhuar 479.143.85 euro. Pra, afër gjysmë milionë euro! Ndarja e këtyre parave gjithsesi është interesante dhe në shikim të parë duket edhe abuzizve: për bordin janë paguar 45.480.00 euro, për Këshillin 22.100.00 euro. Për redaktorët janë paguar 59.065.00 euro, për anëtarët e redaksisë së të gjitha fushave janë paguar 35.000 euro. Për hartuesit e zërave janë harxhuar 111.307.40 euro, për lekturën 8.809 euro, etj.
Nga praktika e gjatë që kam pasur si kryeredaktor në disa medie, e di që kryeredaktori i cakton honoraret. Nuk e di a ka qenë kështu edhe në këtë rast, por nëse nuk ka qenë, atëherë i bie që Mehmet Kraja ka qenë kukull, jo kryeredaktor. Pra, kaq tash për tash, si përkujtesë për paratë që përmend me aq zell Kraja, si të ishte tuxhar, e jo akademik.
Ndërsa sa i përket anës profesionale të tij si kryeredaktor, ajo është më e vajtueshme, se sa mënyra e harxhimit të parave. Kryedaktor i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, është emërtuar njeriu që nuk ka kurrfarë formimi shkencor, pra, asnjë gradë shkencore. Sigurisht kjo rrethanë ia ka pamundësuar që të ketë një pamje analitike dhe kritike për një projekt kaq kompleks. E tash, konstatimi se Kraja nuk ka kurrfarë formimi shkencor, nuk është fyerje, nuk është mllef, nuk është ligësi, thjesht është një fakt.
Sidoqoftë, as kësaj here nuk do të mirrem me etiketimet dhe shpifjet e tij ndaj meje, sepse e di që ai e ka të vështirë të komunikoj normalisht, madje edhe me kolegë e me miq. Fjalamujtja ka qenë dhe ka mbetur arma e tij, jo argumentet. Deri tash atij stili ia ka pa hajrin, prandaj nuk ka pse e ndërron. Por, unë nuk bie në nivelin e tij. Pse? Megjithë huqet e secilit, ne kemi një periudhë të gjatë të bashkëpunimit në organizime kulturore, mediale e politike, të cilat e kanë vlerën e vet dhe kontributin konkret të secilit, pra edhe të Mehmet Krajës, gjë të cilën nuk ai mohoj në asnjë rast. Por, konsiderata konkrete për kontributin e tij në raste e fusha të tjera, në rastin e Fjalorit, nuk vlen. Puna e tij si kryredaktor është një dështim. Ndonëse nuk e kam pasur në plan, në një rast tjetër shpresoj ta bëjë një analizë kritike të vetë Fjalorit. (14 janar 2019)