Shumë turistë e pak punëtorë në Shqipëri

28 maj 2023 | 16:30

Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, çdo ditë mund të shohësh grupe me turistë të huaj. Pavarësisht rritjes së numrit të turistëve, industria e turizmit në Shqipëri po përballet me mungesë të fuqisë punëtore.

Turistët e huaj kryesisht vizitojnë disa prej atraksioneve kryesore turistike të Tiranës, sikurse Muzeun Historik Kombëtar, Kullën e Sahatit, Xhaminë e Et’hem Beut, fotografohen para monumentit të heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si dhe vizitojnë BunkArt2, që në periudhën e regjimit komunist ka qenë bunker kundërbërthamor i Ministrisë së Brendshme. Ata po ashtu vizitojnë edhe vijën bregdetare shqiptare.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa prej turistëve të huaj të cilët kanë treguar se çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo në Shqipëri.

Ankesa për cilësinë e shërbimeve

“Jam për herë të parë në Shqipëri dhe më pëlqen shumë. Më pëlqen natyra dhe ushqimi, por negativ është fakti se pak njerëz dinë të komunikojnë në anglisht derisa na shërbejnë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Marina Kataschlaga nga Austria, e cila vizitoi Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë.

Ndërkaq, Mishel nga Austria, para se të vizitonte Tiranën kishte qëndruar në jug të Shqipërisë, në Ksamil, që tha se ishte një vend shumë i bukur. Megjithatë, ajo pati ankesa për shërbimin.

“Restorantet dhe hotelet janë vërtet të mira, por stafi ka shumë problem në komunikimin me turistët e huaj. Infrastruktura rrugore është gjithashtu problem. Megjithatë më pëlqen Shqipëria dhe do të kthehem sërish”, tha kjo turiste.

Raiza nga Indonezia tha se Shqipëria i ngjan shumë shtetit të saj sa i përket rrugëve dhe trafikut. Pavarësisht se vlerëson pastërtinë, ajo përmendi problemet që ka pasur me shërbimin në hotel, për shkak të numrit të vogël të punëtorëve.

“Po shkonim në dhomën tonë në katin e 12-të, dhe stafi ishte pak rrëmujë, pak agresiv duke sistemuar valixhet, ndërsa prisnim të merrnim ashensorin. Gjithashtu kam pasur vështirësi të komunikoj për shkak se kuptonin pak anglisht”, tha ajo.

Mbi 50 për qind më shumë turistë

Sipas raportit të fundit të Institutit të Statistika (INSTAT), të publikuar më 25 maj, turizmi në Shqipëri ka shënuar rritje.

“Gjatë muajve janar-prill, Shqipërinë e vizituan rreth 1.7 milion të huaj, që krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë është 57 për qind më shumë”, u tha në raport.

Nga kompanitë turistike thanë se ka fluks turistësh dhe ka rezervime për muajt e verës. Por, ajo që i mundon është përballimi i kësaj situate, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Feriolt Ozuni, ekspert i turizmit dhe njëherësh drejtues i një agjenci turistike, tha se gjetja e stafit të kualifikuar apo gjysmë të kualifikuar paraqet sfidë të madhe.

“Industria e turizmit ka nevojë për të paktën 35 për qind më shumë staf, pasi kjo lloj industrie jep garanci për një periudhë sezonale. Jemi të detyruar të marrim staf të papërgatitur, që gjë cenon cilësinë e shërbimeve, por nuk kemi zgjidhje tjetër për disa shërbime. Pra, siç thuhet në gjuhën popullore, po bëjmë arnime, po mundohemi të mbushim boshllëqet me lloj-lloj mënyrash”, tha Ozuni.

Ai theksoi se për shkak se nuk arrijnë të punësojnë staf të kualifikuar, detyrohen që disa prej anëtarëve të stafit t’i shndërrojnë në “trajnues” për punëtorët e tij.

“Unë vuaj për shoferë të autobusëve pasi organizojë turne të ndryshme dhe nuk mund të marr në punë persona të pakualifikuar dhe t’i trajnoj sepse kërkon shumë kohë. Jam detyruar që të bëj vetë shoferin, por edhe guidën turistike në disa raste, me disa grupe turistësh vendas dhe të huaj. Janë kontrata që janë firmosur disa muaj më parë dhe nuk e parashikon se si të vjen situata dhe gjendesh pa punëtorë. Pra, unë drejtues kompanie detyrohem të bëj edhe këto punë. Përgjegjësitë e mija janë të mëdha duhet të jem në kontakt me partnerë, klientë etj. Kjo ka ndodhur me shumë kolegë të mi, për shkak të mungesave të shumta që kemi në stafe”, tregoi ai.

Edhe pse institucionet shtetërore e kanë vendosur si prioritet turizmi, Ozuni tha se nuk sheh se është bërë diçka në këtë drejtim. Ai tha se shkollat e mesme profesionale apo universitetet nuk janë të orientuara drejt nevojave të tregut të punës.

“Zgjidhje urgjente, e jo afatgjatë”

Besnik Vathi nga shoqata e hoteleri-turizmit, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e fuqisë punëtore është problemi kryesor i turizmit në prag të nisjes së sezonit të verës.

“Është shumë vonë për të gjetur një zgjidhje tani. Duhet të ishin marrë masa shumë kohë më herët me politika konkrete afatgjata. Për këtë sezon kjo kosto i mbetet biznesit, që ka marrë masat për trajnime individuale, ndërsa po përpiqen të gjejnë punëtorë të kualifikuar si nga Turqia, edhe nga Serbia, Maqedonia e Veriut për të sjellë punëtorë të kualifikuar, që ky sezon me fluks në rritje të përballohet me sukses. Tani biznesi duhet të shohë për zgjidhje urgjente jo afatgjatë”, tha Vathi.

Ai shtoi se industria e turizmit në Shqipëri ka mungesë të kuzhinierëve, kamarierëve e deri te shoferët.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, numri i turistëve të huaja këtë vit është më i larti në shtatë vjetët e fundit. Ky institucion ka paralajmëruar se do të ketë rritje të vizitorëve të huaj në Shqipëri gjatë verës, gjë që udhëheqësit në industrinë e turizmit thanë se do të paraqesë një sfidë të madhe për ta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se dhuna ndaj…