Shumë të rinj po diagnostifikohen me kancer kolorektal
Në janar, një raport i publikuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit sugjeron se normat e kancerit kolorektal po rriten me shpejtësi te njerëzit në të 20-at, 30-at dhe 40-at edhe pse incidenca po bie te njerëzit mbi moshën 65-vjeçare.
“Fatkeqësisht po bëhet një problem më i madh çdo vit”, ka thënë doktor Michael Cecchini, bashkëdrejtor i programit në Qendrën për Kanceret Gastrointestinale dhe një onkolog mjekësor në Qendrën e Kancerit Yale.
Sipas tij, kanceret kolorektal me fillimin e hershëm janë rritur me rreth 2 për qind në vit që nga mesi i viteve 1990.
Kjo rritje ka bërë që kanceri kolorektal të jetë shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri te meshkujt nën moshën 50 vjeç dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve nga kanceri te gratë nën 50 vjeç në SHBA.
Ekspertët po vërejnë një rritje të kancerit kolorektal me fillimin e hershëm në mbarë botën – një prirje që ata po përpiqen ta shpjegojnë.
Kanceri i zorrës së trashë dhe rektalit ndajnë shumë ngjashmëri dhe zakonisht ndahen në një kategori, të quajtur kanceri kolorektal.
Studimet, megjithatë, tregojnë se rritja e diagnozave është nxitur kryesisht nga një rritje e kancereve të rektumit dhe kancereve që gjenden në anën e majtë, ose distale, të zorrës së trashë, pranë rektumit.
“Kjo ndoshta ofron një të dhënë të rëndësishme për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë”, ka thënë Caitlin Murphy, studiues i kancerit në UTHealth Houston.
Kanceri kolorektal te të rinjtë gjithashtu pritet të jetë më agresiv dhe shpesh gjendet në një fazë më të avancuar, sipas Murphy.
Por shumica e njerëzve të prekur nga kanceri kolorektal me fillimin e hershëm janë shumë të rinj për t’u rekomanduar për ekzaminime rutinë të kancerit, të cilat kanë ndihmuar në uljen e shkallës te të rriturit mbi 50 vjeç.
Në vitin 2021, Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-ve reduktoi moshën e rekomanduar për fillimin e shqyrtimit të kancerit kolorektal nga vetëm pesë vjet – nga 50 në 45.
Shumica dërrmuese e diagnozave të kancerit kolorektal bëhen ende te njerëzit 50 vjeç e lart.
Shoqata Amerikane e Kancerit parashikoi vitin e kaluar se afërsisht 153 mijë diagnoza të reja do të bëheshin në SHBA në vitin 2023, nga të cilat 19 mijë e 550 do të ishin te njerëzit më të rinj se 50 vjeç.
Por të lindurit rreth vitit 1990 tani kanë dy herë më shumë rrezik nga kanceri i zorrës së trashë.
Rreziku i tyre për kancerin e zorrës së trashë është rreth katër herë më i lartë se ai i grupmoshave më të vjetra, sipas një studimi të botuar në Journal of the National Cancer Institute.
Kjo do të thotë se diagnozat ka të ngjarë të “vazhdojnë të rriten ndërsa këto breza me rrezik më të lartë plaken”, sipas Murphy.
Kur kanceri gjendet në një moshë më të re se zakonisht, mjekët zakonisht dyshojnë se mutacionet gjenetike mund të jenë fajtorë.
Dhe disa studime molekulare sugjerojnë se tumoret në kanceret kolorektal me fillimin e hershëm kanë mutacione të ndryshme që nxisin kancerin në krahasim me tumoret te të rriturit më të moshuar.
Është e qartë se të kesh një të afërm të shkallës së parë që ka pasur kancer kolorektal mund të rrisë rrezikun, sipas Cecchini. Por ndryshimet gjenetike nuk e shpjegojnë pamjen e plotë.
Disa kërkime kanë lidhur ndryshimet në stilin e jetës dhe dietën me rritjen e shkallës së kancerit kolorektal si te të rinjtë ashtu edhe te të moshuarit.
Gjeneratat e fundit kanë konsumuar më shumë mish të kuq, ushqime ultra të përpunuara dhe pije me sheqer, dhe kanë pirë më shpesh; ndërmjet viteve 1992 dhe 1998, duhanpirja gjithashtu u rrit përpara se të binte sërish, ndërkohë që aktiviteti fizik ka rënë vazhdimisht për dekada.
Të gjithë këta faktorë janë të lidhur me rrezikun e kancerit.
Por asnjëri prej tyre nuk përbën plotësisht rritjen e kancerit kolorektal me fillimin e hershëm.
Ekspertët kanë filluar të hetojnë nëse ka nxitës të tjerë mjedisorë të kancerit të hershëm.
Disa studime të vogla kanë lënë të kuptohet se njerëzit që zhvillojnë kancer kolorektal në moshë të re kanë një çekuilibër të baktereve të mira dhe të këqija në zorrë.
Studiuesit nuk po shikojnë vetëm përdorimin e antibiotikëve, të cilët mund të ndryshojnë mikrobiomën e zorrëve, por edhe ilaçet anti-inflamatore jo-steroidale që përdoren si qetësues kundër dhimbjeve.
Disa ekspertë besojnë se ekspozimi ndaj kimikateve toksike në mjedis mund të jetë gjithashtu fajtor.
Ekzistojnë gjithashtu pabarazi gjeografike në rritjen e kancerit, me ekspertët që shohin më shumë raste të shfaqura në qytete dhe qyteza përgjatë lumit Mississippi, në shtetet juglindore dhe në Appalachia, të cilat mund të shpjegohen nga ekspozimet ndaj elementëve si arseniku, kromi dhe nikeli, të cilat përdoren shpesh në prodhimin e qymyrit, fabrikat kimike dhe industri të tjera në ato rajone.
Të ashtuquajturat kimikate të përhershme si substancat PFAS, janë lidhur me kancere të tjera dhe gjithashtu mund të shkaktojnë një pjesë të rritjes së kancerit kolorektal me fillimin e hershëm.