Shumëdimensionaliteti ideoestetik i një romani
SADIK KRASNIQI
Enver Visoka, “Nata e përjetshme”, Sh. B. “Koliqi”, Prishtinë, 2022
Ka krijues që nuk shquhen në inkuadrimin e vazhdës së skotës zhurmuese, me paraqitje kudo dhe kurdo, duke menaxhuar e reklamuar “artin” e tyre “të denjë” për çmime dhe dekorata letrare. I tillë është shkrimtari dhe poeti Enver Visoka, që krijon dhe jeton, siç do të thoshte Gynter Grasi, në “vetminë e bekuar”.
Në tre romanet e tij, Muri i hekurt, Dimensioni i panjohur (botuar edhe në gjermanisht me titull Die unbekannte Dimension) dhe Nata e përjetshme vërehet një përshtresim ideoestetik gjithnjë e në ngritje. Ndërsa në romanin e parë paraqitet në mënyrë reale realiteti i një kohe të një vendi konkret, në romanin e dytë vjen në shprehje trajtimi i një teme dhe vendi ekzotik, përmes një fantazie dhe imagjinate të befasueshme, kurse romanin që po trajtojmë e shquan një përthyerje e realitetit në një fiksion të përskajshëm onirik.
Romani Nata e përjetshme është roman i detajeve. Sekuencimi i ngjarjeve, i fenomeneve, personazheve, situatave, diskursivitetit, magjisë, filozofisë, mistikës, evokativës, profecisë të epokalipsit zotërohet përmes një dinamike shumë të shpejtë, por me një koherencë në shërbim të semantikës dhe semiotikës poetike. Romani fillon me tri sentenca si paratekste autoriale, të cilat janë mjaft implicite dhe shkojnë në funksion ideor, ashtu siç janë shënjuar edhe tri kaptinat e librit: Për urinë dhe etjen; Për artin, pusin e turbullt të ekzistencës, zanafillën, kohën e ikur dhe të pikur, Pika e tërheqjes së gjurmëve të njeriut në planet, që shërbejnë jo si ndarje kompozicionale të strukturës së romanit, por janë interferenca ideosugjestive për eklektiken e ligjërimit fabular, apo siç shprehet autori: “i konstalacionit të çuditshëm ndjenjash, në orën policore të të menduarit”. Vetë titulli i veprës Nata e përjetshme sinjifikon një nokturno.
Nata e përjetshme, pos të tjerash, është roman personazhi, gjegjësisht kryepersonazhi. E gjithë fabula e veprës ngërthehet përmes kryepersonazhit Prole (emër ky me konotacion, i zhveshur nga çdo kamje), duke u nyjëzuar me gjendjen e tij intelektuale e emocionale për rrethanat ku ai gjendet e që janë tejet komplekse e të ndërlikuara. Prole është një “i huaj”, që ka të bëjë me një realitet, të cilin e determinojnë të tjerët. Ky realitet ka të përditshmen monotone, të vrazhdë, të varfër, të mërzitshme, banale dhe të gërditshme.
Në këto rrethana Prole është i detyruar ta ushtrojë zanatin “e punës për bukë”, siç shoshte Kafka, për ta ushqyer familjen, duke i shërbyer zonjës Haike, e cila është e robëruar nga tekat, dëshirat, manitë e shfrenuara e obsesive për pushtetin e ndyrë. Raportin e tij me realitetin Prole e ndërton përmes mllefit të shprehur mes dialogut ironik me njerëzit në njërën anë, dhe bisedës së sinqertë me Mailon, qenin e shtëpisë.
Biseda me Mailon është një solilokuium, pra një dialog me një kafshë që s’kupton e që në thelb është monolog. E potencuam këtë element, ngaqë Mailo është shoqërues i përhershëm i personazhit gjatë tërë romanit dhe duke qenë pjesë interiere e ambientit, lexuesin e vë në lajthitje ta mendojë si mace. Por llojin e tij autori e zbulon me të lehurën e tij të vetme dhe pak para se ai të japë frymën e fundit. Realja në këtë roman, si veprim i kryepersonazhit, është shumë e paktë në krahasim me arealen, që është jermi, vegimi, shajnia dhe ëndrra e tij. Fabula përmes Onirikes si dominante e romanit, është një subjekt i gjetur bukur përmes fisit të stërlashtë Go. Fisi Go është përtej realitetit e jashtë kohe, në orbitën ku Prole transformohet përmes gjendjes së tij në trans. Fisin Go e shquan misticizmi i ritualeve, besëtytnive, kulteve, magjisë së bardhë dhe supersticiozitetit. Ky fis është njëherazi zanafilla e organizimit të shoqërisë në një ambient rural ende të virgjër e të paprekur nga interesi personal, ideologjik e teknik. Në këtë ambient fisnor, Prole gjendet si një alien, por i metamorfozuar në njeriun ujk dhe me dhëmb ujku si shenjë e keqe fatale për atë ambient.
Fati i tij përcaktohet nga gjyshja e fisit, e cila e vërteton se ky nuk ishte vrasësi, vetëm se trupi i tij ishte i zënë nga fryma e keqe e ujknjeriut dhe, ai shpirt i trazuar duhej larguar, nxjerrë jashtë nga trupi përmes magjisë së bardhë dhe, krejt kjo duhej të ndodhë në majat e larta të bardhësive; në kohën dhe vendin e caktuar. Pasi shërohet nën këshillat e plakës së fisit dhe përmes dashurisë së vajzës më të bukur të fisit, Prole fiton simpatinë dhe besimin e fisnarëve, saqë bëhet orientues dhe misionar i tyre. Përmes vizionit dhe diturisë së këtij njeri të ardhur nga një dimension tjetër, fillon një jetë e re e tyre drejt organizimit shoqëror. Përmes arsimimit dhe këshillave të tij, të mbartura nga një botë tjetër, nis transformimi shoqëror i fisit dhe kalimi nga komuniteti primitiv deri në popull, e më vonë në shtet. Por mu në këtë stad të transformimit shoqëror deri te forma e shtetit, për shkak të interesave egoistë dhe etjes për pushtet, prijësi i tyre Drilo kthehet në despot dhe prish minishtetin e tij në një mënyrë donkishoteske, duke u mbrojtur me uniformat e ushtarëve të braktisur, të cilat i mbush me kashtë e byk.
Drilo, i mllefosur nga braktisja e të gjithëve, uniformave me kashtë u vë flakadanët për ta ndritur natën dhe pallatin, po që digjet së bashku me ta. Në këtë roman hasim fenomenin e ëndrrës në ëndërr, por edhe të ëndrrave paralele. Sublimacioni për art, po ashtu, është fabularitet i jermtë dhe i ëndërrt. Me Poezinë, Lirikën e Fantazinë, kryepersonazhi nuk ka vetëm raporte estetike, por edhe raporte familjare, ndaj Prole është një Pikmaleon që dashurohet me to, jeton me to dhe fundi i vjen në krahët e tyre. Subjekti i tërë këtij kompleksitetit fabular në këtë roman zhvillohet përmes personazheve disa llojesh: ato reale si, Prole, Haike, Sasha, Uve, Zhaklina, Berta, Maria gruaja, (kjo edhe si personazh vegimtar), Gerta, Maile, Roku etj. Personazhet onirike: gjyshja e fisit, Drilo, Eposi, vajza e bukur, kryeplaku, ushtarët prej kashte të Drilos etj. Personazhet diskursive, si Poezia, Lirika, Fantazia, vargu, si dhe personazhet hipotetike: Zëri i dytë, Zëri i tretë, Zëri frymës, Zëri i panjohur, Zëri i largët, Zëri i pafytyrë, Zëri i errësirës etj. Tema e romanit ndërtohet përmes një ligjërimi të një poetike të ndërlikuar dhe tejet komplekse. Pluraliteti i tekstit të këtij romani të jep pluralizmin e interpretimit, siç do të thoshte Agron Y. Gashi. Ky pluralizëm interpretues vjen nga amza e diskursit ligjërues të romanit, i cili përmban disa fenomene të veçanta letrare, të cilat e bëjnë këtë roman të qëndrojë nën ombrellën e postmodernes. Prole duke qenë njeri hënak, i ikur nga koha e fikur, i kapur nga hija e mallkuar e ujknjeriut, i bindet urdhrit të Zërit të dytë: “Dëgjo këtu, mësohu të jetosh me ëndrrat, i shkoqur nga hallkat e trupit të dheut e të shpirtit, se në fund të fundit, nga të gjitha ndërskamcat që t’i ngritin, mbetet e dëlirë dhe e lirë vetëm ëndrra, e cila është, po ashtu, një jetë” (f. 41).
Diegjetika në roman përmban interspektivën e personazhit, e cila zhvillohet përmes monologut të shpeshtë. Ky monolog shtjellohet si retrospektiv dhe perspektivë. Retrospektiva është evokative, ndërsa perspektiva është profeci. Figura e metonimisë bëhet bartëse e rrëfimit evokativ. Përmes Librit të fluturimeve (Flugbuch), që është ditar lufte i babait të Haikes, i cili si pilot kishte bërë fluturime të zeza, në kohën e zezë me frymë dhe energji të zezë. Përmes kësaj mortaje të zezë, Prole përkujton Luftën e Dytë Botërore. Ndërsa me tokën e djegur kujton vendlindjen e tij dhe luftën e fundit. Prole fëmijërinë e përkujton përmes bukës së nxehtë të mbrume dhe dorës së nënës që ia afron. Kujtimet te ky personazh janë si aurë që ndizen dhe fiken me një shpejtësi vetëtime, duke u përthyer nga realiteti shqetësues.
Në oazën e kujtimeve shfaqet zërin autorial, që jep elementet autobiografike. Profecia në këtë libër është përtej orveliane, është apokalips biblik. Nuk është më vetëm sistemi ideologjik me syrin e vëllait të madh që kanos qenien njerëzore, por është Dija e rafinuar, e cila “përfundimisht vrau pastërtinë qiellore, vrau gjithçka e, në fund, edhe gazin dhe ajrin që dikur, sipas saj, do të kishin krijuar oksigjenin e, më vonë, edhe jetën dhe vdekjen në planet…” (f. 244). Andaj zëri i panjohur e tall ironikisht personazhin dhe njeriun: “Ti nuk do të vdesësh në mungesë të plotë të oksigjenit, por do të vdesësh në mungesë të ushqimit të shëndoshë. More vesh, do të ishte fat i madh që ti të mos kesh asnjë metalik me ato stemat e kryeqyteteve europiane që ta blesh vdekjen tënde” (f. 244). Romani ka edhe profecinë kozmike me shenjat e apokalipsit biblik, me shiun e hekurt dhe njollat e zeza brenda sipërfaqes së zjarrit të diellit, devijimi i Tokës jashtë radiusit të vet, kështu thonë zërat e astrofizikëve e, sipas Proles, kjo do të ndodhë në ditën e pestë të stinës së pestë të vitit të fundit, mu në momentin fatal “të pikës së tërheqjes së gjurmëve të gishtërinjve të njeriut në planet” (f. 243). Këto elemente e çojnë këtë vepër në zhanrin e fantaromanit. Romanin e shquan edhe ligjërimi ironik. Narrativja e ironisë në këtë roman është alegorike. Ironia bëhet përmes dialogut të kryepersonazhit me Haiken. Qëndrimi autorial vërehet edhe ndaj proceseve shoqërore, me ironinë alegorike të luftës së derrave mes tyre dhe derrave me ujqit, si aludim i dy sistemeve të dy kryefuqive botërore: asaj perëndimore dhe lindore. Konsistenca e romanit është metamorfoza, e cila është përtej kafkiane, si metamorfozimi i sendeve në gjallesa (aeroplani në peshkaqen), i qenieve njerëzore në kafshë (njeriut në ujknjeri ose në lejlek të verdhë. Në roman ka edhe metamorfoza mistike sipas kodeve të ritualit Shaman të transformimit të shpirtit sipas shenjave astrologjike. Vetë romani përfundon me metamorfozimin e kryepersonazhit. Prole vjen duke u zvogëluar, bëhet edhe një herë fëmijë.
Metamorfozimi vazhdon në një oazë të zezë prej lëkure qengji, e në fund shndërrohet në zanafillën e ngjizjes së tij (në një pikë sperme), që bartet nga merimanga gjigante e kohës për në gjithësi, pak para se të mbyllet qielli dhe të bie nata e përjetshme. Sabato shprehet: “Proza është e ditës, poezia është nata: ushqehet me përbindësha e simbole, është gjuha e territ dhe e humnerave”. E romani i Enver Visokës është si poezia e natës dhe i krijuar nga zonat e errëta, ndaj për të mund të ketë edhe qasje psikanalitike. “Po nuk ka roman të madh, që të mos jetë në instancë të fundit poezi”, – thotë prapë Sabato. I tillë është edhe ky roman me metaforat e bukura, si: dy thëngjij të shuar prushi, engjëll i zi, lule të zeza, energji e errët, energji e zezë, zëri i frymës, aurora e frymës së djegur, çaste të djegura kohe, kohë e djegur, frymëmarrje e bardhë qielli, etja e kohës, kohë e fikur, mal i shkretë, aurorë të mallkimeve, kohë e pikur, shi në sirtarët e qiellit, mortajë e zezë, frymë e zezë, shi i zi, shi i hekurt, libër i zi, shpirt i mjerë, jetë të fikura, kohë e mykur, lëmsh i portokalltë zjarri, kala akulli, univers i thyer, shpirt i heshtur, shtrati galaktik i yjeve të heshtura, pyjet e yjeve, tokë e etur, tokë e djegur, strale të dritave, zogu i shpirtit, pema e shpirtit, lule kamilje, rrugë e yjeve, Zoti i yjeve, këmishë e zezë, kod mallkimi, merimangë kohe etj.
Gjatë leximit dhe perceptimit të vëmendshëm mund të konkludojmë se romani Nata e përjetshme i Enver Visokës është shkruar për një lexues model dhe se, nëse ky recipient depërton në esencën e semiotikës së tij, dëshmon “shejin e mendjes së pjekur” (Arshi Pipa), siç ka dëshmuar edhe autori si krijues. Në fund mund të themi se ajo pikë zanafille e bartur diku në gjithësi do të jetë një ngjisje e një qenieje të re apo e një romani të ri. Për ne, si lexues, kjo do të mbetet një suspansë.
Të shpresojmë!