Më shumë se 113 mijë turistë polakë zgjodhën Shqipërinë sivjet
Më shumë se 113 mijë polakë zgjodhën Shqipërinë për pushimet e tyre, një zhvillim shumë i rëndësishëm ky, që midis të tjerave po i sjell gjithnjë dhe më pranë shqiptarët dhe polakët.
Kështu deklaroi ambasadorja e Shqipërisë në Varshavë, Shpresa Kureta, gjatë një video-mesazhi me rastin e festave të fundvitit. Viti 2017, sipas saj, i afroi më shumë Shqipërinë me Poloninë, veçanërisht sa i përket bashkëpunimit ekonomik.
Ky vit, sipas saj, shënon arritje të rëndësishme mes dy vendeve në shumë fusha që kulmuan me vizitën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Varshavë dhe zhvillimin e një forumi të suksesshëm biznesi që padyshim do të hapë mundësi të reja për bashkëpunim në të ardhmen, transmeton kp.
“Edhe pse një komunitet i vogël, shqiptarët në Poloni janë një aset në zhvillimin e miqësisë mes popujve tanë”, tha ambasadorja. Një përshëndetje të ngrohtë, gjithashtu ajo përcolli nga komuniteti i shqiptarëve në Ukrainë që mbajnë të gjallë identitetin kombëtar dhe dashurinë e zjarrtë për atdheun e tyre. “Prej 3 vitesh janë hapur kurset e gjuhës shqipe dhe të rinj nga ky komunitet studiojnë gjuhën shqipe me programet e universitetit të Tiranës”, deklaroi Kureta.
Në përfundim ambasadorja shqiptare në Varshavë uroi shumë suksese në përpjekjet e përbashkëta për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.