Shumë reagime për takimin Gjuriq-Radoijçiq, Qeveria e Kosovës nuk deklarohet
Një fotografi e publikuar në fundjavë, nga një takim mes ambasadorit të Serbisë, Marko Gjuriq dhe personi në listë të zezë të SHBA-së, Milan Rdojçiq, ngjalli një sërë reagimesh në Kosovë, Serbi edhe më gjerë. Në Prishtinë, kjo nuk po shihet si befasi, por kërkohet edhe reagim ndërkombëtar.
Thuajse të gjithë patën nga një reagim a përgjigje për këtë fotografi, por jo edhe Qeveria e Kosovës.
Takimin e ambasadorit të Serbisë në SHBA- Marko Gjuriq me kriminelin Radoiçiq, përveç që ky i pari nuk e mohoi edhe Vuçiqi i tha disa fjalë për të.
Presidenti serb tha se nuk e ka pyetur Gjuriqin se kur, ku dhe pse u takua me Radojçiqin.
E zëdhënësi i BE-së Peter Stano po mendon se nuk iu takon atyre ta komentojnë këtë takim, ani se Radojçiq është i kërkuar nga INTERPOL-i dhe është në listën e zezë të SHBA-së.
“Nuk na takon ne të komentojmë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe me njerëz të ndryshëm. Mendoj se kë takoni reflekton mbi ju, qoftë ai i dyshuar për veprime kriminale, por kur aludohet për sulmin në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i njëjtë, presim zyrtarisht raportin përfundimtar mbi hetimin dhe atëherë do të shohim se si të veprohet tutje, deri tani këtu në Bruksel nuk kemi parë asnjë raport”, ka thënë Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Por, një fotografi e as takim i tillë nuk i ka befasuar në Prishtinë, njohësit e rrethanave politike. Ata madje e konsiderojnë kontradiktore takimin marrë parasysh raportin dhe statusini e Gjuriqit në SHBA.
“Një pjesë e madhe e qeverisjes të Serbisë janë edhe pjesë e të kaluarës kriminale, të shtetit serb dhe mendoj që ky takim i një krimineli siç është Radoiciq me kandidatin e mundshëm për kryeministër të Serbinë nuk paraqet lajm për arsye që e gjithë kjo strukturë politikë e Serbisë është e lidhur tërësisht me krimin që nga koha e MIllosheviqit deri më tash”, është deklaruar politologu Fidan Ukaj.
Kurse Belgzim Kamberi nga instituti “Musine Kokalari” ka thënë se “Kemi të bëjmë me z.Gjuriq që është personi më i parapëlqyer i Administratës Amerikane, dhe i njëjti konsiderohet që i ka rregulluar marrëdhëniet Serbi-SHBA gjatë kohës së tij si ambasador dhe në këtë kuptim është edhe më kontravers.”
Një ditë më parë rreth këtij takimi ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Ai tha se Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata që u përfshin në sulmin e kryer në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës.